Oketa në Kroaci, takime zyrtare në kuadrin e futjes në NATO

Tiranë, 30 janar 13:08 NOA - Me ftesë të ministrit të Mbrojtjes së Kroacisë z.Branko Vukeliç, Ministri Shqitar i Mbrojtjes Gazmend Oketa zhvilloi një vizitë dy ditore në Kroaci. Oketa shoqërohej në këtë vizitë nga zv\shefi i Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Brigade Zyber Dushku.
Përveç takimit me homologun e tij, Ministri Oketa dhe delegacioni që e shoqëronte u prit edhe nga Presidenti Kroat z.Stjepan Mesiç.
Ky i fundit i tha Oketës, se Shqipëria dhe Kroacia janë dy vende miq, midis të cilave ekziston dëshira politike për të çuar më tej marrëdhëniet dypalëshe në të gjitha fushat, ashtu si më parë duhet të bashkëpunojmë intensivisht edhe në të ardhmen sepse kemi të njëjtat objektiva, integrimin në NATO dhe në BE.
Presidenti Kroat vlerësoi gjithashtu marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë e Kroacisë edhe në fushën ushtarake dhe shprehu besimin se kjo vizitë do t’i jepte një shtysë të re këtyre marrëdhënieve, tashmë të dy vendeve aleatë të ardhshëm të NATO-s.
Nga ana e tij, Oketa, vlerësoi ecurinë e marrëdhënieve midis dy vendeve tona; suksesin e bashkëpunimit të deritanishëm e veçanërisht bashkëpunimin shumë të mirë në fushën ushtarake, si në planin bilateral, ashtu dhe në kuadër të organizmave rajonale, ku bashkëpunimi në A3 përbën një shembull edhe për vendet e rajonit.
Ai shprehu bindjen se niveli aktual i marrëdhënieve politike përbën një bazë të mirë për zgjerimin e mëtejshëm në të gjitha fushat e tjera me interes reciprok, duke përfshirë dhe fushën e mbrojtjes si aleatë të ardhshëm të NATO-s.
Oketa falënderoi Presidentin e Kroacisë z. Mesiç për qëndrimin e Kroacisë përkundrejt çështjes së Kosovës dhe njohjen e pavarësisë së saj.
***
Në Ministrinë e Mbrojtjes Kroate, Ministri Oketa së bashku me delegacionin që e shoqëronte, u prit në një ceremoni zyrtare, nga homologu i tij Vukeliç, i cili duke folur për bashkëpunimin e deritanishëm tha se do të vazhdojë të forcohet edhe më tej pas hyrjes së plotë të të dy vendeve në NATO.
"Kroacia dhe Shqipëria kanë një frymë të shkëlqyer të bashkëpunimit dhe kjo rikonfirmon edhe një herë vullnetin për të vazhduar në të ardhmen përpjekjet e përbashkëta në përgatitjen dhe modernizimin e Forcave tona të Armatosura.", - tha Ministri Vukeliç.
Kemi besimin se në të ardhmen duhet të zgjerojmë bashkëpunimin si anëtarë të Aleancës së Atlantikut të Veriut, duke gjetur kështu edhe rrugë e mundësi të reja për intensifikimin e këtij bashkëpunimi, - shtoi Vukeliç".
Ndërsa Ministri shqiptar i Mbrojtjes Gazmend Oeta vlerësoi se “ky takim është shumë i frytshëm, - tha Oketa,- pasi në të rikonfirmohet edhe njëherë fryma e mirë e bashkëpunimit midis dy vendeve tona, midis dy ushtrive përkatëse dhe dy Ministrave të Mbrojtjes".
Oketa dhe Vukeliç bënë më pas një bilanc të reformave në fushën e mbrojtjes, edhe në kuadër të Kartës së Adriatikut (A3).
Të dy ministrat rikonfirmuan sërish dëshirën dhe vullnetin për ta vazhduar këtë bashkëpunim.
"Marrëdhëniet tona do të vazhdojnë të forcohen më tepër dhe bashkëpunimi ynë në fushën e mbrojtjes do të shtrihet edhe më tej, - shtoi z. Oketa, pasi pas anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, që jam i sigurtë se do të ndodhë në këtë Samit, puna që na ngarkohet përpara është akoma më e madhe dhe përgjegjësitë janë të shumta.
Ky bashkëpunim do të zgjerohet edhe përsa i përket integrimit të të dy vendeve tona në Bashkimin Europian. Ndajmë së bashku të njëjtin mendim se Shqipëria dhe Kroacia duhet të japin eksperiencën e tyre edhe për vendet e tjera të rajonit, që duan t’i bashkohen këtyre iniciativave, një shembull bashkëpunimi ky, që i shërben stabilitetit në rajon dhe që do të shërbejë për të gjitha këto vende: Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina, Serbia, Kosova e Maqedonia".
Koketa ka deklaruar më tej se "Shqipëria e mbështet zgjerimin e Kartës së Adriatikut nga A3 në A5, dhe kjo është një mbështetje që nuk ka mbetur vetëm në faza deklarative, por janë bërë hapa dhe bisedime konkrete dhe pa dyshim Shqipëria do të vazhdojë të japë ndihmën e saj për të gjitha këto vende, anëtare të saj”.
Kurse evidentoi se Qeveria shqiptare ka theksuar gjithmonë bindjen e saj se e ardhmja e rajonit dhe gjithë vendeve tona është integrimi në strukturat e NATO-s e të Bashkimit Europian.
“Do të ishte në të mirën e secilit vend dhe të gjithë vendeve të rajonit të Ballkanit që të bashkërendonim e të koordinonim mirë me njëri-tjetrin për të punuar si një ekip i tërë, gjë jo që do të bënte integrimin përfundimtar të Ballkanit në këto stuktura dhe mbizotërimi e paqes për tërë rajonin", - përfundoi Oketa.
Ministri e njohu kolegun dhe mikun e tij Vukeliç me ecurinë e reformave në Forcat e Armatosura Shqiptare, me planet për të ardhmen si dhe me atë çfarë presim nga anëtarësimi i plotë në NATO.
e.l/NOA