E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Coles, Motra e Licianos: Zani ka gisht në vrasjen e vëllait

Nga Klodiana Lala
 

TIRANE- Prej afro një dekade, sytë e saj nuk janë tharë nga lotët. Vrasja e vëllait të vetëm e ka tronditur dhe plaga e hapur duket se nuk do të mbyllet kurrë. Mbrëmjen e 1 korrikut 1999, ka përjetuar momente të tmerrshme. Pas nëntë vitesh ka vendosur të thyejë heshtjen. Aida Rami, motra e Afrim Ramit, i njohur ndryshe me nofkën Luçiano, shprehet se familja e saj ka të drejtë të dijë se kush u vrau njeriun e tyre të afërt dhe përse. Për herë të parë, mësuesja e njohur rrëfen për miqësinë e të vëllait me Zani Çaushin, të fortin e Vlorës. “Afrimi dhe Zani u njohën në Greqi. Miqësia e tyre u forcua shumë në 1997-ën”, - shpjegon e motra. Si nisi marrëdhënia e Luçes me Zanin, çfarë i ndau dy miqtë e ngushtë, pse Luçiano mori në mbrojtje vëllezërit Gërdhuqi, si e bindi Zanin të lejonte Leka Zogun për të hyrë në Vlorë. Të gjitha këtyre pyetjeve u përgjigjet në një intervistë për “GSH”, motra e njeriut që u njoh si krahu i djathtë i të fortit të Vlorës. Aida hedh dhe dyshimet e para për personat që organizuan vrasjen e vëllait të vetëm dhe kërkon nga shteti drejtësi...
Si e mësuat lajmin e hidhur të vrasjes së vëllait tuaj?
Isha në shtëpi duke u përgatitur për diplomën për Gjuhë-Letërsi. Erdhi motra e vogël dhe më tha se “nuk e di se çfarë ka ndodhur, por babain e kanë marrë tek Dega. E takova rrugës dhe nuk më tha asgjë. S’e kishin lajmëruar se i ishte vrarë djali”. U nisa për në postë për të marrë motrën e madhe, pasi ishte më e lidhur me Afrimin dhe mund të kishte mësuar diçka. Në atë kohë më del djali i tezes së Zani Çaushit. Unë kërkoja Tiranën, Vlora na kërkonte ne. Motra e vogël kapi telefonin dhe ai i thotë se është vrarë Afrimi. Ajo rrëzohet përdhe pa ndjenja dhe sot e kësaj dite është e sëmurë. Qe një traumë e madhe. Kisha mamin në shtëpi me vajzën time që ishte e vogël. Nuk dija si t’ia thosha. Gjithë pesha e asaj nate të tmerrshme ra mbi supet e mia. Nuk dija çfarë të bëja më parë, të mbaja mamin, apo të merresha me organizimin e ceremonisë së varrimit. Kanë qenë momente të tmerrshme që nuk do t’i harroj kurrë, as kur të martoj djalin e vetëm që kam.
Si vepruat më pas?
U mundova të qetësoja mamin. Një kushëri na u gjet shumë pranë. Na u gjendën pranë të tërë komshinjtë në lagje, për të mos thënë tërë qytetarët e Burrelit. Bëmë ceremoninë tradicionale. Ka qenë dita më e tmerrshme e jetës sime dhe do mbetet e tillë.
Kush mendoni se e qëlloi Luçianon dhe për çfarë arsye?
Nuk e dimë as sot e kësaj dite kush e qëlloi Afrimin dhe përse. Javën e fundit që më ka ardhur vëllai në shtëpi, i kam kërkuar të shkonte jashtë. Kishte dalë nga burgu ku ishte gjykuar së bashku me grupin dhe Zanin dhe donim ta largonin jashtë Shqipërie. Kishim mundësi ta bënim një gjë të tillë, por nuk pranoi. Ai shprehej se nuk kam bërë asnjë vrasje, asnjë krim dhe nuk kam arsye përse të mos lëviz lirshëm në Shqipëri. Kjo na jepte besim. Kanë kaluar dhjet vjet dhe nuk e dimë ende se kush e vrau dhe përse. Kemi kërkuar në tërë këto vite, kemi vajtur në shumë familje të dëmtuara dhe nuk del asnjë prej këtyre familjeve që të thotë që djali juaj na ka bërë ndonjë gjë të keqe. Ne jemi një familje që nuk jemi ngacmuar pas vrasjes së vëllait. Na ka ngacmuar vetëm heshtja e shtetit.
Mesa dini, a kishte Afrimi ndonjë hasmëri apo kundërshtar? Nëse po, cilët ishin këta persona?
Asnjë. Afrimi ka pasur një natyrë shumë njerëzore dhe ishte vështirë të bëheshe armik me të. Zotëronte një komunikim të jashtëzakonshëm. Ishte shumë i qetë. Dhe nuk ma merr mendja të kishte armiq. Afrimi heshtte kur kishte pakënaqësi.
Vrasja e vëllait tuaj nuk është zbardhur ende. Keni kërkuar nga Prokuroria ta hapë dosjen?
Gjatë kohës që ka qenë në seanca gjyqësore me grupin, ne kemi marrë pjesë në seanca dhe pas vdekjes së tij. Babai kërkonte me ngulm në gjyq, që të flisnin gjithçka dinin për Afrimin. Shteti nuk na ka dhënë asnjë informacion. Megjithatë kemi vajtur me babain dhe në gjyqet e Zanit dhe gjyqet, sapo shkonim ne të dy pezulloheshin. Nuk e di pse. Kemi pyetur për të kuptuar se çfarë ka bërë Afrimi në Vlorë. Dua të sqaroj dhe një gjë. Kishim dëgjuar që grupi i Zanit merrej me grabitje. Të jeni të bindur se Afrimi nuk ka sjellë qoftë dhe një lek në familjen tonë. Ai s’ka pasur as një makinë. Veç lekëve që ka fituar në Greqi me punë të ndershme, në mënyrë kategorike familja jonë s’ka përvetësuar asnjë para. Ne jemi rritur shumë mirë si fëmijë. E dinim se Afrimi nuk binte pre e lekut, sepse s’i ka munguar asgjë. Kemi kërkuar të zbardhet e vërteta, por nuk është bërë asgjë.
Prej dhjetë vitesh keni heshtur, pse vendosët të flisni pikërisht tani?
Nuk kemi heshtur. Në pesë vitet e para ka qenë një gjendje e rëndë në familje. Mamaja pas vrasjes së Afrimit ka tentuar të vrasë veten disa herë, duke mos e përballuar dot dhimbjen e madhe. Ka kërkuar babai gjithmonë të mësojë se çfarë ka ndodhur me Afrimin. Ka vajtur në shumë familje të dëmtuara në Vlorë për të mësuar të vërtetën për të. Mendoj se grupi i Zanit ka pasur dy anë. Anën e mirë dhe anën negative. Për anën e mirë nuk flitet sot, sepse ka qenë një shtet brenda atij shteti, ku ka ndihmuar me mijëra familje. Jam e bindur se vëllai im ka qenë në këtë pjesë të mirë të këtij grupi, dhe nuk ka marrë pjesë tek ajo që quhet negative. Na thoshte se duhet të rrini të qetë, se nuk kam bërë asnjë krim.
Pse vëllai juaj njihej me nofkën Luçiano?
Duke qenë djalë i vetëm, ne i thërrisnim Luçe. Kështu e thërrisnin të gjithë në Burrel. Nuk e njihte askush me emrin Afrim. Kur shkoi në Greqi, pronari grek e thërriste Luçiano, sepse dhe emrin e nënës e kishin Marta. Ai i thoshte se je italian, pasi je dhe shumë i pashëm. Luçiano nuk është nofkë, por përdoret për qëllim negativ. Luçe e thërrisnim për përkëdheli ne në familje dhe filluan ta thërrisnin të gjithë kështu.
Si njihej Luçe në Burrel?
Në Burrel nuk ka pasur asnjë lloj mosmarrëveshje. Ai ishte tip i qeshur dhe shumë i shoqërueshëm. Nëse do vini në Burrel do t’iu flasin se ishte një djalë i zgjuar dhe bënte shumë për shoqërinë.
Si është njohur vëllai juaj me Myrteza Çaushin?
Janë njohur në Greqi. Zani i ka kërkuar një adresë të një mirditori dhe meqë Afrimi ishte verior dhe nip në Mirditë, e ka ndihmuar duke e çuar tek personat që ai kërkonte. Atje ka ndodhur rrahja, ku është përfshirë dhe Afrimi. Për këtë, babai im ka paguar 6 milionë lekë dhe Afrimit i mbeti peng pse u dhanë lekët, pasi na thoshte që nuk kishte bërë asgjë, por thjesht kishte dhënë adresën. Ky ka qenë pikëtakimi i parë mes tij dhe Zanit. Ishte viti 1995. Më pas miqësia e tyre u forcua. Me 2 mars 1997, neve na vdiq xhaxhai, Gani Rami. Duke qenë se babai e kishte vëlla të vetëm, i kërkoi Afrimit të vinte nga Italia për në varrim të xhaxhait. Ai u nis drejt Shqipërisë me traget dhe mbërriti në Vlorë. Më 3 mars 1997 u shpall gjendja e jashtëzakonshme dhe Afrimi nuk mundi të vinte në varrim. Në këto rrethana mbeti në Vlorë.
Miqësia e tyre ishte aq e ngushtë sa flitet?
Për kohën që ka qenë në Vlorë, kanë qenë miq. Unë personalisht si motër, i kam thënë, “ç’ne me një vlonjat?” Por Afrimi nuk fliste shumë. Ka qenë një miqësi e ngushtë përderisa ai ishte me Zanin. Këmbëngulim dhe duam që të sqarohet figura e tij, pasi ai ka mbrojtur dhe ka qenë një ndikim i jashtëzakonshëm te Zani për të bërë mirë. Jam shumë e sigurt që nuk bënte pjesë në anën e errët të grupit.
Pak ditë më parë, Zani deklaroi nga qelia se Afrimin e ka pasur si vëlla. Ju e konsideroni si mikun më të mirë të tij?
Nxitja që mora për të thyer heshtjen ishte pikërisht pas deklaratës së Zanit, që thoshte se Afrimin e ka pasur vëlla gjaku. Kë quan Zani vëlla gjaku, kur nuk na ka takuar njëherë? Zani Çaushi nuk ka qenë asnjëherë në shtëpinë tonë. Ai është shprehur në burg që motrat e Luços janë motrat e mia, por pengu që më ka mbetur është se Zani ende nuk ka treguar të vërtetën se përse u vra Afrimi. Sepse aty ka qenë dhe vetë ai. Përderisa Zani nuk ka marrë kurajën të thotë se çfarë ndodhi, në çfarë rrethanash u vra Afrimi dhe del me atë shprehjen, ‘nuk e di se kush e vrau dhe pse’, na bën të dyshojmë, sepse më mirë se ai s’e di asnjeri. Kjo ka bërë që familja jonë të ndahet. Familjarët e tij kanë qenë ditën e varrimit të Afrimit, daja i Zanit dhe nëna e tij. Vetë Zani nuk ka ardhur asnjëherë në shtëpi. Do ta kisha bërë vëlla Zanin nëse do të më kishte treguar sesi më vranë vëllain e vetëm. Afrimi është vrarë pas shpine. Ditën që e kemi veshur me kostum, ai kishte tri plumba pas shpine nën anën e zemrës. Për mua ishte snajper. Kur kanë vajtur për të marrë kufomën e Afrimit, e kanë gjetur me një palë pantallona të shkurtra dhe një palë atlete të grisura, i paarmatosur, dhe është vrarë pas shpine. Kush e vrau e pse e vranë? Kjo pyetje na mundon.
Ju thoni se Zani ka dijeni për vrasësit e vëllait tuaj. A keni shkuar në qeli ta takoni për të mësuar të vërtetën?
Për këtë do të flasë më shumë babai im. Zani i ka thënë që më vranë shokun dhe vrava dy (nënkupton Robert Shehajn dhe dajën e tij). Babai i ka thënë se duhet ta vërtetonte këtë në gjyq, por sapo ne kemi vajtur në gjyq, seancat janë shtyrë. Mos vallë ka shteti dorë? Pse e vrau? Unë jam kuadro dhe i shërbej këtij shteti që nuk ka kurajë morale të na thotë se ç’ka ndodhur, kush e vrau vëllain tonë. Shteti duhet të sqaronte familjen tonë. Nëse Afrimi ishte kriminel, çfarë ka bërë? Nëse është viktimë e politikës, duhet ta thotë. Se çfarë është bërë, nuk ç’bëhet më. Një shtet që hesht. Mos vallë e vrau shteti, politika? Fjalët e vëllait tim kanë qenë këto: “Na tradhtoi e majta!”.
A ka ardhur ndonjë politikan në varrimin e Afrimit, apo më pas për ngushëllim në familjen tuaj?
Absolutisht asnjë. Asnjë politikan nuk ka mbërritur në familje për të na sqaruar. Afrimi njihet me Gjinushin dhe me Nanon. Unë jam shumë e bindur që shumë deputetë në Parlament i kanë duart e përlyera me gjak. Historia do ta nxjerrë këtë fakt. Përderisa një shtet hesht në vrasjen e këtyre bij nënash, mendoj se një pjesë e politikanëve i kanë duart me gjak, qoftë dhe me gjakun e vëllait tonë. Nuk kërkojmë hakmarrje. Duam vetëm drejtësi. Shteti të ketë kurajën morale të thotë që Afrimi ishte viktimë, qoftë dhe e vetë atij. Vëllai nuk na kthehet më.
E keni parë ndonjëherë Afrimin nën shoqërinë e ndonjë emri të njohur të politikës?
Ai nuk fliste, ishte shumë i heshtur. Thoshte vetëm këtë: “Na tradhtoi e majta”. E majta i bëri grup, sepse përfaqësonin Partinë Socialiste. U futën në burg kur në pushtet ishte PS-ja, doli nga burgu po kur ishte PS-ja dhe u vra po në kohën e PS-së. Dhe në një moment të caktuar, me një politikan, të cilit s’po ia përmend emrin pasi një gjë të tillë mund ta bëj më vonë, sapo i kam thënë që jam motra e Luçianos, u largua. Ai iku. Ishte një politikan që kishte frike. Pse?
Çfarë kërkoni nga shteti?
Të zbardhet figura e Luçianos, me fakte. Prindërit e mi të mos ikin me peng në shpirt se kush ishte djali i tyre. Nuk pranoj më kurrsesi të quhem motra e Luçianos së bandës së Zanit. Nëse ka qenë në anën negative të asaj bande, ta dimë dhe ne se kush ishte vëllai ynë. Kërkojmë drejtësi, jo mëshirë.
Keni dyshuar se vrasja e vëllait tuaj mund të ketë ardhur si pasojë e krisjes mes anëtarëve të bandës?
Në atë kohë, vëllai im kishte marrë shtëpi këtu në Durrës që të niste një jetë të re, ishte fejuar me një shoqen time mësuese. Por shkoi sërish në Vlorë ku dhe u vra. Dyshoj dhe tek Zani Çaushi, sepse marrëdhëniet mes tyre ishin krisur. Kjo, pasi Afrimi kishte marrë në mbrojtje disa anëtarë të bandës që kishin kontradikta me Zanin.
Kush janë këta anëtarë?
Vëllezërit Gërdhuqi. Zani kishte shumë respekt për Afrimin dhe e dëgjonte dhe, duke qenë se kishte këtë reputacion, e linte që të sqaronte. Di të them që natyra e Zanit me Afrimin ishin komplet të kundërta. Një Zan ekspresiv. Një Afrim i përmbajtur.
Afrimi u vra një muaj para vëllezërve Gërdhuqi. A nuk e keni menduar ndonjëherë se vrasjet brenda grupit po vazhdonin?
Për mua, këta u vranë nga shteti, por jo pa dijeninë e Zanit. Jo vetëm familja jonë dhe e Gërdhuqëve, por janë dhe shumë familje të tjera, të cilat kanë enigmë vrasjet e njerëzve të tyre. Ky grup, herë diskutohej se ka bërë mirë dhe herë keq. Di këtë që në momentin që më është vrarë Afrimi, në adresën e tij qoftë dhe në media nuk është folur asgjë e keqe. Është thënë vetëm thjesht, është vrarë Afrim Rami. Kjo më bën të dyshoj. Dhe ditën që kemi shkuar për të marrë trupin, kemi parë shumë nëna që qanin dhe na kanë përcjellë me respektin më të madh. Prisnin se mund të ndodhte dhe ndonjë incident, por asgjë.
Me familjen Gërdhuqi keni pasur marrëdhënie?
Mbas vrasjes së vëllezërve nuk kemi vajtur më. Para vrasjes së Afrimit shkonim për raste, por jo ndonjë lidhje të jashtëzakonshme. Ne kemi qëndruar larg grupit të Zanit. Kemi dhjetë vjet që gërmojmë për gabimet e Afrimit, për të mbajtur kështu një qëndrim. Por pas dhjetë vjetëve kemi gjetur vetëm të mira. Desha të them dhe një gjë që ma ka lënë amanet nipi, Henri e quajnë dhe jeton në Greqi. Ai më ka thënë: “Teze, të lutem thuaj se unë do jem në gjurmët e dajës, se daja është shembull për mua”.
Po me familjen Shehaj keni konflikt?
Nga vëllezërit Shehaj na është dërguar fjalë se, “ne nuk u kemi gjakun e djalit”. Afrimi ka qenë i paarmatosur në lokal. Ne nuk e kërkojmë të Shehajt. Vetë Shehajt kanë thënë që Luçiano ka qenë i paarmatosur. Zani e ka provokuar sherrin dhe fakti që është vrarë pas shpine na bën të dyshojmë. Ishte pabesi, vrasje pas shpine. Arsyeja që Afrimi gjendej në atë lokal, ka qenë për të ndihmuar një veriore. Duhet të sqaroj dhe një fakt tjetër. Pas vizitës së Prodit në Vlorë, ka dashur të shkojë Leka Zogu. Por Zani nuk ka dashur që Leka Zogu të shkojë në Vlorë dhe Afrimi i ka thënë që përderisa në lejuam Prodin, s’ka arsye përse të mos hyjë Leka Zogu. Dhe mbas vdekjes së tij na ka ardhur një letër nga familja mbretërore. Afrimi ka mbrojtur familjet veriore në Vlorë, konviktet e vajzave. Dilte në Vlorë i paarmatosur. Duam një përgjigje, që babai im të shkojë i qetë në varr. Të mos përmendem më si motra e Luçianos, si anëtar i grupit të Zanit, se duket sikur më rëndohet vëllai. Nëse Afrimi ka bërë krim, le të na thuhet dhe nëse ka bërë pjesë në anën e mirë të këtij grupi, le të flitet për të.

(s.g/GazetaShqiptare/Balkanweb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›