E Diel, 1 Nëntor 2026

“Oktapodi i pronave”, në pranga dhe tre persona të tjerë për falsifikimet

Bie në prangat e policisë edhe ish-drejtori Juridik i ZRRP-së së Vlorës. Abuzimet në bregdetin e Jugut kanë dy vite që hetohen prej Prokurorisë

Policia e Vlorës arrestoi gjatë mbrëmjes, duke nisur dita e shtunë, edhe tre persona të tjerë, të dyshuar si të përfshirë në aferat korruptove me pronat në bregdet ku më herët në Tiranë u prangos drejtori i ZRPP-së rajonale, Edmond Banushi. Burime zyrtare policore konfirmuan se operacioni i koduar “Fillimi i vjeshtës” u krye në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, si dhe me Drejtorinë Kundër Krimit Financiar në Departamentin për Hetimin e Krimeve. Aksioni nisi në orën 19:00 të së premtes në kryeqytet, pranë zyrave qendrore të Hipotekës, me kapjen dhe arrestimin e 40-vjeçarit Edmond Banushi, lindur e banues në Vlorë, me detyrë drejtor i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Rrethit Vlorë. Kurse gjatë natës në Vlorë u zhvillua një tjetër aksion, që përfundoi me arrestimin e 48-vjeçarit Viktor Kulaj, lindur dhe banues në Vlorë, ish-jurist në Drejtorinë e Zyrës së Regjistrimit të Rrethit Vlorë dhe Oard Begaj, 47 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë. “Në bazë të punës investiguese të kryer për një kohë relativisht të gjatë, të arrestuarit është mundësuar të identifikohen e dokumentohen si autorë të veprave penale që lidhen me abuzim në pronat e bregdetit duke dhënë vërtetime pronash që rridhnin nga falsifikim dokumentesh”, - thanë burime zyrtare të Policisë së Shtetit.
Dy vite më parë, ndërsa Kulaj ushtronte profesionin e drejtorit Juridik në ZRRP-në e Vlorës, makina e tij private u përfshi nga flakët pas një zjarrëvënieje të qëllimshme.
Arrestet
Që të tre akuzohen për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh dhe vënie në përdorim të dokumenteve të falsifikuara. Policia e Tiranës më herët tha se Banushi u arrestua pasi përballet dhe me akuzën e korrupsionit aktiv dhe pasiv në funksionin e lartë shtetëror që kryente. Edmond Banushi ka qenë drejtor i ZRPP-së që nga viti 2006, i propozuar nga Partia Demokratike dhe njihet në Vlorë si një ndër emrat më afër kësaj partie. “Nga ana jonë hetimet vazhdojnë dhe priten arrestime të tjera”, - deklaroi policia, e cila sqaroi se për të tre të prangosuri u krye ekzekutimi i urdhrave të ndalimit të lëshuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë. Sakaq, vala operacionale nuk u ndal aty. Pak para mesnatës, duke hyrë e shtuna, u konfirmua dhe arrestimi i 53-vjeçarit Leonard Bala, lindur dhe banues në fshatin Vuno, Vlorë, me detyrë kryeplak i fshatit turistik Vuno. Arrestimi i tij është kryer për veprën penale “falsifikim i dokumenteve më shumë se një herë” dhe u krye në kuadrin e operacionit të koduar “Fillimi i vjeshtës”. Policia tha se edhe për kryeplakun e Vunoit është bërë ekzekutimi i urdhrit të Prokurorisë së Rrethit Vlorë, pasi Gjykata e Rrethit ka caktuar masën e sigurimit “arrest ne burg”.
Pronat
Të tre të arrestuarit, përveç problemeve që kanë me falsifikimet e dokumenteve pronësore për zonën e Vunoit, janë evidentuar edhe në disa dosje të tjera të Prokurorisë që lidhen me abuzimet marramendëse të pronave në bregdetin e Jugut. Një tjetër dosje e Prokurorisë lidhet me një sipërfaqe prej 700 hektarësh, pronë në fushën e Novoselës, pranë Vlorës. Sërish precedenti i falsifikimit të dokumenteve është prezent, ndërsa dhjetëra familje kanë pretenduar zhvatjen e tokës në mënyrë të paligjshme nga një dorë e vetme që ka kryer gjithë procedurën. Çështja ka filluar gjashtë muaj më parë, ndërsa burime nga Prokuroria i kanë thënë “Albania”-s se “të dhënat paraprake tregojnë se ka qenë AKKP-ja e Tiranës ajo që ka mbështetur, madje në disa raste ka iniciuar disa procedura tërësisht të pakontrolluara dhe të paligjshme. Sipërfaqja e tokës është shumë e madhe dhe për nga mënyra dhe shpejtësia me të cilën është kryer procesi i dyshuar si antiligjor dyshohet se në të mund të jenë të implikuara interesa të fuqishme”.

5 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›