TEC-i i Vlorës, vepra nis nga puna me kapacitet të pjesshëm 97 megavat/orë
Termocentrali i Vlorës ka nisur nga puna duke e hedhur të gjithë energjinë e prodhuar në rrjet. Ky TEC e ka nisur aktivitetin e tij prodhues me 97 megavat/orë edhe pse koha e funksionimit është e vogël, sepse vepra ndodhet akoma në fazë eksperimentale. Lajmi për nisjen e prodhimit u dha këto ditë nga drejtues të KESH-it të cilët sqaruan se në momentin e nisjes së punës me kapacitet të plotë, TEC-i i Vlorës do të plotësojë rreth 10 për qind të nevojave të përgjithshme të vendit me energji elektrike. Kjo energji do të shërbejë kryesisht për furnizimin e pjesës së jugut të vendit. Në TEC-in e Vlorës do të punojnë gjithsej 50 specialistë. Kjo vepër është dhe investimi më i madh publik në rangun e investimeve elektro-energjetike në 27 vitet e fundit në vend, pasi gjatë këtyre viteve nuk është ngritur asnjë vepër e tillë. TEC-i do të punojë me naftë të rafinuar dhe ka një kosto prej 112 milionë dollarësh, si dhe shtrihet në një zonë prej 6 hektarësh, rreth 6 km në veri larg qytetit të Vlorës. Zona ku është ngritur kjo vepër është përdorur më parë si një terminal me platforma nafte. Projekti është mbështetur nga një kredi e butë prej 25 milionë dollarësh nga IDA dhe BB-ja. 37.5 milionë dollarë nga BERZH-i, 37.5 milionë dollarë nga BEI dhe 12.6 milionë dollarë nga KESH-i.
Banka Islamike sjell 100 investitorë në Shqipëri në ndihmë të biznesit vendas
Rreth 100 investitorë të Korporatës së Bankës Islamike (IFC) do të mbërrijnë në fillim të muajit nëntor në Tiranë, në kuadër të forcimit dhe rritjes së bashkëpunimit ekonomik me Shqipërinë, ndërkohë që krerët e kësaj banke angazhohen për kreditimin me terma të favorshëm të biznesit vendas. Gjatë një konference për shtyp, Drejtori Ekzekutiv i Korporatës Islamike për Zhvillim, Khalid Al-Aboodi, prezantoi nismën për promovimin e resurseve shqiptare në një konferencë ndërkombëtare në fillim të muajit nëntor. Sipas tij, fushat e bashkëpunimit midis biznesit shqiptar dhe atij të huaj janë prodhimi i energjisë, zhvillimi infrastrukturor, portet, rrugët, aeroportet, por edhe turizmi. Konferenca ndërkombëtare, e cila do të mbahet në Tiranë nga data 2-6 nëntor, synon të mundësojë parashtrimin e nevojave të bizneseve shqiptare dhe të kërkojë të hapë rrugën e bashkëpunimit midis palëve të interesuara në projekte të veçanta. Një javë më parë Kuvendi miratoi edhe marrëveshjen për themelimin të Korporatës Islamike për sigurimin e investimeve dhe të kredive të eksportit, e cila i krijon mundësi biznesit për të aplikuar dhe marrë kredi pranë Bankës Islamike. Shqipëria është anëtare e Bankës Islamike për Zhvillim që nga viti 1993.
5 Tetor 2009