E Shtunë, 31 Tetor 2026

Preç Zogaj: “Protestat për votën e lartësojnë imazhin e vendit”

Ish-deputeti i PD-së, shkrimtari Preç Zogaj, analizon situatën politike në vend. “Raporti i OSBE-së ka material për opozitën, u dhunua numërimi i votave”. “Nëse dikush kërkon ta bëjë inekzistent, Presidenti e ka avantazhin të jetë në krye të detyrës”

Eljona Ballhysa
Një ndër themeluesit e Partisë Demokratike, shkrimtari dhe publicisti Preç Zogaj, megjithëse nuk është më pjesë e politikës aktive në Parlamentin e ri të Shqipërisë, ai zgjedh të jetë aktiv në analizën e politikës shqiptare. Në një intervistë për gazetën “Albania”, Zogaj analizon me detaje situatën aktuale politike, qëndrimin mohues të opozitës ndaj zgjedhjeve, kërkesën e vazhdueshme për transparencë, nismën për protesta masive, rolin e kryeministrit Berisha dhe atë të presidentit Topi në një situatë të tillë. Zogaj mendon ndryshe nga sa deklarohet si nga përfaqësues të maxhorancës, ashtu dhe nga faktori ndërkombëtar në Shqipëri përsa u përket protestave të opozitës apo bojkotit që PS-ja i ka bërë Kuvendit, që sipas tyre, ndikojnë në proceset integruese të Shqipërisë. Përkundrazi, shprehet Zogaj, protestat për votën lartësojnë imazhin e vendit. Ish-deputeti i PD-së e përkrah bojkotin e Kuvendit nga opozita duke u shprehur se edhe në raportin e OSBE-së kishte material të bollshëm që vërteton qëndrimin dhe kërkesën e vazhdueshme të PS-së për transparencën e zgjedhjeve. Zogaj shprehet si qëndrim i PS-së nuk erdhi kurrsesi si një pretekst i Ramës për t’u rizgjedhur sërish në krye të opozitës, përkundrazi, rizgjedhja e Ramës tani më shumë se kurrë i jep mundësinë atij, por dhe të gjithë PS-së, të vendosin në vend të drejtën e Shqipërisë për të realizuar zgjedhje sipas standardeve, ku të mos dhunohen ligjet. Më tej Zogaj shprehet se Presidenti i Republikës, në një situatë të tillë, e ka të gjithë avantazhin për të qenë në krye të detyrës edhe nëse dikush përpiqet ta bëjë atë inekzistent. Zogaj gjithashtu komenton qeverinë e re të Berishës, rikthimin e të larguarve në qeveri për të cilët shprehet se nuk janë aty për shkak të aftësisë, por për shkak të konformizmit në maksimum me autoritarizmin e ri të Berishës.

Zoti Zogaj, duke u nisur nga ajo që përbën lajmin e parë të ditëve të fundit, bojkoti i opozitës, së pari mendoni se zgjedhjet u manipuluan ashtu sikurse deklaron kreu i PS-së?
Në lidhje me zgjedhjet, referimi kryesor mbetet raporti i vëzhguesve të autorizuar ndërkombëtarë. Ky raport, siç e dini, ka “material” për të gjithë: edhe për qeverinë, edhe për opozitën, edhe për vetë OSBE-në, që ka hapur një front të ri pune me mbi tridhjetë rekomandimet që shoqërojnë raportin. Por, siç themi ne në gazetari, lajmi nuk është kur qeni kafshon njeriun, por kur njeriu kafshon qenin. Për analogji, lajmi në zgjedhjet e 28 qershorit është numërimi i keq dhe shumë i keq në një të tretën e qendrave të numërimit, shkelja e dispozitave të Kodit në lidhje me rolin e administratës, me financimet, me shpërndarjen e kohës televizive dhe, kryesorja, dhunimi i nenit të garantimit, që u njeh të drejtën dy anëtarëve të KQZ-së të hapin kuti votimi. Të gjitha këto, në kushtet e një rezultati të barabartë në numër votash dhe shumë të përafërt në numër mandatesh, përligjin të drejtën apo merakun e opozitës për transparencë, për hapjen e kutive, kërkesë e cila me kalimin e ditëve ka fituar vlerën e një misioni për të vendosur njëherë e mirë në Shqipëri standardin e kutive të hapura.

A është bojkoti rruga e vetme për të vendosur në vend të vërtetën?
Dhunimi flagrant i nenit të votuar me tre të pestat, që lejon hapjen e kutive, ka krijuar një situatë të paprecedentë në Shqipëri. Bojkotet e mëparshme të PD-së janë realizuar si shprehje e denoncimit të manipulimeve të llojeve të ndryshme, përfshirë gjykimet e vlerësuara si të njëanshme nga ana e gjykatave. Në rastin e PS-së kemi “heqjen” de fakto nga Kodi të nenit të garantimit, që ajo e ka pas siguruar kundrejt lëshimeve përkatëse. E gjitha kjo shëmbëllen me një sjellje kaçakësh. Mendoj se bojkoti u ndërmor për të vënë në dukje gravitetin e këtij akti të pashembullt në një shtet ligjor. Prej këtu, problemi i hapjes së kutive filloi të merrte përmasat që mori.

A mendoni se tani që u votua kryetar partie, zoti Rama mund të mos e zgjasë shumë bojkotin?
Ka pasur një opinion sikur bojkoti ishte karta e Ramës për t’u rizgjedhur. Unë nuk e di sa e vërtetë është kjo, por nga vota plebishitare që mori me parimin “një anëtar, një votë”, tani, objektivisht, ai është “peng” i opsionit të tij. Sepse ia kanë miratuar mbi nëntëdhjetë për qind e pjesëmarrësve në votim. Në këto kushte, ai nuk mund të kthehet duarbosh në Kuvend.

Çfarë duhet bërë në mënyrë që të gjendet një zgjidhje përsa u përket kushteve të PS-së dhe dhënies fund të bojkotit?
Me lejoni t’ju them se ky nuk është problemi im dhe prandaj s’kam përse ta vras mendjen se ç’duhet bërë. Nuk jam palë, nuk jam as arbitër, nuk jam as në kushtet që duhet t’i jap mendime apo këshilla kryeministrit, personit që për shkak të postit që mban ka detyrimin politik dhe etik të formulojë një përgjigje shteruese dhe serioze për kërkesat e opozitës. Brenda kredos sime politike dhe intelektuale njëzetvjeçare, unë kam mbështetur dhe mbështes kërkesën e PS-së për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe lidhur me to, krijimin e standardit të kutive të hapura. Kjo është thelbësore për çlirimin e zgjedhjeve dhe demokracisë nga informaliteti dhe arbitrariteti. Një krim që mbyllet në kuti për të mos u hapur e ndëshkuar kurrë s’ka përse të mos përsëritet nga zgjedhjet në zgjedhje.

Në një situatë të tillë politike, si e shikoni qëndrimin e Presidentit të Republikës?
Vështruar nga jashtë, pra nga ajo që duket, Presidenti Topi ka mbajtur ato qëndrime që burojnë nga korniza e kompetencave dhe e hapësirës ku e zhvillon veprimtarinë e tij Presidenti i Republikës së Shqipërisë, por edhe nga backgroundi i tij politik i qendrës së djathtë. Presidenti nuk është automat, apo jo? Përtej kësaj, mua më duket se Presidenti i Republikës në Shqipëri nuk e ka të lehtë, madje e ka gjithnjë e më të vështirë të demonstrojë dhe afirmojë tiparet e një posti autentik dhe me peshë. Partitokracia që i është mbivendosur shtetit ligjor në Shqipëri e “fut në mes” edhe Presidentin, duke dashur ta bëjë sa më honorifik, sa më flu. Nga ana tjetër, si të mos mjaftonte kjo gjendje e krijuar përgjatë viteve, Presidenti Topi, sipas mendimit tim, është i shtrënguar të jetojë midis realitetesh kontradiktore, që e kufizojnë edhe më marzhin e tij të veprimit.

Për çfarë është fjala? A mund të na thoni diçka më konkrete?
Më konkrete? Po marr si shembull atë që përbën edhe “nyjën e intrigës” të përplasjeve të fundit politike mes qeverisë dhe opozitës. E kemi parë të gjithë se Partia Socialiste i ka mbështetur dhe i mbështet këto qëndrime të moszbatimi prej KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor i nenit që garanton hapjen e kutive me kërkesën e dy anëtarëve të KQZ-së. Mund të themi se në këtë nen përmblidhet vetë historia e konsensusit për reformën zgjedhore. Por del dikush apo disa në këtë vend që paskan mundësi të dalin mbi ligjin e miratuar me tre të pestat nga Kuvendi. Këtu nuk jemi më në një marrëdhënie politike që ftillohet e kapërcehet me dialog e më the e të thashë. Jeni në marrëdhënien e shkeljes flagrante të ligjit në një anë, të një cinizmi dhe mashtrimi të ulët në anën tjetër. Duhet të rrimë shtrembër e të flasim drejt, thotë populli. E drejta është të mos shohim vetëm nga vetja, çfarë na intereson për vete, por të shohim edhe nga pala tjetër. Këtu mendoj unë kishte një hapësirë për prononcim nga Presidenti. Ai mund të ketë thënë fjalën e vet jashtë kamerave, unë nuk kam dijeni. Por, kam përshtypjen se në këtë rast presidenti rezervohet nga të gjithë, një qasje politike e vjetruar dhe pa respekt, që nuk e njeh pavarësinë e Presidentit, që lexon në çdo veprim e fjalë të tij shprehjen e anësisë politike, dhe jo pozicionin e tij institucional në mbrojtje të ligjit.

Ju jeni një prej atyre që e keni votuar presidentin Topi. A keni pritur më shumë prej tij?
E kam votuar në tri raunde; në të parin, të dytin dhe të katërtin, dhe e kam votuar për shkak të stimës konstante për figurën e tij, por nuk e kam parë me entuziazëm ambicien e tij presidenciale, gjë që e kam shprehur që në atë kohë. Ai kishte peshë të veçantë në PD, gëzonte në çdo testim kuota shumë të larta popullariteti, më dukej e pakëshillueshme që një politikan që pritej të thoshte gjithnjë e më fort fjalën e vet në politikën e së djathtës, të ngjitej drejt një institucioni ndërpolitik dhe ende mjaft të paragjykuar. Do të kisha qenë i lumtur të gjeja në fushëveprimin e Presidentit përgënjeshtrimin e skepticizmit tim për hapësirën e ngushtuar të këtij institucioni.

A është përsëri e nevojshme ndërhyrja e tij?
Duhet parë si do të shkojnë gjërat në këtë përplasjen për hapjen e kutive. Por posti i Presidentit është i pazëvendësueshëm. Edhe nëse dikush kërkon të bëjë inekzistent, Presidenti e ka këtë avantazh, që nevojat e gjejnë gjithnjë në krye të detyrës.

Ju keni qenë kryetar i Komisionit të Politikës së Jashtme. Sa do të ndikojë në proceset integruese të Shqipërisë bojkoti që opozita i ka bërë Kuvendit dhe mosnjohja e rezultatit të zgjedhjeve nga ana e saj, aq më tepër imazhet që paraqesin Shqipërinë në protesta të vazhdueshme?
Proceset integruese janë sinonimi i proceseve demokratike dhe themeli i tyre mbeten gjithmonë zgjedhjet e lira, të ndershme dhe të barabarta. Ne jemi vonuar në këtë udhëtim sepse nuk kemi bërë zgjedhje të lira e të ndershme dhe do të vonohemi sërish derisa të dalim nga spiralja e parregullsive, hermetizmit dhe arbitraritetit. Në këtë kuptim, përpjekjet për të ndryshuar këtë gjendje vetëm e përshpejtojnë integrimin e vendit në Europë, e lartësojnë imazhin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në sytë e opinionit publik dhe politik perëndimor. Protestat pa motiv apo me motive të kërkuara kalojnë pa jehonë dhe kthehen në bumerang për organizatorët. Protestat me eksese, me vjedhje pronash e të tjera si këto, sigurisht që e ulin imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kurse protestat që ndizen për probleme madhore të demokracisë janë krejt tjetër. Ato vetëm e afirmojnë dhe e mbrojnë demokracinë. A ju kujtohet me sa admirim janë përcjellë në Europë dhe këtu në Shqipëri protestat popullore për votën e lirë në Gjeorgji, në Ukrainë etj.? Sipas bindjes sime, qytetarët e këtyre vendeve dhe vetë politika e këtyre vendeve siguroi me këto akte të larta një kartëvizitë vëllazërimi me kombet e lira që nuk e kishte siguruar dot me mjetet e tjera. Dua të them këtë që: po të kenë motiv të besueshëm dhe po të organizohen në mënyrë civile, protestat bëjnë atë që parlamenteve u duhen muaj e madje vite ta bëjnë. Përvoja shqiptare tregon se edhe dialogu që imponohet apo buron nga protestat qytetare ka gjithnjë më pak frymë pazaresh se ai që buron nga kulisat.

Pra ju mendoni se nuk e prishin imazhin e Shqipërisë protestat e opozitës, për atë që ajo e quan transparencë e zgjedhjeve?
Ne sjellim përvoja dhe japim konsiderata duke u nisur nga çfarë lexojmë e shohim në Europë, nga çfarë kemi jetuar në Shqipëri gjatë këtyre viteve, nga impakti që kanë pasur protestat e mëparshme. Nisur nga të gjitha këto unë them se protestat për votën e lirë e lartësojnë imazhin e vendit. Në përgjithësi, manifestimi i lirive politike ku bëjnë pjesë liria e grumbullimit dhe protestës, mendoj se i bëjnë mirë imazhit të shqiptarëve në Europë. Sepse duhet ta dimë: ne kemi qenë populli më i shtypur i komunizmit. Kemi pasur komunizmin me të egër, e vërtetë. Por bota, që nuk futet në të thella kur është fjala për çështjen e imazhit, ka krijuar përshtypjen e një populli të frustruar, të shtypur. Lidhur me këtë përshtypje është edhe përshtypja tjetër e krijuar nga eksodet e famshme, sikur jemi një popull që duan t’ia mbathim prej këtu, sikur po presim që dikush do të vijë të na marrë. Protestat për votën e lirë, për punë, për kushte, për dinjitet, tregojnë të kundërtën: tregojnë se njerëzit janë të lirë dhe duan të ndërtojnë jetën e tyre këtu.

Po për çështjen e vizave, a mendoni se po ndikon për keq bojkoti dhe protestat e opozitës?
Zgjedhjet dhe problematika e tyre nuk janë pjesë e Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Udhërrëfyesi i është dhënë Shqipërisë përpara zgjedhjeve. Kushtet janë shumë të qarta. Pasaportat biometrike, kontrolli i integruar i kufijve, lufta kundër korrupsionit, gjendja e të drejtave etj. Vlerësimi për plotësimin e kushteve bëhet pavarësisht nga zgjedhjet dhe problematika e tyre. Kështu është e vërteta. S’ka arsye për t’i ngatërruar stacionet. Përveç kushteve të Udhëzuesit, në këtë çështje ndikojnë ndjeshëm edhe testimet në lidhje me predispozitën e qytetarëve të vendeve kandidate për t’u larguar nga vendi i tyre. Testime të tilla nuk i kemi pasur në favor. Por, t’u japësh europianëve mesazhin se duam të ndërtojnë jetën tonë këtu, ky është një mesazh i fuqishëm për liberalizimin e vizave.

Disa media kanë shkruar se partitë e djathta joparlamentare mund të jenë përkrah liderëve të së majtës në krye të protestave. Sa e vërtetë është kjo?
Nuk jam në dijeni. Nuk besoj. Partitë e djathta joparlamentare si PDK, LZHK dhe PLD mbështesin kërkesën për transparencë dhe hapjen e kutive, por protestat janë organizuar nga partitë e majta.

Të kthehemi te qeveria e re e Berishës, pjesë e së cilës janë figura të PD-së, “bashkudhëtarët” tuaj në këtë parti. Si e shikoni qeverinë e re, rikthimin e të larguarve nga PD-ja dhe si ndiheni që nuk jeni pjesë e PD-së?
Berisha përdor disa kritere të vetat në ndërtimin e kabinetit, ku kriteri i aftësisë përdoret me raste. Historia e rikthimit të të larguarve nuk është, sipas meje, ashtu siç tregohet, ose nuk tregohet ashtu siç është. Në pritje për t’u ndalur më gjatë te kjo çështje, sot mund të them se disa nga të larguarit u kthyen jo sepse arritën në përfundimin se rikthimi ishte një imperativ për fatin e rrezikuar të PD-së në opozitë, por sepse dështuan në mëtimet e tyre të gjithfarëllojshme, deri te mëtimi për të hedhur në erë PD-në. Berisha që i thirri e dinte mirë këtë. Ai kishte nevojë të rregullonte vitrinën e ndryshimit me këta të rikthyer. E thoshte mirë Fatos Lubonja në një artikull të para disa ditëve. Nuk është e re të marrësh në qeveri ish-kundërshtarë që janë konformuar më shumë se ata që nuk kanë qenë ndonjëherë kundërshtarë. Emërimet e disa ish-kundërshtarëve, të cilët kanë kaluar me sukses testin disavjeçar të konformimit dhe pajtimit me autoritarizmin e ri të Berishës, janë në të vërtetë edhe ironia e këtij të fundit me opozitarizmin e tyre rastësor, rrethanor, të rremë apo të porositur dikur. Këtu do të doja të veçoja rastin e Arben Imamit, me të cilin kemi një histori të gjatë bashkudhëtimi, siç thoni ju. E kam uruar Imamin, ai është një politikan me integritet të lartë, por djalli e mori, edhe kur u thirr në qeveri nga Meta në vitin 2000, edhe tani që u thirr nga Berisha, ka qëlluar që unë të mos jem në marrëdhënie të mira me këta dy kryeministra. Do të kisha preferuar që miku im Imami të thirrej në qeveri duke qenë edhe unë në marrëdhënien e një respekti të ndërsjellë me kryeministrin.

Së fundi, flitet se keni zhvilluar një takim me kreun e PDK-së, Nard Ndoka. Cila ka qenë tema e bisedës; mos vallë kjo parti bën pjesë në axhendën tuaj politike në të ardhmen?
Me Nard Ndokën takohemi prej vitesh. Herën e fundit biseduam për rileximin që PDK-ja po u bën filmimeve të numërimit të votave në qarkun e Shkodrës. Mendoj se kjo parti ka zgjedhur një rrugë origjinale për të verifikuar dyshimet e saj në lidhje me trafikun dhe vjedhjen e votës. PDK-ja po vë në lëvizje edhe organet e Drejtësisë me manipulimet e rënda që ka zbuluar gjatë rileximit. Sërish mjedisi politik dhe organet e Drejtësisë do të vihen në provën e reagimit. Nëse heshtet edhe për vjedhjet me një dorë të votave apo për përdhunimin e përfaqësimit me stilolaps, siç them unë, atëherë lind pyetja: përse janë bërë filmimet?
Më tej, ju e dini se jemi në një varkë me zotin Ndoka, sikurse me zotin Ngjela dhe me zotin Shehi përsa u përket shqetësimeve tona politike për sot dhe për nesër. Ne diskutojmë se çfarë duhet të ndërtojmë për t’i dhënë zë dhe përfaqësim elektoratit që mbështet idetë dhe sjelljen tonë. Por unë nuk jam anëtar i ndonjë partie. Sa i takon partitizmit, jam thjesht një themelues i PD-së, që herë thirrem e herë dal tepër në atë parti. Tesera s’kam pasur kurrë.

5 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›