E Diel, 1 Nëntor 2026

Problemet në KESH, jep dorëheqjen nga drejtimi i Koorporatës Gjegj Bojaxhi

Largimi i Bojaxhi vjen një ditë pas shkarkimit të Këshillit Mbikëqyrës. Objektivat në punën e tij ish-drejtori i KESH-it i konsideroi të realizuara

Ervin KOÇI

Problemet e shumta të konstatuara pas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi abuzimet që janë bërë në Koorporatën Elektroenergjetike Shqiptare, kanë larguar nga detyra drejtorin e saj Gjergj Bojaxhi. Vetëm një ditë pasi ministri i Energjetikës, Dritan Prifti, shkarkoi nga detyra të gjithë Këshillin Mbikëqyrës të KESH-it, dhe më pas emëroi kryetarin dhe anëtarët e rinj në krye të këtij organi drejtues, ka ardhur dorëheqja e drejtorit Bojaxhi. KLSH-ja ka konstatuar shumë shkelje dhe abuzime me ligjin dhe fondet publike në KESH dhe ka kërkuar masa të rrepta për Këshillin Mbikëqyrës dhe drejtues të tjerë të KESH-it. Ministri Prifti kërkoi që në mbledhjen e parë të organit drejtues të shoqërisë, analizimin me përgjegjësi të konkluzioneve të Kontrollit të Lartë të Shtetit si dhe marrjen e masave të nevojshme për mbarëvajtjen e administrimit të shoqërisë. Këshilli Mbikëqyrës i sapoemëruar i shoqërisë ka në përbërje të tij personalitete të njohura të ekonomisë, energjetikës dhe akademisë. Në mbledhjen e tij të parë, Këshilli Mbikëqyrës zgjodhi si kryetar Pjetër Demën, i cili ka një eksperiencë të gjatë në sektorin e energjisë. Kjo situatë e krijuar brenda KESH-it duket të ketë qenë dhe shkaku kryesor i dorëheqjes së drejtorit Bojaxhi .

Dorëheqja

"M'u kërkua sigurimi i energjisë 24 orë, privatizimi dhe mirëmenaxhimi i KESH-it. Me realizimin e tyre, misioni im u përmbyll",- kështu u shpreh Gjergj Bojaxhi përpara mediave dje teksa bëri publik vendimin për dorëheqjen e tij nga posti i kreut të KESH-it.
Misioni që ju ngarkua 2 vjet më parë bëri që Bojaxhi të jetë një prej drejtuesve që përjetoi dhe ndryshimet më të mëdha në këtë Koorporatë. “Vendosa të jap dorëheqjen pasi pikësynimet e mia u përmbushën, ato ishin furnizimi me energji elektrike 24 orë, përmirësimi i gjendjes financiare të KESH-it, dhe qëllimin kryesor shitjen e operatorit të sistemit të shpërndarjes OSSH të cilin e arritëm. Në këto kushte mendoj se nuk kam ç’të jap më në KESH, misionin e quaj të mbyllur dhe prandaj largohem”, - tha Bojaxhi duke i quajtur këto si motive për largimin e tij nga posti i drejtorit të KESH. Qeveria ka pasur prioritet drita në 24 orë gjë për të cilën Bojaxhi ka deklaruar se është arritur.

Zëvendësimi

Pas dorëheqjes së menjëhershme të kreut të KESH-it Bojaxhi, nga detyra që ai mbante, akoma nuk dihet se kush do të jetë emri që do të zëvendësojë postin e tij. Por ndonëse asgjë nuk është konfirmuar ende, thashethemet e para kanë qarkulluar për postin që mund të zërë në vazhdim drejtori i porsadorëhequr i KESH-it. Zëra të pakonfirmuar thonë se Bojaxhi mund të emërohet në krye të Doganave shqiptare, por nuk mungojnë as ato zëra që thonë se “ai mund të vihet në detyrën e drejtorit të ri të kabinetit të Kryeministrit Berisha”. Por ashtu si arsyet e vërteta të dorëheqjes së kreut të KESH-it nga detyra edhe posti i ri që ai mund të zërë në administratë, mbeten për t’u zbardhur në ditët në vijim.

5 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›