Gjenden të vdekura nënë e bijë, dyshohet helmimi nga ushqimet
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në komunën Shën Gjergj në Tiranë, kur nënë e bijë, Xhile Sila dhe Burbuqe Pepo, 70 dhe 42 vjeçe, janë gjetur të vdekura nga fqinjët. Për ngjarjen u lajmërua policia, e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes. Burime nga policia thanë se në banesë nuk kishte pjesëtarë të tjerë të familjes në momentin që dy femrat kanë vdekur. Trupat e tyre të pajetë janë gjetur nga fqinjët ditën e djeshme, të cilët kanë dhënë menjëherë alarmin. Hetuesit e zyrës së vrasjeve të Policisë së Tiranës kanë rrethuar menjëherë banesën e viktimave, ndërsa kanë bërë këqyrjen e provave. Në trupin e viktimave nuk janë konstatuar shenja dhune, ndërsa policia ka përqendruar hetimet në dy pista kryesore për të zbardhur rrethanat e vdekjes së tyre. “Policia dyshon se nënë e bijë mund të jenë vetëhelmuar dhe për të verifikuar këtë dyshim pritet autopsia dhe marrja në pyetje e familjarëve të viktimave. Por, një tjetër pistë hetimi, është ajo e një helmimi nga pakujdesia, ndaj dhe policia ka bllokuar ushqimet që kanë konsumuar nënë e bijë”, - thanë burime nga policia. Trupat e pajetë janë transportuar drejt morgut të Spitalit të Tiranës për ekzaminime të mëtejshme, ndërsa policia po vazhdon hetimet.
Vetëm një muaj më parë, në Lushnjë, një 60-vjeçare ka humbur jetën, kurse bashkëshorti i saj ndodhet në gjendje të rëndë pas konsumit të ushqimit. Edhe për këtë rast dyshimet e mjekëve janë helmim shkaktuar nga konsumi i ushqimit. Kjo ngjarje ka ndodhur në fshatin Çerm-Sektor të rrethit të Lushnjës dhe viktimë është Zoje Hida, e cila ndërroi jetë pak kohë pas konsumit të mëngjesit dhe rëndë mbeti bashkëshorti i saj, Ramazan Hida.
Ata janë zgjuar herët në mëngjes për të ngrënë syfyrin, pasi kanë qenë me agjërim, por pak kohë pas kësaj janë ndjerë keq. I biri, që ndodhej në shtëpi së bashku me ta, i ka dërguar me urgjencë në spital, por, me gjithë ndihmën, gruaja nuk ka arritur të shpëtojë. Mjekët kanë pohuar se janë marrë kampione ushqimesh dhe janë dërguar për analizë në Laboratorin Toksikologjik në kryeqytet.
5 Tetor 2009