E Diel, 1 Nëntor 2026

Okulisja Zana Zhuka: Glaukoma, sëmundja shpesh tinzare, që çon në verbim

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Drita e syve na është dhënë për ta ruajtur për gjithë jetën. Por, shpesh, edhe kjo pasuri e madhe nuk ruhet me kujdesin e duhur. Njerëz që paraqiten fatalisht me vonesë tek mjeku, të prekur nga glaukoma- një nga sëmundjet që shkakton humbje të shikimit deri në verbim, tashmë janë pjesë e atyre që konsiderohen invalidë. Shpesh, kjo shihet si një fatkeqësi e lindur nga të tjerët, askush nuk mendon se ai vetë mund të jetë fatkeqi i radhës. Por, mjekja okuliste e Poliklinikës Qendrore nr,3, Suzana Zhuka paralajmëron se sëmundja kërcënon që pas moshës 40-vjeçare dhe prek 2% të popullsisë. Ne do tju ftonim ti nënshtroheshit një vizite që nuk ju kushton asgjë. Zana Zhuka është një nga mjekët, që veç të tjerash, njihet për ekzaminimin e kujdesshëm dhe që nuk kërkon shpërblime nga pacientët e saj.

-Doktoreshë Zana, kemi dëgjuar që glaukoma është një sëmundje që shkakton humbje të shikimit. Çfarë është glaukoma? A është një sëmundje e mirëfilltë apo manifestim i ndonjë sëmundjeje tjetër?
Glaukoma është një sëmundje problematike në të gjithë botën dhe prek 2% të popullatës pas moshës 40-vjeçare. Ajo ka karakter trashëgues dhe është multifaktoriale, prek të dy sytë. Prandaj ka shumë rëndësi që të njihet ky fakt nga të gjithë njerëzit. Mosnjohja e kësaj sëmundjeje, shenjat e fshehta që ajo ka, rrezikojnë të dëmtojnë nervin optik dhe të shkaktojnë një deficit të madh në fushën pamore, që ne i themi fusha vizive, deri në verbim të plotë të pacientit, nëse nuk mjekohet.

-Dhe si ndodh e pse ndodh që dëmtohet nervi optik?
Nervi optic, që është nervi i të parit, ndodh që të dëmtohet për shkak të disa fibrave, ka të bëjë me fiziopatologjinë e ndërtimit anatomik në nervit optik, me vuajtjen e disa fibrave optik kapilar dhe çrregullim të qarkullimit të vazave që ushqejnë kokën e nervit optik.

-Lexuesi do të dijë thjesht, përse më demtohet nervi optic”? A ka në dorë ai të bëjë diçka dhe a ka shenja të dukshme sëmundja?
Nuk ka. Por kemi disa lloje glaukomash, si glaukoma me kënd të hapur që kap 2% të popullatës dhe pacientit nuk i jep asjëlloj shenje. Në këtë lloj nuk ka shenja të mirëfillta. E vetmja gjë që duhet të bëjë pacienti pas moshës 40-vjeçare, është të bëjë një kontroll rutinë, pa pritur të shfaqen shenjat. Ndërsa glaukoma me kënd të mbyllur ka disa shenja që mund të jenë; Pacienti ka dhimbje të forta të syve, shikon rrathë ylberorë përpara dritës, ka dhimbje koke frontale në pjesën e vetullës, ka nauze (të përziera ose të vjella). Ë këtë rast, pacienti duhet të vijë urgjent te okulisti sepse kjo quhet krizë glaukomatoze.

-Shkaktohet glaukoma nga aksidentet, goditjet? A ka lidhje me trashëgiminë apo me sëmundje të tjera?
Jo, nuk lidhet me aksidente. Por, është e trashëgueshme, prandaj anamneza familjare ka shumë rëndësi, sepse, nëse të afërmit, sidomos prindërit janë me glaukomë, ka gjasa që edhe fëmija të preket. Ndërkaq, glaukoma ka lidhje me sëmundje si diabeti. Të sëmurët diabetikë, të sëmurët me probleme ishemike, ata që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare, ata që kanë yndyrnat të larta në gjak, ata që vuajnë nga insuficenca e karotideve dhe të sëmurët që përdorin për një kohë të gjatë kortikosteroide (kortizone) janë të rrezikuar nga glaukoma.

-Doktoreshë, çfarë është insuficenca karotide?
Ka të bëjë me enët e gjakut, që ndodhen në pjesën e qafës që quhen arterie karotide. Pamjaftueshmëria e tyrë çon në mosushqyerjen e retinës që është shtresa e fundit e syrit. Duhet të them se prek më shumë meshkujt se femrat. Diagnoza e saktë vihet nga mjeku okulist

-Nëse syri preket nga glaukoma, a mund të shpëtohet shikimi? Dhe nëse po, sa % e shikimit mund të shpëtohet?
Nëse kapet në fazën fillestare, glaukoma trajtohet shumë mirë. Ka medikamente antiglaukomatoze që bashkë me një ndjekje të rregullt tek mjeku okulist (tek ne ekziston kabineti i glaukomës, ku të gjithë pacientët e diagnostikuar janë të kartelizuar), ndalin përparimin e verbimit.

-Pra, kaq e rëndësishme qenka kjo sëmundje, sa ekziston edhe një kabinet i veçantë për të?
Po, pikërisht. Në poliklinikën tonë është ky kabinet i glaukomës, ku kemi të kartelizuar 600 pacientë (vetëm unë si mjeke për zonën time) dhe që i ndjekim çdo muaj. Është sëmundje shumë e përhapur dhe për këtë është caktuar një ditë botërore që është 12 marsi: Dita Botërore e Glaukomës. Meqenëse këtu tek ne nuk i është dhënë rëndësi si në botë, do të doja që nëpërmjet kësaj interviste të sensibilizoja njerëzit që të kujdesen në kohë për të shpëtuar shikimin e tyre.

-Kemi dëgjuar se tek disa njerëz, tensioni i lartë sjell komplikime te sytë. A është ky rasti i glaukomës apo tjetër?
Kemi dy situata: Kemi glaukomë që ka të bëjë me dëmtimin e nervit të të parit dhe me hipertension okular. Hipertensioni okular jo në të gjitha rastet mjekohet.

-Të prekurve nga glaukoma çfarë u këshillohet?
Ne u këshillojmë kontrollin e rregullt të tensionit intraocular të brendshëm të syrit një herë në muaj, bërjen e fushës pamore një herë në 6 muaj, kontrollin e rregullt tek okulisti dhe mjekimin me barna antiglaukomatoze çdo ditë. Ky mjekim vazhdon gjithë jetën, nuk ndërpritet.

-A mund të lexojnë normalisht, të punojnë në kompjuter apo të shohin televizor të sëmurët me glaukomë njësoj si njerëzit e tjerë? A ka ndikim fluksi i dritës apo terri mbi shëndetin e syve të tyre?
Një i sëmurë me glaukomë mund të bëjë jetën që bën çdo njeri, mund të punojë në kompjuter të shohë TV etj, por normalisht, edhe një person që nuk vuan nga glaukoma duhet të zbatojë rregullat e higjienës së të parit. Por i sëmuri duhet të jetë më strikt për ti zbatuar, ndërkohë që të tjerët i neglizhojnë.

-A ndikojnë infeksionet e ndryshme apo një grip i zakonshëm? A japin komlikacione në sy?
Dhe a ndikojnë specifikisht mbi glaukomën?
Ka infeksione që ndikojnë në sy. Ka disa lloje diagnozash që japin infeksione në sy, si pluhurat e ambientit që japin konjitivitete- shumë të përhaçura. Janë edhe alergjitë e syve që hasen kryersisht në stinën e pranverës. Pastaj në stinën e verës infeksionet e syve hasen shumë më shpesh për shkak të larjes në pishina apo në ujëra të tjera të ndotura. Këto infeksione, në rast se nuk trajtohen, mund të japin komplikacione, dëmtojnë xhamin e syrit, japin turbullim të shikimit. Keratitet bakteriale dhe virale janë infeksionet e xhamit të syrit. Por nuk është se shkaktojnë glaukomë.

-Po kimikatet me të cilat njerëzit punojnë, a kanë ndikim mbi shëndetin e syve dhe a mund të jenë faktorë ndihmës në shfaqjen e glaukomës?
Njerëzit që janë më të ekspozuar ndaj kimikateve me të cilat punojnë, janë më të ekspozuar ndaj dëmtimeve të shtresës së jashtme të syrit, por jo të shtresave të thella që të ndikojnë në glaukomë.

-A ka porosi shpëtimtare për të mos u prekur nga glaukoma?
Absolutisht nuk ka asnjë porosi të tillë, përveç kontrollit pas moshës 40 vjeç, pa asnjë lloj ankese, sepse e thashë që glaukoma shpesh zhvillohet fshehtazi. Unë shoh megjithatë, se në këtë 5-vjeçar të fundit njerëzit kanë më shumë informacion dhe ka pacientë që vijnë të kontrollojnë sytë, pa pasur asnjë shqetësim. Më thonë: “Doktoreshë nuk ndiej shqetësim, por thjesht kam ardhur të mas tensionin e syrit”. Natyrisht, këta nuk janë shumica, por po shtohen. Po na shtohen pacientët të cilët kanë informacion, futen dhe lexojnë në internet dhe kjo është e dobishme, rrit kulturën shëndetësore dhe vëmendjen për shëndetin.

-Shpesh flitet për ndikimin shërues apo ndihmues që kanë ushqimet e ndryshme në shëndetin e njeriut. A ka ushqime me ndonjë vlerë të veçantë për sytë dhe për rastin e glaukomës?
Për glaukomën nuk ka ndonjë ushqim të veçantë, por për sytë ka ushqime që janë specifike, që kanë vitamina që ushqejnë retinën, si karoteni. Ushqimet që ne u rekomandojmë të sëmurëve me probleme të syve, që nuk kanë shikim të pastër janë karota, peshku dhe veza (e verdha).

-Prekja e syve, fërkimi i tyre me duar të palara apo përdorimi i rimelave etj, influencojnë sëmundjen e glaukomës?
Jo, ato vetëm sa shkaktojnë infeksione. Pra pacientit përveç glaukomës, i mbivendoset në sy edhe një infeksion, që nuk është mirë për të, pasi ai është duke marrë medikamente antiglaukomatoze dhe nuk do të ishte mirë të rëndohej edhe me medikamente te tjera.

Ky lajm është publikuar: 21/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›