E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta Minatorët përplasen me policinë para Kryeministrisë

Autori i Lajmit: S. Topi
Minatorët kanë protestuar dje para Kryeministrisë. Të mbledhur para godinës së Ekzekutivit ata kanë kërkuar të drejtat e tyre të cilat tashmë kanë muaj që janë bërë të njohura. Por protesta është shoqëruar dhe me përplasje me policinë. Minatorët pas skadimit të një afati që i kishin lënë Kryeministrit për përgjigje, tentuan të hynin me forcë në godinën e Kryeministrisë. Në këtë moment ata kanë hasur në rezistencën e forcave të shumta të policisë duke u përplasur dhe fizikisht me ta. Minatorët kërkuan miratimin e statusit të minatorit që sipas përfaqësuesve të sindikatës pritet të zgjidhë përfundimisht kërkesat ekonomike të punonjësve të nëntokës për pension deri në moshën 50 vjeç me 10 vite pune, me një shumë prej 20 mijë lekë të reja.
Përplasja
Protesta e djeshme e minatorëve është shoqëruar dhe me incidente. Ata kërkuan me ngulm takim me Kryeministrin duke i lënë afat deri në mesditë. Gjatë kësaj kohe janë shtuar forcat e policisë përreth godinës së Kryeministrisë. Institucioni është rrethuar me 4 kordona policie ndërsa ushtarake të armatosur janë vendosur dhe në tarracën e godinës së Qeverisë. Dhe kur afati i caktuar skadoi minatorët tentuan të hynin me forcë në godinën e Kryeministrisë. Disa minatorë nuk janë ndalur dhe janë konfrontuar me policinë por pa rritur të depërtonin brenda godinës. Mësohet se policia ka shoqëruar disa prej minatorëve në polici. Kreu i shoqatës së minatorëve, Fiqiri Xibri pohoi dje se protesta e tyre nuk do të ndalet për sa kohë që nuk do të marrin përgjigje. “Ne do vazhdojmë të protestojmë deri në plotësimin e kërkesave që i kemi parashtruar qeverisë”, - tha ai. Xibri theksoi se një minator është shtruar në spital për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore pas konfrontimit me policinë. “Kemi persona që u rrahën, jo plagë të rënda, por dhuna ishte e pranishme”, - tha Xibri.
Kërkesat
Minatorët kërkojnë më shumë të drejta. Për plotësimin e kërkesave të tyre ata nisën dhe protestat para Kryeministrisë. Në mbështetje të minatorëve ka dalë edhe kreu i Konfederatës së Sindikatave. Kjo nuk është protesta e pare e minatorëve. Disa muaj më parë në vitin 2009 ata protestuan dhe kërkuan nga Qeveria që të miratojë statusin përfundimtar të minatorit, të rishikohet mosha e pensionit dhe pagat. Minatorët kërkojnë që të dalin në pension zyrtarisht në moshën 50 vjeç. Miratimi i statusit të minatorit, sipas përfaqësuesve të sindikatës pritet të zgjidhë përfundimisht kërkesat ekonomike të punonjësve të nëntokës për pension deri në moshën 50 vjeç me 10 vite pune, me një shumë prej 20 mijë lekë të reja. Në Korrik 2009, Qeveria miratoi ligjin për moshën e pensionit të minatorëve, që kufizon moshën e daljes në pension të kësaj kategorie nga 65 në 60 vjeç dhe vjetërsinë në punë nga 35 në 30 vjeç.

PS: Qeveria pension minatorëve në prag të vdekjes

Partia Socialiste reagoi menjëherë pas konfrontimit të përfaqësuesve të Shoqatës së Minatorëve me policinë para kryeministrisë në Tiranë. Deputeti i PS-së, Qemal Minxhozi tha se minatorët e gjithë Shqipërisë kërkonin premtimet e pa mbajtura të Qeverisë. “Si është e mundur që mosha e pensionit është në kufirin pranë vdekjes së tyre. Minatorët e kanë tepër të vështirë për të marr atë pension minimal, ata e kanë tepër të vështirë për të punuar në ato kushte të vështira pune, apo skandaloze, prandaj ata ishin plotësisht në të drejtat e tyre”,- tha deputeti i PS-së.

Ky lajm është publikuar: 21/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›