E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imami dhe Jovanoviç përplasen në Maqedoni për pavarësinë e Kosovës

Dy ministrat e Mbrojtjes, ai serb dhe ai shqiptar janë përplasur me deklarata rreth Kosovës në konferencën kushtuar NATO dhe integrimit të shteteve të Evropës Juglindore, që u mbajt në qytetin e Manastirit në Maqedoni. Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Drashko Jovanoviç,

ka thënë se vendi i tij do ta kundërshtojë fuqishëm pavarësinë e Kosovës. Serbia asnjëherë nuk do të njoh pavarësinë e Kosovës, por me rëndësi është që Serbia të shfrytëzoj mjetet politike dhe juridike që të mbrojë sovranitetin e saj. Me rëndësi është që këtë çështje ta vendosin në tavolinë dhe të bisedojmë për të , u shpreh ministri serb. Por, Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Arben Imami tha se pavarësia e Kosovës është realitet dhe ajo duhet të bëhet pjesë e strukturave euroatlantike. Mendoj se qëndrimi jonë është i qartë, nuk ka gjasa që Kosova të mbetet jashtë integrimeve euroatlantike. Shpresojmë se kjo do të ndodh sa më shpejt të jetë e mundur. Republika e Kosovës është realitet dhe kjo duhet të merret në konsideratë. Perspektiva e këtij vendi të ri të rajonit është e lidhur me integrimin euroatlantik, deklaroi Arben Imami. Në këtë konferencë të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë në koordinim me Qendrën Rajonale për bashkëpunim në sferën e sigurisë RAKVIAK, marrin pjesë ministrat e mbrojtjes të Shqipërisë, Arben Imami; Kroacisë, Branko Vukeliç; Sllovenisë Lubica Jellushiç; Turqisë Vexhdi Gonul, i Serbisë Drashko Jovanoviç, ndërsa Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina po përfaqësohen në nivel të zëvendësministrave dhe sekretarëve shtetëror të mbrojtjes. Rënia e NATO integrimeve të EJL si dhe zhvillimi i vizionit të përbashkët transatlantik është tema e kësaj konference. Në këtë konferencë nuk është ftuar ministri i mbrojtjes i Kosovës, Fehmi Mujota, apo ndonjë përfaqësues i lartë i mbrojtjes i këtij vendi. Në listën e pjesëmarrësve nuk figuronte Kosova. Mikpritës i takimit ishte ministri maqedonas i Mbrojtjes, Zoran Konjanovski. Temë kryesore e konferencës ishte rëndësia e integrimit të vendeve të rajonit në NATO, si dhe perspektiva rajonale. Maqedonia e vlerëson shumë të rëndësishëm një sensibilizim rajonal për integrimin në NATO, për shkak të vetos greke që ka bllokuar këtë proces pas mosmarrëveshjeve mes dy vendeve lidhur me emrin. Prishtina dy ditë më parë ka konfirmuar mospjesëmarrjen në konferencën rajonale të Manastirit, organizuar nga Ministria maqedonase e Mbrojtjes. Ministria e Forcës së Sigurisë la të kuptohet se kjo nuk do të ndryshojë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe në të ardhmen pritet që Kosovës ti hapet rruga për të qenë pjesë e takimeve të tilla rajonale. Më i ashpër tregohet aktivisti Behxhet Shala, i cili thotë se MFS ka bërë kërkesë në NATO që të jetë prezente në këto takime, fillimisht si vëzhguese dhe më pas të marrë statusin tjetër. Në fakt serbët kanë deklaruar më parë se nuk do të marrin pjesë në asnjë samit apo takim, ku Kosova do të marrë pjesë me emrin e saj. Nga ana tjetër, theksohet se Maqedonia nuk e kishte ftuar Kosovën të merrte pjesë në konferencën e Manastirit. Ministria e Mbrojtjes, organizatore e këtij evenimenti ftoi ministra dhe zëvendësministra nga të gjithë vendet e Evropës Juglindore. Qëllimi i konferencës ishte njehsimi i bashkëpunimit të vendeve të rajonit në fushën e sigurisë dhe afirmimi i vlerave të ushtrive të vendeve pjesëmarrëse. Në të pritet të marrin pjesë edhe delegacione të larta të NATO.

Last Updated on E Hene, 31 Maj 2010 20:04

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›