Lin Delija vjen thjesht si artist

Ekspozita "Rrugëtime paralele" e Lin Delisë hapet më 3 qershor në Muzeun Historik Kombëtar. Hera e parë në atdhe me një seri antologjike në pikturë
Ka 16 vjet që Lin Delija nuk jeton më dhe prania e tij është po aq e dukshme sa e një të gjalli. Dikush që e kishte njohur nga afër ka treguar se si pas vdekjes ka shpërthyer interesi për veprën e Delisë, nga koleksionistë, manaxherë arti, që tani kanë përballë tablo që "s'dihet në ç'cepe ishin futur dhe që mund të jenë shitur dikur për një piatë supë a për një palë këpucë. Këta teveqelë nuk kanë blerë një tablo prej tij sa ishte gjallë."
Pasi ndërroi jetë në Romë më 9 prill 1994, u krijua një muze në Androdoko dhe një shoqatë me emrin e tij. Galerisë Kombëtare në Tiranë iu dhuruan 27 vepra të tij që nuk janë ekspozuar ndonjëherë.
Së fundi, më 24 maj, Presidenti i Republikës i akordoi titullin "Nderi i Kombit" dhe në mjediset e presidencës u hap për tri ditë një ekspozitë me vepra të Delisë. Më 3 qershor në Muzeun Historik Kombëtar është hera e parë që Delija vjen thjesht si artist me një ekspozitë antologjike, organizuar nga Shoqata Kulturore "Lin Delija" dhe Art-Union Albania.
Me pak fjalë, thuhet se Lin Delija u lind në Shkodër më 3 shkurt 1926 nga prindërit Mark Delija e Luçe Zefi. Në moshën 10-vjeçare hyn në kolegjin françeskan "Illyricum" në Shkodër, dhe këtu njihet më at Kabashin, piktor dekorativ, i cili i jep një dorë Linit me pikturën.
Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, bashkë me shumë të rinj thirret ushtar. Ishte 19 vjeç kur me katër miq dezerton dhe arratisen drejt Jugosllavisë. Lini shkon në Titograd (Podgorica e sotme), ku deklaron se është piktor dhe studion në një shkollë artistike.
Qeveria e Malit të Zi i jep një bursë studimi kurse ai shkon në Zagabria ku mikpritet nga një kuvend murgeshash dhe në këtë qytet frekuentoi për gati gjashtë vjet Akademinë e Arteve të Bukura. Ndërsa i ati vdes e ëma nuk ka për ta parë më kurrë të birin.
Pas kësaj ai mbërrin në Itali ku takohet me të tjerë të ikur nga Shqipëria, mes tyre edhe më profesor Ernest Koliqin. Por një nga përvojat themelore për krijimtarinë e ardhshme të Lin Delisë ishte njohja e tij me Monsinjor Luigi Stefani kapelan i Vëllazërisë së Mëshirës në Firence.
At Stefani ishte nga Zara dhe në Firence kishte krijuar "Galleria dello Sprone". Lini bëhet një nga nxënësit e tij.
Kur erdhi në Antrodoko, ishte 34 vjeç, nuk kishte as mjekër, as mustaqe, dhe këtu punon pjesën më të madhe të kohës.
Prej këndej u nis nëpër vise të ndryshme të Italisë për të eksploruar me artin e tij dhe për të bërë të njohur atë që quhej Piktura e Shenjtë. Sot në Musei Vaticani atij i është kushtuar një "kënd"... Në vitin 1991, kur në Shqipëri bie regjimi, vëllai i tij Ndok Delija më në fund mbërrin në Itali. Një vit më pas është Lini që prek atdheun pas 46 vjetësh qyshse ishte arratisur.
Varrin e ka në Antrodoko, Shkodra e tij e dytë, qytet që e ka prezantuar me tablotë e tij në shumë galeri. Prej vitit 2004 aty është hapur muzeu "Lin Delija-Carlo Cesi". Cesi, një piktor italian afreskesh, i '600-ës, të cilin do ta nxirrte nga harresa me studimin dhe reastaurimin e veprave, Delija. Muzeu përmban rreth njëqind vepra që janë mbledhur nga familje dhe miq të artistit.
Veprat e Lin Delisë janë të shpërndara nëpër botë. Ka një koleksion që piktori ia fali Qendrës së Katolikëve shqiptarë në Mërgim të drejtuar nga Atë Danjel Gjeçaj, dhe që sot i përket Provincës Françeskane shqiptare.
Ndër dhurimet që Armando Nicoletti, mik i Delisë i cili drejton prej vitit 2005 Shoqatën Kulturore "Lin Delija" dhe që prej tre vitesh ka punuar për ekspozitën e 3 qershorit i ka dhuruar "Portretin e Gjergj Fishtës" (1979), Katedrales "Our Lady of Albanians" në Detroit, dhe tablonë "Portret vajze", e pikturuar gjatë vitit 1968, dhuruar Presidentit të Republikës së Shqipërisë më 2009, sot pjesë e fondit të ekspozuar në Presidencën shqiptare.
Më 3 qershor ora 18.00 bëhet hapja dhe prezantimi tematik i ekspozitës.
Më pas mbahet tryeza e rrumbullakët "Lin Delija: Rrugëtime paralele" dhe promovohet katalogu i pikturave i pajisur me shënime honorifike nga Presidenti i Republikës, nga miq të artistit dhe nga kritikë arti. Një prej tyre, shënim i Guerrino Matteit "Neorealizmi ndërmjet trashendencës dhe së vërtetës", po e botojmë sot. "Hylli i Dritës" i kushton një speciale Lin Delisë në numrin e ardhshëm, të cilit po i prijmë me shënimin e Matteit.
Kuratorët premtojnë një ekspozitë ku rindërtohet krijimtaria e gjerë e Delisë, e lidhur ngushtë "me ngjarjet politike të tokës së tij amtare", po edhe me jetën në të gjitha shfaqjet e saj shprehur në copëza nga Ungjilli, peizazhe, portrete dhe nature morte.
Antonela Mucit, drejtore e Muzeut "Lin Delija - Carlo Cesi":
"Në Itali, artistët që vinin nga "Scuola romana" u drejtuan nga zgjidhjet abstrakte. Dolën kërkimet e grupeve të ndryshme si "Fronte Nuovo dele Arti", "Forma Uno", "Mac", "I nucleari" ndërsa afirmoheshin individualitetet e disa mjeshtërve të aftë që me reflektimet e tyre të ndikonin thellësisht në atë histori arti që në fund të fundit është edhe vetë historia e njerëzimit.
Lin Delija nuk u bashkua me asnjë prej këtyre rrymave artistike, nuk u ndal tek ambientet e amullta të manierizmave të vonuar, e as nuk e futën në valle ato eksperimentimet më të çuditshme të kohës.
Ajo e tija ishte një rrugë e brendshme e nevojshme, mbështetur tek mendimi dhe veprimi që nuk ndjekin modat, që nuk joshen nga kërkesat e tregut, që nuk përpiqen të bëjnë për vete mendimin e kritikës militante të epokës. Delija në sy dhe në zemër ka tokën e vet, mërgimin, dhimbjen dhe dëshirën për të rifituar dinjitetin e vet dhe bashkë me të, edhe atë të çdo njeriu."
Anna Dell' Agata:
"Lini më kallzonte habinë admiruese të mjeshtërve të t romanë, Bartoli e Mafai; në veçanti Bartoli, njohës i mirë i traditës së pikturës, nuk mbrrinte me kuptue se si nga nji panel i çrregullt e, në dukje jo i pastër, mbrrinte me nxjerrë bojna të njimendëta e të drejta e përzimje të çmueshme kumbuese.
Kështu drita ngjyrë ban me këndue petale e gjethe në saksitë e t të luleve; shumë kultivonte me dashuni në rrethin e asaj tarrace magjike të "Mentuçias" dhe ma parë në qoshen e rrugës Maneti, e lulet e thame të ruejtuna bashkë me hurmat e specat djegës në grumbullin e letrave e sendeve në studion e vjetër të rrugës Maneti, kumakët shpërthyes në të verdhë portokalli në zbraztinën bojë qielli të penxheres me kanata të vjetra të ndryshme.