Toro: Vlera e pronave tona është 30 miliardë euro

Sipas përfaqësuesit të pronarëve, vlera reale për kompensimin e tyre arrin shifrën 30 miliardë euro dhe shuma prej 500 milionë lekësh, e përcaktuar në buxhet, është vetëm një pikë uji
Qeveria ka miratuar dje vendimin për të kompensuar me 252 milionë lekë pronarët që preken nga procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje në qytetet kryesore, si Tirana,Vlora, Elbasani dhe Shkodra. Sekretari i Përgjithshëm i shoqatës “Pronësi me drejtësi”, Agim Toro, thotë për “Korrierin”, se nuk është njohur akoma me vendimin në fjalë, megjithatë thekson se kjo është një “pikë uji në oqean”. Sipas tij, shuma prej 500 milionë lekësh që është përcaktuar në buxhetin e shtetit për kompensimin e pronarëve, është shumë larg shifrës reale që duhet për kompensimin real të pronarëve të ligjshëm. “Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave duhej të kishte nxjerrë se sa janë detyrimet e shtetit për të kompensuar pronarët në kuadrin e zbatimit të ligjit 9235. Dhe kjo vlerë akoma nuk ka dalë, sepse ne jemi të bindur që vlera është mbi 30 miliardë euro dhe 500 milionë lekët janë një pikë ujë në oqeanin e rëndë që i takon qeverisë shqiptare për të kompensuar pronarët. Prandaj, ne themi që ligji numër 9235 nuk e arrin qëllimin për të cilin është miratuar për zgjidhjen e problemit të pronave. Duhet që të hartohet një ligj i ri, i cili të mbështetet mbi bazë të kthimit fizik dhe jo të kompensimit si ky ligj”, thotë Toro. Ai shprehet se ky buxhet duhej të ishte shpërndarë disa muaj më parë, por sipas informacioneve që kanë pronarët, kjo vonesë ka ardhur, sepse qeveria donte të ndryshonte çmimet e trojeve. “Nga të dhënat që kemi ne, kjo vonesë ka ardhur, sepse donin të ndryshonin çmimet dhe ai komision ndërministror i ngritur për çështjen e pronave nuk ka arritur në konkluzione. Pra, dështoi në thelbin e vet”, përfundon Toro.
Vendimi i qeverisë
Sipas vendimit të djeshëm të qeverisë shqiptare, pronarët e ligjshëm të trojeve në këto qytete që iu është zënë prona, do të përfitojnë nga fondi që ka vendosur qeveria shqiptare, e cila nga ana tjetër ka vendosur të legalizojë pronarët që i kanë zënë këto troje. Sikurse shkruhet në vendimin në fjalë, pronarët e mbetur pa tokën e tyre do të shpërblehen në vlerë të plotë, sipas çmimeve përkatëse të tokës. “Pronarët e pasurive të paluajtshme, për sipërfaqen e zënë nga ndërtimet informale, do të shpërblehen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, për sipërfaqen 57 377, 77 (pesëdhjetë e shtatë mijë e treqind e shtatëdhjetë e shtatë, presje shtatëdhjetë e shtatë) metër katror tokë truall, me vlerë të përgjithshme 252 074 670, 24 (dyqind e pesëdhjetë e dy milionë e shtatëdhjetë e katër mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë presje njëzet e katër) lekë”, thuhet në vendimin e djeshëm të qeverisë shqiptare. Sipas vendimit në fjalë, kjo shumë që do të përdoret për kompensimin e pronarëve të ligjshëm dhe do të përballohet nga fondi i kompensimit të pronave. Ndërkohë, për të zbatuar këtë vendim kompetencat i ka Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe e Telekomunikacionit, e drejtuar nga Sokol Olldashi dhe Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, e drejtuar nga Shaban Memia. Ndërkaq, deri në fund të këtij viti qeverisë i duhet të shpërndajë edhe rreth 248 milionë lekë të tjera për kompensimin e pronarëve, që të realizojë kështu shpërndarjen e plotë të buxhetit prej 500 milionë lekësh që është përcaktuar.