E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olimpik Lion kërkon Lorik Canën

Nga Altin Manallari
Lorik Cana pritet të shndërrohet në merkato si një nga lojtarët më të dëshiruar për shumë skuadra të mëdha evropiane. Një gjë të tillë konfirmon edhe fakti i bërë publik nga faqja sportive franceze "football.fr", ku është cituar se, pesë herë radhazi kampioni i Francës, Olympik i Lionit, dëshiron të ketë në radhët e tij shqiptarin Lorik Canën. "Ne kërkojmë lojtarë nga kampionati francez, - ka thënë drejtori i transferimeve për lionezët, Bernard Lacombe, - lojtarë që të mos kërkojnë kohë për përshtatjen me Ligën 1. Po përmend emrat e Lorik Canës dhe Edouard Cisse-s". Faqja franceze shkruan me shaka se "(presidenti i Marsejës) Pape Diouf do ta kishte varur veten me rrip nëse do t'i kishte dëgjuar këto fjalë". Lacombe ka folur për "Europe 1", duke theksuar se Lyon po kërkon të forcojë sa më shpejt skuadrën, duke pretenduar jo vetëm titullin e gjashtë radhazi në Francë, por edhe fitoren e trofeut të madh, Ligës së Kampionëve. Lorik Cana ka qenë i shkëlqyer këtë sezon për Olympikun e Marsejës, duke u shpallur si lojtari më i mirë në këtë ekip, për fazën e parë të sezonit. Kartoni i tij vlen 6.5 milionë euro, kuota më e lartë për një futbollist shqiptar, ndërsa pas interesimit të kampiones së madhe besohet se do të rritet edhe më tepër.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›