Olldashi: Banesat e ish-pronarëve lirohen më 1 nëntor
Miratohet akti për lirimin e banesave të ish-pronarëve
Akti normativ i Qeverisë për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara, u shqyrtua dhe u miratua dje në disa komisione parlamentare. Komisioni për Ekonominë dhe Financat, komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë dhe komisioni për Integrimin Europian kishin sot në rend të ditës këtë akt normativ, ku sqarime dhe përgjigje për deputetët, dha ministri i Transportit dhe Punëve Publike, Sokol Olldashi. Ai deklaroi se janë 3200 banesa që do të lirohen deri në datën 1 nëntor. Ndërkohë që opozita e kundërshtoi aktin me arsyetimin se afati nuk është i mjaftueshëm dhe duhet një rishikim i skemës, Qeveria ka bërë të ditur se qytetarët që janë strehuar në banesa të shpronësuara do të kenë të drejtën e përfitimit të kredisë me zero interes dhe Këshilli i Ministrave do të marrë përsipër pagesën e interesave bankare. Në bazë të këtij akti normativ, synohet t’i lirohet prona, ish pronarëve të ligjshëm, si një e drejtë themelore dhe e patjetërsueshme e njeriut. Akti normativ përcakton afatin final pa asnjë mëdyshje, për nisjen e zbatimit të procesit për lirimin e banesave të sh pronarëve. Akti nuk cenon asnjë garanci apo siguri juridike për të pastrehët që banojnë në këto prona, pasi kjo kategori ka qenë në dijeni të afateve ligjore; kur kanë kaluar 20 vjet nga nisja e kthimit dhe kompensimit të pronave, këtyre subjekteve u janë ofruar të gjitha mundësitë të aplikojnë për kredi për strehim, me 0 për qind interes, por pjesa më e madhe e tyre nuk ka paraqitur interes t’i tërheqë ato, ose të paraqitet për aplikim. Akti normativ është në përputhje me nenin 101 të Kushtetutës dhe të jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese.
...