“Politika bllokuese e PS do ndëshkohet nga vota e qytetarëve”

Gerti Bogdani: Statusi kandidat, duhet vullnet për reformat – paketa e PS synon të paralizojë institucionet
“Një kthesë e opozitës, përballë politikës së dorës së shtrirë nga ana e mazhorancës”. Kështu i cilëson zhvillimet e fundit lidhur me çështjen e heqjes së imunitetit deputeti demokrat, Gerti Bogdani, duke u shprehur se, pas një politike tradicionalisht bllokuese të lidershipit të PS dhe të një grupi të vogël rreth tij, tolerimi nga mazhoranca ishte e vetmja mënyrë për t’iu dhënë fund hipokrizive në dëm të interesave të vendit. “Më tepër se kthesë është vazhdimësi e qëndrimit të mazhorancës. Ne kemi qenë konsistentë me politikën e deritanishme, politikë e dorës së shtrirë në momente deçizive dhe sa herë që ka pasur ngërçe nga opozita. Kësaj radhe bëhet fjalë për heqjen e imunitetit, një çështje e rëndësishme për integrimin. S`kishte si të mos kishte tolerancë ndaj një opozite që s’di çfarë bën, që bllokon, dhe tani i vetmi gur i fundit që na ndan nga integrimi është imuniteti dhe opozita sërish e bllokon. Kemi një opozitë kokëfortë, kryesisht lidershipi dhe një grup i vogël rreth tij që druhet nga heqja e imunitetit dhe në këtë rast duhet bërë një hap mbrapa që të mos i dalë e tija”, u shpreh ai. Deputeti i PD, është shprehur kundër asaj çfarë përmban paketa e propozime të PS, pasi sipas tij është një paradoks dhe një tendencë për të kthyer dhe njëherë bllokimin e institucioneve. Në këtë kontekst ai shton se nuk mund të zgjidhet një President republike me shumicë të cilësuar dhe të kërkohen 3/5 për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm. “Qëndrimi është shumë i qartë në qasjen politike dhe logjike. Në paketën e PS kërkohet votimi me 3/5 për zgjedhjen e krerëve të disa institucioneve me rëndësi si ai i Prokurorit të Përgjithshëm. Është një paradoks pasi në ndryshimet e fundit kushtetuese Presidenti i vendit zgjidhet me shumicë të thjeshtë dhe është non sens që prokurori të zgjidhet me shumicë votash. Pra po kërkon politikë bllokuese, për Avokatin e Popullit u deshën 2-3 vjet të zihej vendi vakant. Do kishte një bllokim, ka një histori bllokimi të zotit Rama”, theksoi Bogdani. Për deputetin demokrat marrja e statusit është një proces shumë më i thjeshtë nga sa ishte liberalizmi i vizave. Sipas tij, marrja e statusit më tepër se vlerësim nga Brukseli apo mungese kohe është çështje vullneti politik. “Nëse arrihet kjo, statusi do të merret në vjeshtë, tha Bogdani. Po dhe pa diskutim, Sequi ka thënë më shumë integrim dhe më pak pushim. Është punuar shumë, koha ekziston dhe është e mjaftueshme, është çështje vullneti. Pse dështuam, pikërisht nga mungesa e tij, nga bojkotimi i opozitës. Në momentin që BE hoqi vizat ndaj shqiptarëve, statusi është shumë e lehtë sepse për politikanët e huaj është më sensistive çështja e vizave, është vendim shumë më i vështirë për tu marrë nga politikanët e BE. Por në momentin që ka një opozitë që bojkoton, bllokon, politikanët e BE e kanë më të lehtë të thonë jo. Shtatori është muaj i rëndësishëm për Shqipërinë. Heqja e imunitetit është shumë i rëndësishëm, i bën zyrtarët më të përgjegjshëm”, theksoi deputeti demokrat, duke shtuar se, politikat bllokuese dhe antiintegrim të PS, do të ndëshkohen me votën e qytetarit. “Do ndodhte ajo që ka filluar tashmë, vlerësimi ose ndëshkimi me votë i qytetarëve shqiptarë, këtë e treguan edhe në zgjedhjet e 2009. Një ndëshkim për një politikë që vë në plan të parë interesat personale, qytetarët shqiptarë janë të zgjuar dhe dinë të ndëshkojnë me votë siç vepruan dhe në 2009. Nëse statusi nuk merret dhe faje ka përsëri politika qytetarët shqiptarë do dinë të bëjnë vlerësimin e tyre, siç i hoqën Edi Ramës nga duart Bashkinë në 2011. Proceset që kanë qenë të domosdoshme për tu arritur, NATO dhe vizat janë dy procese që dorë të parë ka pasur qeveria dhe u arritën, pra aty ku varet nga mazhoranca gjërat arrihen. Statusi kërkon bashkëpunimin e opozitës, dhe nëse dështon kjo është e qartë se në anën e kujt do mbetet faji”, deklaroi Bogdani. Për të marrë anën tjetër të medaljes, atë që pritet nga gjithë populli, marrja e statusit, Bogdani shprehet se misioni nuk përfundon aty dhe se mbajtja e zgjedhjeve 2013 do të jetë një provë dhe standard se Shqipëria e meritoi marrjen e tij. “Patëm politikanë që bënë anti-lobing kundrejt liberalizimit të vizave, vizat u liberalizuan dhe shqiptarët e treguan veten se janë qytetarë evropianë, nuk pati asnjë shkelje. Edhe në momentin që do marrim statusin reformat do të vazhdojnë, thjesht rritet përgjegjësia dhe zgjedhjet e mira është një nga këto përgjegjësi. Nga 2009 në 2011 kemi ndryshuar dhe përmirësuar mënyrën e të bërit zgjedhje. Kryeministri do të kërkojë një numër sa më të madh vëzhguesish për të pasur një certifikim sa më të përkryer”, tha ai.
...