Sequi: “Statusi, në dorë të vullnetit të klasës politike”

12 prioritet e BE/ Ambasadori Sequi i kujton Edi Ramës përgjegjësinë që po merr përsipër
Përfaqësuesi i Komisionit Europian në Tiranë, Ambasadori Etore Sekui, pas një takimi prej rreth 45 minutash me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama, ka deklaruar se klasa politike shqiptare ka në dorë marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. “Ne diskutuam çështje të ndryshme, që lidhen me 12 prioritetet për integrimin europian të Shqipërisë. Diskutuam ligjin për Gjykatën e Lartë, Rregulloren e Kuvendit, diskutuam çështjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, diskutuam të drejtat mbi pronën, pra të gjitha çështjet që lidhen me 12 prioritet kyçe. Sa i përket statusit të vendit kandidat, duhet të pyesni politikanët shqiptare, jo mua”, deklaroi Sequi, gjatë prononcimit të tij. Deklarata e Ambasadorit Sequi vjen në një moment kur Partia Socialiste, ka vendosur si kushte për miratimin e kufizimit të imunitetit të zyrtarëve të lartë, miratimin e paketës së saj për ndryshime kushtetuese, të cilat prekin sistemin e drejtësisë. Po ashtu, këto propozime të opozitës janë artikuluar si kushte për kalimin në Kuvend të ligjit për Gjykatën e Lartë. Faktori ndërkombëtar kohët e fundit ka shtuar trysninë, kryesisht në adresë të opozitës për t’iu bashkuar vullnetit të mazhorancës në votimin e këtyre nismave të rëndësishme, në mënyrë që pas rreth një muaji, Komisioni Europian t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Apeli i Ambasadorit Sequi, vjen një ditë pasi deklaratës së Zëvendësndihmës Sekretarit amerikan i Shtetit, Filip Riker, sipas të cilit Parlamenti ka fuqi thelbësore në një vend demokratik, ndaj duhet të votohet sa më parë ligji për kufizimin e imunitetit dhe ai për reformën parlamentare.
...