Imuniteti duhet të hiqet brenda muajit shtator
Kryeministri Berisha i bën thirrje opozitës parlamentare që të votojë në Kuvend kufizimin e imunitetit, përpara përfundimit të afatit kritik, fundit të muajit. Sot Këshilli i Legjislacionit pritet të shtrëngojë agjendën, në mënyrë që të mundësohet në kohë votimi i imuniteteve dhe i ligjit për Gjykatën e Lartë
Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje opozitës parlamentare që të votojë në Kuvend kufizimin e imunitetit, përpara përfundimit të afatit kritik. Kjo pasi në tetor publikohet raport-progresi i BE-së, ku mos votimi për imunitetit do të ishte një pengesë për një përgjigje pozitive mbi kërkesën për statusin e vendit kandidat. “Ju e dini që vera në rrafshin politik u dominua tërësisht nga debatet për imunitetin. Edhe njëherë dua ti siguroj qytetarët shqiptarë, se kjo nismë për të cilën Partia Demokratike ka luftuar për dhjetë vite më radhë, nuk ka për asnjë qëllim krijimin e kapitalit politik. Jo. Vendosmëria për heqjen e imunitetit nuk ka të bëjë aspak me përpjekjen tonë për të krijuar kapital politik nëpërmjet këtij akti. Ky është një akt që ju intereson të gjithë shqiptarëve dhe në asnjë rrethanë ne nuk kemi kushtëzuar heqjen e tij, me rrugën e heqjes së tij. Në rast se ne, vendosëm ti drejtohemi sovranit kjo erdhi sepse me datën 6 gusht socialistët nuk pranuan të votojnë. Tani dhe sidomos këto ditë z. Rama dhe zotërinjtë të tjerë të kësaj partie politike, shprehen publikisht në mënyrë të përsëritur se ata do të votojnë për heqjen e imunitetit pavarësisht nga qëndrimet e mazhorancës ndaj propozimeve të tjera për ndryshimet kushtetuese. Unë e mirëpres këtë vendim të Partisë Socialiste dhe ajo që unë do tu ftoja ju, të fillojmë, sepse kanë kërkuar seanca dëgjimore. Për ato propozimet e tyre nuk kam asnjë kundërshtim, le të bëhen dëgjimet. Natyrisht ne kemi shprehur qëndrimin tonë dhe qëndrimet tona janë të qarta, por meqenëse shtatori është një afat kritik për vlerësimin e arritjeve të Shqipërisë, unë do ju lutesha që të bëjmë gjithçka për të afruar në përputhje me rregullat datën e votimit në parlament të heqjes së imunitetit, natyrisht dhe të ligjeve të propozuara nga Partia Socialiste, për të cilat ne kemi shprehur qëndrimin tonë dhe besojmë se jemi në qëndrim parimor të drejtë. Në rast se do të mundemi që kjo procedurë të kompletohej brenda afatit kohor për të cilin po bëjmë fjalë, ky do të ishte lajmi më i mirë që ne do të mund tu dërgonim partnereve tanë kudo në Europë dhe në botë”, u shpreh Berisha. Ai theksoi se PD e ka kërkuar heqjen e imunitetit 10 vjet më parë, atëherë kur nuk kishte Marrëveshje Stabilizim – Associmi, Shqipëri-BE. Ndërsa sot, tha ai, një nga detyrimet e Shqipërisë në rrugën e integrimit është edhe heqja e imunitetit si faktor kyç në luftën kundër korrupsionit. “Duhet të themi dhe duhet të sqarojmë qytetarët. Ne kemi kërkuar heqjen e imunitetit 10 vjet më parë kur as nuk kishte Marrëveshje Stabilizim - Associmi dhe as që po diskutohej për të fare. Por sot që ne pretendojmë të marrim statusin e vendit kandidat, në rast se ne nuk heqim imunitetin në Parlament apo me referendum, unë mendoj se kombet e tjera kanë arsye të tremben nga ne. Po. Kanë shumë arsye të tremben nga ne, sepse në të gjithë problematikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian, pa diskutim që lufta kundër korrupsionit është një nga problemet më madhore. Korrupsion ka në çdo vend por jo kudo është i të njëjtit nivel dhe në qoftë se në Shqipëri nuk votohet për heqjen e imunitetit, ky është mesazhi më negativ që ne mund të përcjellim tek vendet e qytetëruara. Nuk ka shqiptarë sot që të mund të imagjinojë një qëndrim tjetër nga drejtuesit politik të vendit, sesa heqja. Ndaj dhe le ta afrojmë ne. Nuk mund të them se çfarë do të bëjmë saktësisht, por të paktën për datat të mos mbetet pa u votuar në muajin shtator. Natyrisht në rast se votohet kjo është një arritje e madhe pa asnjë lloj konotacioni partizan apo partiak, një arritje e Shqipërisë me shoqërisë shqiptare, e Kushtetutës së Shqipërisë, që bëhet më qytetare në të kundërt pastaj opsioni ynë tjetër mbetet gjithnjë plotësisht i mundshëm dhe ne nuk tërhiqemi në përpjekjen tonë të ndershme për të bërë Shqipërinë pa zyrtarë imunitarë”, theksoi ai.
...