Olldashi: Brenda vjeshtës përfundon unaza lindore

Brenda vjeshtës do të jetë i përfunduar edhe aksi që lidh Peshkopinë me Librazhdin për të lehtësuar kështu kalimin në segmentin më të vështirë që lidh këto dy qytete. Ministri i transporteve Sokol Olldashi gjatë një turi inspektimesh deklaroi se punimet në këtë segment vazhdojnë me rritme të larta.
"Ky është segmenti më i vështirë dhe më i rëndësishëm i asaj që quhet unaza Lindore, pra segmenti që lidh Peshkopinë me Librazhdin. Është një distancë prej prej 58 km për të cilën kemi tenderuar punimet në vlerën 2.4 miliard lekëve. Projekti do të zhvillohet në bashkëpunim me Fondin Shqiptarë të Zhvillimit, ne jemi duke kryer punimet për hapjen e trasesë, ndërtimin e veprave të artit si dhe shtrimin e shtresave të zhavorreve. Jam i bindur që me këtë rritëm që po punohet, në afatin optimal, në vjeshtën e këtij viti, objekti i dorëzohet Fondit të Zhvillimit në mënyrë që të fillojnë asfaltet dhe rruga brenda një afati disa mujor të jetë e kaluashme dhe në një paramentër të pakrahasueshëm me atë që ka qënë më parë. Duhet të kemi parasysh se kjo rrugë ka qënë vetëm 4 m, e pa asfaltuar, gjithmonë e bllokuar dhe me një trajektore shumë të vështirë " theksoi Olldashi
Aksi Cerenec-Librazhd i cili është sot vetëm një rrugë e paasfaltuar komunash, pas rikonstruksionit, do të ketë një gjerësi prej 6.5 m asfalt, në të gjithë gjatësinë e tij prej 58 kilometrash. Punimet kryhen në një bashkëpunim të ministrisë së Transportit dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Ky aks i bashkëngjitet zinxhirit Valbone-Kam, e përfunduar, Kam-Krume, e përfunduar, Krume -Kukës, në ndërtim, Kukës-Peshkopi, e përfunduar, në atë që përbën një prioritet të qeverisë Berisha, Unazës Lindore të Shqipërisë.