Olldashi: Fushata, PS hodhi 7 milionë euro në Fier
Kreu i grupit të PD-së për Fierin, Sokol Olldashi, ka marrë pjesë në kuvendin e degës. Në fjalën e tij, ai është përqendruar te politika aktuale e ditës, duke prekur kryesisht kërkesën e Edi Ramës për hapjen e kutive. Sipas Olldashit, duhen argumentet ligjore për të plotësuar ato që kërkon Edi Rama dhe hapja e kutive është vetëm një ndër interesat private, politike dhe financiare, e thënë ndryshe janë interesat e një grupi mafiozësh, të cilët sot i kërkojnë pagesën e vonuar. "Janë 7 milionë euro të hedhura në Qarkun e Fierit nga kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste. Nga dolën këto 7 milionë euro", shprehet me tej Olldashi. "Janë 7 milionë euro që shpërndaheshin natën me thasë. Janë 7 milionë euro që sot duhet të kthehen mbrapsht, të cilat janë para të kriminalitetit që Edi Rama do t‘i kthejë mbrapsht", nguli këmbë Olldashi. Në këto kushte, vijon Olldashi, Edi Rama nuk është më një lider por një rrugaç, një rrugaç politik që po kërkon të marrë peng vendin, por askush nuk mund ta bëjë atë. "Edi Rama ka muaj që nuk lë njëri pa sharë nga gjyshet, nënat, motrat e gjithsecilit të PD. Ky njeri nuk është gjë tjetër veçse të ndërtojë familje mafioze dhe të kriminelëve që grabisin pronat publike të këtij vendi", u shpreh Olldashi. Të pranishëm në kuvendin e PD-së së Fierit ndodheshin edhe deputetët Mesila Doda, Enkelejd Alibeaj si të deleguar të Kryesisë së PDSH-së.
M.Troka
M.Troka