E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB: Infeksionet dhe vdekjet nga sëmundja e SIDA-s ulen ndjeshëm

Për shkak të masave parandaluese dhe medikamenteve retrovirale, rritja e aksesit të popullsive të prekura te medikamentet antiretrovirale ka ndihmuar në uljen e numrit të vdekjeve nga SIDA në mbi 10%, këto pesë vitet e fundit. Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri të ditur se aktualisht, në të gjithë botën, 33.4 milionë njerëz janë të infektuar me HIV. Kjo shifër është më e ulët në krahasim me pesë vitet e shkuara. Ky raport i fundit është optimist për të gjitha kategoritë e personave të prekur nga sëmundjet ngjitëse. Një nga shkaqet kryesore të këtij ndryshimi është edhe mundësia për të përdorur më shumë medikamente frenuese për infeksionin nga të prekurit. Raporti vlerëson se që kur medikamentet frenuese u bënë efektive në vitin 1996, 2.9 milionë jetë janë shpëtuar. Në total, thuajse 60 milionë njerëz janë infektuar me HIV dhe 25 milionë kanë humbur jetën për shkak të komplikacioneve të shkaktuara nga virusi, që kur ai u shfaq në fillim të epidemisë. Në raport sugjerohet se një rol shumë të madh kanë luajtur edhe programet e parandalimit. Infeksionet me HIV janë reduktuar në 17% gjatë tetë viteve të fundit. Në Afrikën Subsahariane, që është edhe epiqendra e pandemisë globale, numri i personave të infektuar ka rënë me 15% që nga viti 2001, që me shifra është 4000 infeksione. Në vitet 2007, 2008 shkalla e infeksionit ishte ulur me 25% në lindje të Azisë dhe në jug të saj. Në Europën Lindore, pas një rritjeje dramatike në infeksionit, për shkak të përdoruesve të shiringave të drogës, shkalla e infeksionit ka rënë në mënyrë të ndjeshme. Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha se investimet kombëtare dhe ndërkombëtare në trajtimin e të infektuarve me HIV kanë ulur ndjeshëm numrin e të vdekurve nga kjo sëmundje. Ai tha se ky ishte një moment fitoreje në luftën kundër SIDAS dhe se tashmë kishte ardhur koha që të dyfishoheshin përpjekjet për të shpëtuar jetë të tjera njerëzish.
Terapitë antiretrovirale kanë pasur veçanërisht impakt pozitiv te fëmijët e vegjël, si dhe te nënat e infektuara. Një nga efektet e këtij mjekimi është edhe izolimi i infeksionit nga nëna te fëmija, gjatë shtatzënisë. Rreth 200 mijë raste infektimesh janë parandaluar që nga viti 2001. Në Botswana, ku këto trajtime mbulojnë 80% të të sëmurëve, numri i vdekjeve nga SIDA ka rënë në masën 50%, gjatë pesë viteve të fundit dhe numri i fëmijëve jetimë sa vjen e po bëhet më i vogël, duke qenë se tashmë, falë këtyre mjekimeve, prindërit kanë shansin që të jetojnë më gjatë.
Pas kësaj faze pozitive, OKB po përgatitet që të ndërmarrë hapa të rinj në parandalimin dhe kurimin e kësaj sëmundjeje, që në fund të shekullit të kaluar konsiderohej si shkaku kryesor i vdekjeve në botë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›