Raporti mbi shpenzimet e Partisë Demokratike u dorëzua me vonesë
Eksperti kontabël që auditoi financat e Partisë Demokratike në fushatë ka çuar me vonesë raportin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Këtë veprim të dorëzimit jashtë afateve e kanë bërë: Violeta Mullaj, eksperte kontabël për Partisë Socialdemokrate, Lavdimir Fusha, ekspert kontabël për Partinë Demokratike, Lavdimir Fusha, ekspert kontabël për Partinë e të Drejtave të Mohuara të Re, Eduart Kila, ekspert kontabël i Partisë Demokristiane, Violeta Mullaj eksperte kontabël e Partisë Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet dhe Elton Haxhi eksperti i emëruar për Partinë Konservatore. Sipas të dhënave nuk është dorëzuar ende raporti për auditimin e Partisë Aleanca Maqedonase për Integrim Europian. Drejtoria e financës, pas marrjes në dorëzim të kopjes origjinale të raporteve të auditimit të dorëzuar nga ekspertët kontabël, ka bërë një analizë të detajuar në lidhje me respektimin e kërkesave të parashikuara në Kodin Zgjedhor nga ana e partive politike gjatë fushatës zgjedhore. Analiza është mbështetur në të dhënat e shprehura në raportet përkatëse nga ana e ekspertëve. Për subjekte të caktuara nuk është e shprehur qartësisht nëse partia politike ka respektuar ose jo dispozita të caktuara të Kodit Zgjedhor. Nga opinionet e audituesve vërehet se nuk ka asnjë rast të mosbashkëpunimit me auditin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga ana e subjektit zgjedhor. Nuk ka pasur asnjë rast të refuzimit për të bërë transparent burimet e financimit të fushatës, apo për të lejuar ushtrimin e kontrollit nga ana e auditit. Subjektet politike kanë marrë financime vetëm nga persona fizikë ose juridikë vendas. Nuk ka asnjë rast që një person fizik ose juridik të ketë dhuruar fonde për një subjekt politik në shumën mbi 1 milion lekë. Në zbatim të kërkesave të nenit 89, pika 3, të gjitha subjektet juridike që kanë dhuruar fonde për fushatën zgjedhore, në çastin e dhurimit kanë firmosur deklaratën e miratuar me vendimin e KQZ-së, nr. 266, datë 01.06.2009. Nga 32 subjekte të audituara, 10 prej tyre kanë përfituar fonde nga dhurues të ndryshëm dhe i kanë regjistruar ato në regjistrin e posaçëm. 18 subjekte politike nuk kanë përfituar donacione, por kanë pasur parasysh regjistrin e posaçëm për donacione të mundshme. Partia për Drejtësi dhe Integrim ka përfituar fonde në shumën 2.755.750 lekë, të cilat nuk i ka regjistruar në regjistrin e posaçëm. Sipas opinionit të ekspertit donacionet kanë qenë në shumat nën 100 mijë lekë. Për partitë, Partia Ora e Shqipërisë (fonde të përfituara nga donatorët 90.000 lekë) dhe Partia Ligj dhe Drejtësi (492.100 lekë), nuk ka informacion në raport nëse fondet janë regjistruar në regjistrin e posaçëm.