E Diel, 1 Nëntor 2026

Frika nga TVSH-ja, 1200 biznese më pak në Durrës

Buxheti i Bashkisë së Durrësit, një nga më të mëdhatë në vend pritet të reflektojë mungesën e 1 milion eurove në të ardhurat e veta për vitin në vazhdim dhe pjesën më të madhe të kësaj të çare e shkakton vendimi për ndryshimin e kufirit minimal të regjistrimit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Dëmi tjetër për të ardhurat lokale vjen nga ligji për tarifat vendore dhe ulja e taksës së tabelës. Vendimet e qeverisë prekin kështu një pjesë të mirë të biznesit të vogël në qytet, ndërsa do të kenë efektet e tyre dhe te vetë bizneset, të cilat nga 1 janari do të përfshihen në skemën e TVSH-së. Secilës prej tyre i nevojitet të llogarisë koston vjetore që do t‘i duhet për ekonomistin kontabël. Sipas kreut të degës rajonale të tatim-taksave në Durrës, Shkëlqim Fortuzi, ky vendim ul ndjeshëm informalitetin në treg dhe disiplinon biznesin, ndërsa për abuzimet e mundshme që mund të hasen nga subjektet që do preken prej tij do të jenë inspektorët e Drejtorisë së Hetim-Investigimit të Çmimeve pranë Drejtorisë Rajonale që do të ndjekin ecurinë dhe ndërhyjnë me masa. Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, thotë se efekti financiar që ky vendim, por edhe ai për tarifat vendore e taksën e tabelës do ta ndëshkojë arkën e bashkisë dhe rrjedhimisht komunitetin durrsak të cilit të ardhurat i kthehen në shërbime, prandaj duhet reaguar nga të gjitha njësitë vendore, ashtu siç po bëhet nga bashkitë e mëdha. Detyrimet që deri dje i vilte bashkia që nga 1 janari do të vjelin tatim-taksat, ndërsa bizneseve që ndryshojnë kategorinë e biznesit do t‘u duhet që të paktën të parashikojnë minimalisht 140 mijë lekë të reja në vit për ekonomistin ose studion kontabël. Në qytetin e Durrësit janë afro 400 biznese, ndërsa në nivel rajonal përfshirë edhe Kavajën e Krujën janë mbi 1 mijë subjekte që hyjnë në skemën e TVSH-së, ndonëse lista vazhdon të përpilohet. E ndërsa kryetatimori Fortuzi nuk sheh rrezik në abuzimin me çmimin për shkak të përfshirjes në biznes të madh të këtyre subjekteve, në Drejtorinë e Taksave të bashkisë thonë se TVSH është një taksë konsumatore dhe se shërbimin që më parë e ofronte i njëjti subjekt pa TVSH, tani do e ofrojë duke llogaritur 20% të vlerës së produktit. Ndërkaq, situata për ushtrimin e një aktiviteti duket se është bërë e vështirë. Në Drejtorinë e Taksave Bashkiake thonë se 1200 biznese të vogla kanë mbyllur aktivitetin e tyre përgjatë më shumë se një viti, 400 të tjera janë çregjistruar gjatë 2009-s dhe 300 të tjera e kanë pezulluar aktivitetin e tyre. Ndërkohë, edhe për një pjesë të biznesit të madh situata nuk ka qenë e mirë. Fortuzi pohon se 300 subjekte janë mosdeklaruese, ndërkohë që në gjykatë janë në proces për shpallje falimenti 30 subjekte. Po në qytetin bregdetar janë regjistruar gjatë këtij viti dhe 700 nisma të tjera private në sektorë të ndryshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›