Rruga e re Durrës-Kukës, mirëmbajtja nga taksat tunel
Në fund të këtij viti, ose në fillim të vitit tjetër, mjetet e transportit në rrugën e re Durrës-Kukës do të paguajnë taksë, e cila do të përdoret për mirëmbajtjen e saj. Lajmin e kanë pohuar burimet në Ministrinë e Transportit. Vlera e taksës do të zbardhet kur Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) do të prezantojë raportin për dhënien me koncesion të rrugës Durrës-Kukës, brenda këtij viti. Burimet nga Ministria e Transporteve thanë se pjesë e studimit janë tre ekipe vlerësimi për anën financiare, teknike dhe atë ligjore. Mirëmbajtja e rrugës së re do të jepet me koncesion. Procedura, sipas Transporteve, do të jetë transparente dhe do të ftohen investitorë të huaj të rëndësishëm për të marrë pjesë në tender. Kostot e mirëmbajtjes së rrugës do t’i paguajë konsumatori. Kjo është një praktikë e njohur në të gjitha vendet perëndimore dhe synimi është që për shërbimin e ofruar të merret cilësia maksimale. Korporata Ndërkombëtare Financiare është pjesë e grupit të Bankës Botërore. Në 10 vitet e saj që operon në Shqipëri, IFC ka investuar rreth 150 milionë euro në mbështetje të sektorit privat dhe publik. Ndërkohë që sipas planit të Ministrisë së Transportit, Kukësi dhe Tirana, duke përfshirë edhe rrugën e re Durrës-Kukës, do të jenë dy qytetet që, duke nisur nga ky vit, do të aplikojnë mirëmbajtjen e rrugëve nga kompanitë private. Brenda një periudhe 5-vjeçare, mazhoranca ka arritur të ndërtojë apo rindërtojë nga e para rreth 8000 km rrugë, dhe se synimi është që brenda një periudhe trevjeçare Shqipëria të ketë një infrastukturë rrugore të kompletuar dhe të standardeve europiane. Gjatë këtyre viteve, fokusi i Ministrisë së Transporteve, sipas ministrit Olldashi, ka qenë infrastruktura që lidh Shqipërinë me vendet fqinjë, përkatësisht me Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë dhe Greqinë, duke i krijuar në këtë mënyrë biznesit një akses në një treg më të gjerë se Shqipëria. Duke qenë se edhe gjatë tre viteve të ardhshme infrastruktura do vazhdojë të jetë ndër prioritet e qeverisë, investimet franceze kanë të gjithë aksesin të jenë prezente në Shqipëri në sajë të procedurave transparente të ndjekura nga institucionet përkatëse. Sektori i koncesioneve të mirëmbajtjes dhe operimit të rrugëve është një tjetër fushë që këto vite do të njohë zhvillim.