Grabitjet, rregullore e re për sigurinë e bankave
Banka e Shqipërisë kërkon vendosjen e kasafortave që hapen me tre kohë dhe pakësimin e parave që mbahen në kasa
TIRANË- Rritja progresive e numrit të grabitjeve pothuajse në të gjithë vendin ka detyruar Bankën e Shqipërisë të nxjerrë një rregullore të re për të gjitha bankat. Rregullorja e bërë pak më shumë se një vit më parë ka hyrë në fuqi së fundmi dhe masat e saj pritet të minimizojnë grabitjet e bankave. Edhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka insistuar në këtë rregullore të re, e cila krijon kushte shumë të forta sigurie jo vetëm në raste grabitjesh por edhe flakëve të zjarrit e tërmeteve.
Rregullorja përshkruan me detaje se çfarë mase duhet të marrë një bankë për të qenë e mbrojtur ndaj ndërhyrjeve me qëllim grabitjen. Referuar rregullores filiali i një banke duhet medoemos të ketë të ndarë ambientin ku priten klientët, vendin ku rrinë arkëtarët si dhe vendin ku qëndron kasaforta qendrore. Për sa i përket kasafortës, vendi ku mbahet edhe pjesa më e madhe e parave, ajo duhet të jetë e izoluar në një ambient të rrethuar me material të fortë larg syve të publikut. Në rast të mungesës së ambienteve të posaçme të vendosjes së kasafortës Banka Qendrore lejon mbajtjen e saj në zonën kur qëndrojnë arkëtarët por me kushtin që të jetë e mbuluar me mur tulle dhe derë të veçantë dhe çelës.
Kasaforta vetë duhet të jetë me peshë jo më të vogël se 600 kilogram si dhe të ketë mbyllje me çelës me kode të kombinuara që posedohen nga persona të ndryshëm të autorizuar nga banka. Madje ekzistojnë dyer të posaçme sigurie për kasafortat me disa kode sigurie për hapjen e së cilës do të nevojiteshin minimalisht 30 minuta nga futja e kodit të parë. Kjo është edhe një nga kushtet e vendosura nga Banka e Shqipërisë, e cila u kërkon bankave tregtare që të mbajnë të tilla kasaforta hapja e të cilave bëhet me faza, ku secila fazë është plotësuese e tjetrës.
Për sa i përket zonës së sportelit, ajo duhet të jetë e veçuar nga ambientet e tjera e mbyllur me derë me hapje nga brenda. Sportelet nuk lejohen të mbajnë shuma të konsiderueshme të hollash, plus që edhe ato që i kanë në përdorim duhet t'i ruajnë në mini-kasaforta ose sirtarë të posaçëm.
Krahas sigurisë së kasafortës dhe zonës së arkëtarëve, BSH u ka sanksionuar bankave tregtare mbulimin e ambienteve të brendshme me kamera që filmojnë në mënyrë të pandërprerë.