Polemika në PBDNJ, Dule i bashkohet PS
ADI SHKEMBI
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut vendos t’i bashkohet koalicionit opozitar për zgjedhjet e 28 qershorit.Pas një mbledhje të tensionuar kryesie, kjo forcë politike ka dalë me qëndrimin se me PD-në dështuan negociatat për arritjen e një marrëveshje paraelektorale. Por në këtë mbledhje u shënua edhe debati më i ashpër i bërë ndonjëherë në PBDNJ, e cila përfundoi me nxjerrjen jashtë të anëtarit të kryesisë, Spiro Ksera.
Vendimi
Rreth dy orë para mbledhjes së kryesisë së PBDNJ-së, kreu i kësaj partie, Vangjel Dule, u takua në selinë e PS-së me Edi Ramën. Në përfundim të këtij takimi, Dule nuk bëri të ditur se për çfarë u fol konkretisht, ndërkohë që tha se do të jetë kryesia e partisë ajo që do të vendosë pozicionin e kësaj force përpara zgjedhjeve. Pas rreth 30 minutash mbledhje kryesie, kreu i PBDNJ-së doli në një konferencë për media, ku bëri të ditur se pas dështimit të negociatave me PD-në kjo parti do të jetë pjesë e koalicionit të majtë. “Duke qenë se kemi një traditë bashkëpunimi qeverisës si me njërën parti ashtu edhe me tjetrën, me korrektësinë më të madhe politike ezauruam të gjitha stadet e negociatave me PD-në, me të cilën bashkëqeverisëm për 4 vitet e fundit. Nuk u gjet terreni i përbashkët për të vazhduar bashkëpunimin. Me PS-në negociatat na çuan në konkluzionin se mund të bashkëpunojmë për zgjedhjet e 28 qershorit”, tha Dule. I pyetur nga gazetarët se nëse koalicioni i djathtë fiton një mandat të dytë, cili do të jetë pozicioni i PBDNJ-së, ai u përgjigj: “Marrëveshja është e qartë, do të jetë para dhe pas elektorale. Nëse shoqëria shqiptare, ne, dhe koalicioni që po i bëhemi sot pjesë, do t’i rezervohet roli i opozitës, do të jemi opozitarë të devotshëm dhe të përkushtuar. Në qoftë se do të jemi fituesit, do të jemi në vijën e parë të reformave të thella, të gjithanshme, pa marrë parasysh koston politike që shpeshherë i ka bërë ato deri më sot të jenë të cunguara dhe afatshkurtra”.
Debatet
Por pavarësisht deklaratës së Dules për mediat, se mes kësaj partie dhe organizatës “Omonia” nuk ka asnjë tension, në mbledhjen e djeshme debatet kanë qenë edhe më të ashpra se sa në mbledhjen e të martës. Në fillim të mbledhjes së kryesisë, Dule nuk ka pranuar rezultatin e votimit të fundit të organizatës “Omonia”, qëndrimi i së cilës ishte që PBDNJ-ja të dalë e pavarur. Kreu i kësaj partie është shprehur në fillim të takimit se rezultati i votimit të dy ditëve më parë në kryesinë e “Omonia”-s për të dalë të pavarur ishte 6 vota pro dhe 6 kundër dhe jo 7 pro daljes si të pavarur dhe 5 kundër siç pretendonin Ksera e Bollano. Pas këtij momenti, Dule është përplasur ashpër me prefektin e Gjirokastrës, Spiro Ksera, i cili ka mbrojtur qëndrimin që kjo forcë duhet të dalë e vetme në zgjedhjet e 28 qershorit. “Unë nuk e pranoj rezultatin e votimit në kryesinë e ‘Omonia’-s. Rezultati doli 6-6 dhe jo 7-5 pro daljes si të pavarur. Zoti Ksera mund të dilni përjashta tani dhe të informoni Berishën për këtë”, mësohet t’i jetë drejtuar kreu i partisë, Spiro Kserës. Nga ana e tij prefekti i Gjirokastrës i është përgjigjur me fjalët: “Unë flas në telefon me Sali Berishën, Edi Ramën e Ilir Metën dhe flas për të mirën tënde dhe për të mirën e partisë”. Pas përgjigjes së Kserës ka arritur edhe kulmi i debatit në kryesi, teksa Dule i ka kërkuar që të lërë mbledhjen dhe të dalë jashtë. Ksera është larguar dhe pak pas largimit të tij është mbyllur mbledhja e kryesisë, e cila ka vendosur bashkimin me koalicionin e majtë të drejtuar nga Partia Socialiste. Përsa i përket kësaj marrëveshje, sekretari i përgjithshëm i PBDNJ-së, Leonard Solis, tha se ajo është një marrëveshje e pastër mes dy forcave politike dhe sipas formulës që parashikohet në ligj. Ndërkohë nënkryetari i Omonias, Kosta Barka e ka cilësuar një imoraliteti politik lëvizjen e kryetarit të partisë dhe një vendim në kundërshtim me qëndrimin e forumit drejtues të partisë. Sipas Barkës vendimi i kryesisë ishte 7 vota për të dalë të vetëm në zgjedhje dhe 5 vota për të koalicion me PS-në. “Ky është një vendim imoral nga pikëpamja politike pasi kemi bashkëpunuar 4 vjet me Partinë Demokratike të shkojmë në një koalicion të majtë”, tha Barka dje për mediat.
kusht Berishës të largonte çamët
Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, i kërkoi kryeministrit Sali Berisha që në këmbim të arritjes së një marrëveshje mes tyre, të largohej nga koalicioni Partia për Drejtësi dhe Integrim e komunitetit çam. Por kushti i kreut të PBDNJ-së nuk është pranuar nga kreu i qeverisë, i cili ka deklaruar se nuk do të largojë partinë e Muhedinit nga koalicioni. Kjo ka çuar në dështimin e negociatave mes dy forcave politike.
Debati në kryesi
Vangjel Dule: Në votimin e fundit në kryesinë e “Omonia”-s, lidhur me propozimin për të dalë të pavarur, gjashtë anëtarë kanë votuar pro dhe gjashtë kundër dhe jo siç është thënë dje, që kanë votuar shtatë anëtarë pro idesë për të dalë vetëm dhe pesë kundër.
Spiro Ksera: Në mbledhje shtatë anëtarë kanë qenë pro që ne të dalim të pavarur.
Vangjel Dule: Zoti Ksera mund të dilni përjashta tani dhe të informoni në telefon Sali Berishën.
Spiro Ksera: Zoti kryetar, unë flas në telefon si me Sali Berishën, si me Edi Ramën, ashtu edhe me Ilir Metën dhe flas për të mirën tënde dhe të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut.
Vangjel Dule: Dilni jashtë nga dera.
Spiro Ksera lë mbledhjen e kryesisë.