E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi: Mungesa e ujit në Tiranë për faj të Bashkisë

Ministri i Punëve Publike Sokol Olldashi ka bërë fajtor Bashkinë e Tiranës dhe Drejtorin e Ujësjellësit për makthin e furnizimit me ujë që vazhdon t’u shkaktohet banorëve të kryeqytetit. Një situatë e tillë mund të shmangej po të ishte planifikuar siç duhej, tha ministri Olldashi teksa ka hedhur poshtë pretendimet e Ujësjellësit të Tiranës se kjo ndërmarrje rezulton me humbje.
Bashkia dhe ujësjellësi kanë mungesë planifikimi për furnizimin me ujë. Deklaratat e ministrit Olldashi u bënë gjatë konferencës vjetore të Shoqatës së Ujësjellës-kanalizimeve. Në të gjithë vendin, operojnë 55 ndërmarrje të tilla, çka sipas ministrit të Punëve Publike nuk është efektive pasi ka kosto të larta administrative që pasqyrohen te tarifat e ujit për konsumatorin.
Ndryshe nga sa ka ndodhur deri më tani, në fund të vitit, qeveria, ka vënë në dukje ministry Olldashi, nuk do të paguajë faturat e energjisë të ndërmarrjeve Ujësjellës-Kanalizime, pronësia e të cilave i ka kaluar pushtetit vendor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›