E Diel, 1 Nëntor 2026

Olldashi: Ndërtuesve do t‘ua kthejmë borxhin

Ministri i Transporteve pranon situatën e krijuar me borxhet e ndërtuesve dhe shton se ka nisur puna për shlyerjen e detyrimeve. I vënë në siklet nga publikimi fakteve, se rrugët e fushatës qenkan ndërtuar me para borxh, ministri Sokol Olldashi tha se procesi për kryerjen e pagesave po vijon normalisht. "I kemi dorëzuar ndërtuesve 2 miliardë lekë apo rreth 17 milionë euro. Pagesa është bërë para një jave dhe procesi po vijon normalisht deri në mbyllje të praktikave", tha dje ministri. Por ndërtuesit thonë se 17 milionë euro nuk janë asgjë para borxhit kolosal prej 70 milionësh.

Për shkak të situatës së krijuar nga mungesa e likuiditeteve shumë firma ndërtimi po e shohin veten në gjendje gati falimenti. Projektet e shumta të përuruara nga qeveria gjatë kohës së fushatës janë kryer me para borxh. Ndërtuesit kanë pranuar të hyjnë në projekte me shpresën se paratë do të vinin, por mungesa e gjatë e korrektesës dhe kriza ekonomike i ka detyruar ata të dilnin publikisht dhe të kërkonin detyrimin.

Janë gati 35 firma ndërtimi të prekura nga fenomeni i borxhit. Situata e krijuar erdhi për shkak të mungesës së të ardhurave në buxhet, kurse i gjithë fondi për rrugët shkonte për aksin Rrëshen-Kalimash. Për rrugët e tjera të Durrës-Kukës, shumë firma ndërtimi kanë punuar pa marrë fond nga buxheti i shtetit. Gjendja duket vërtet alarmante pasi shumë firma ndërtimi kanë marrë borxhe ose kredi në banka për tw përmbushur kontratën me shtetin, kurse qeveria nuk i ka shlyer detyrimet për punët e bëra. Shoqëritë kanë marrë kredi me interesa të larta për blerje materialesh, pajisje e makineri për të përballuar volumin dhe ritmin e lartë të kërkuar për realizimin e objekteve të tenderuar, kurse vonesat në pagesa kanë rritur barrën e detyrimit ndaj furnitorëve dhe bankave për kreditë e marra nga shoqëritë.

A.Kola

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›