E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet banda shqiptaro-ruse, që vidhte karta krediti në SHBA

Është konsideruar si superoperacion jo vetëm për nga numri i madh i njerëzve që ishin përfshirë në organizatë, por edhe për volumin tejet të madh që kishin kryer në krimin e vjedhjes së llogarive të kartave të kreditit jo vetëm në SHBA. Kështu, sipas mediave të këtij vendi, mësohet se një bandë shqiptaro-ruse akuzohet për vjedhjen e mijëra kartave të kreditit në SHBA dhe në Zelandën e Re. Ndërkohë, burime pranë sektorit të Antikrimit ekonomiko-financiar në kryeqytet konfirmojnë se edhe te ne ka mjaft denoncime nga qytetarë të ndryshëm, të cilëve u është "zhdukur" papritur llogaria nga kartat e tyre të kreditit. Për operacionin në SHBA lajmi është publikuar nga gazeta "The Herald", dhe i referohet një hetimi bankar. Vjedhja është konstatuar fillimisht në makineritë e pagesave në qendër të Auklend të Zelandës së Re. Hetimi është kryer nga Westpac Bank me ndihmën e këshillit të qytetit të Auklendit. Organizata shqiptaro-ruse përdorte adresa të ndryshme të internetit për të maskuar identitetet e anëtarëve. Mijëra njerëz janë ankuar për vjedhjen e kartave të tyre të kreditit që përdoren në mënyre false në supermarkete. Mendohet se në këtë vjedhje janë përfshirë 100 mijë karta krediti. Gazeta shkruan se organizatat ruse dhe ato të disa vendeve të Europës Lindore, dominojnë krimet me mashtrime kompjuterike. Ata shpesh drejtohen nga ish-agjentë të KGB-së që rekrutojnë hakersa të rinj në moshë për të vjedhur karta krediti dhe llogari bankare. Edhe në vendin tonë, 3 vjet më parë është goditur një grup i madh të rinjsh që vidhnin llogaritë e kartave të kreditit, duke zbrazur bankomatet kryesisht në Angli, dhe më pas i transferonin paratë në Shqipëri. Strukturat e Antikrimit ekonomiko-financiar arrestuan më 3 korrik të vitit 2007 në Tiranë 25 persona, të cilët më pas u dënuan për këtë krim të panjohur më parë në vendin tonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›