E Shtunë, 31 Tetor 2026

Publikohen dokumentet, qeveria mori para kohe në dorëzim tunelin e Kalimashit



Shaban Sulçe

Partia Socialiste ka publikuar dje dy dokumente tejet të rëndësishme, të cilat vërtetojnë dhe nxjerrin në pah shkeljet dhe veprimet abuzive të qeverisë përsa i përket ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës. Dokumentet janë bërë dje publike nga deputeti socialist Damian Gjiknuri, i cili tha se gjithnjë e më tepër po dalin në pah fakte që vërtetojnë se qeveria ka mashtruar opinionin publik në lidhje me afatet e përfundimit të kësaj vepre. Nga ky dokumentacion, si dhe nga termat e referencës së nënshkruar mes shoqërisë kontraktore dhe Ministrisë së Punëve Publike, del qartë se punimet e në tunelet e Kalimashit duhet të përfundonin në korrik të vitit 2010. Kjo do të thotë se qeveria ka marrë tunelin në dorëzim para kohe. Nxitimi i saj për ta përuruar tunelin për çështje elektorale ka bërë ajo çka ndodh në tunel të mos jetë përgjegjësi e kompanisë ndërtuese, por e qeverisë. Është kjo e fundit tashmë ajo që ka përgjegjësinë për shembjen e tunelit të Kalimashit.

Pasojat

Për Partinë Socialiste, një veprim i tillë do të thotë kosto financiare, por edhe burim rreziku për publikun. “Marrja në dorëzim para kohe e një vepre të pambaruar dhe në kushte teknike jo të plota përbën një burim rreziku për publikun dhe kosto shtesë financiare, të cilat nuk gjejnë asnjë justifikim publik, duke përbërë në thelb një shpërdorim të pastër të detyrës. Për më tepër, të gjithë jemi dëshmitarë të incidenteve të ndodhura edhe në pjesën e hapur të tunelit që ishte marrë në dorëzim nga qeveria shqiptare, por që asnjëherë nuk u bënë publike se cilat janë shkaqet dhe përgjegjësitë”, - tha deputeti socialist Damian Gjiknuri. Partia Socialiste denoncon gjithashtu edhe mungesën e informacionit për dëmet që ka shkaktuar shembja, si dhe për gjendjen e tunelit verior, i cili tashmë është formalisht nën përgjegjësinë e qeverisë sipas termave të referencës. “Duke qenë se ky segment, që është nën përgjegjësinë e qeverisë shqiptare, përbën një vepër publike sipas ligjit, informacioni për gjendjen dhe dëmtimet, nëse ka, duhet të jetë i pakufizuar dhe i verifikueshëm në vend. Por qeveria e Berishës nuk do të bëjë asgjë publike, megjithëse përditë po dalin fakte e ndodhin ngjarje të cilat flasin për një megakorrupsion me pasoja të rënda financiare në këtë vepër publike”, - vijoi Gjiknuri.

Thirrja
Nisur nga dokumentet e publikuara, Partia Socialiste i ka kërkuar Prokurorisë që të nisë urgjentisht hetimet në lidhje me këtë çështje. Deputeti socialist, Damian Gjiknuri, tha se Partia Socialiste është tejet e shqetësuar dhe e habitur se përse Prokuroria nuk po i nis hetimet. “Partia Socialiste nuk habitet nga mungesa e informacionit nga ana e përgjegjësve kryesorë të këtij megaskandali korruptiv. Ajo që na habit më tepër është indiferenca e Prokurorisë së shtetit, e cila hesht përpara fakteve kokëforta që janë në qendër të vëmendjes së opinionit publik. Partia Socialiste i kërkon publikisht Prokurorisë të sqarojë opinionin publik se përse nuk po fillon hetimin për shkaqet e shembjes së ndodhur në tunel, vepër kjo e marrë në dorëzim pjesërisht nga qeveria shqiptare, dhe që sipas ligjit përbën një objekt të padiskutueshëm të hetimit kryesisht nga ana e organit të akuzës? Përse nuk fillojnë hetimet për mënyrën e dhënies së kontratës dhe afatet e zbatimit të saj kur përditë po mësojmë se vepra është marrë në dorëzim përpara kohe për qëllime krejt elektorale dhe se afatet janë shkelur në mënyrë të njëanshme nga autoritetet shtetërore? Mungesa e sqarimit për opinionin publik e shoqëruar me mosveprim të organit të akuzës, e bën këtë të fundit bashkëfajtor në fshehjen dhe mosndëshkimin e krimit më të madh financiar të ndodhur ndonjëherë në historinë e këtij kombi”, - tha Gjiknuri.

Balla: “Berisha dhe klani i tij po përvetësojnë prona publike dhe private”

Partia Socialiste akuzon kryeministrin Sali Berisha se po grabit dhe po përvetëson pronat publike dhe private të shqiptarëve. Deklarata ka ardhur nga deputeti socialist Taulant Balla, i cili ka reaguar pas projektligjit të propozuar nga qeveria për tokën e papunuar. Sipas Ballës, ky ligj synon të shpronësojë edhe shqiptarët që jetojnë në fshat. “Vjedhja e radhës e këtij hajduti pronash dhe trojesh synon të shpronësojë shtresën më të varfër të shoqërisë shqiptare, fshatarët. Sali berishët kanë bërë gati së fundi ligjin për tokën e papunuar, që vendos dhënien e tokës së papunuar me të dhjetë. Pra Sali Berisha shumë shpejt do t’u vjedhë tokën e bukës edhe fshatarëve. Pasi vodhi votat më 28 qershor, pasi shiti detin, pasi vodhi me ligj tokat në bregdet, pasi familjarët, ministrat dhe këshilltarët e tij legalizuan vilat, pasi shpronësoi si në diktaturë pronarët në Orikum, Lalëz, Borsh apo në qendër të Tiranës, Sali Berisha shumë shpejt synon të shpronësojë edhe fshatarët. Mbledhja e fundit e oborrit ministror tregoi se tashmë se beu që qeveris me pahir vendin do të çojë në Kuvend ligjin që i jep për pak lekë tokat publike njerëzve të familjes. Partia Socialiste denoncon me forcë babëzinë e Berishës që kërkon të kthehet në një feudal të shqiptarëve, ndaj u bën thirrje të gjithë njerëzve që nuk duan të jetojnë nën feudin e berishëve të jenë më 20 nëntor në protestë bashkë me ne”, - tha Balla.

17 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›