Olldashi: Projekti më madhor për 2012, rruga Tiranë-Elbasan
Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi në një analizë të punës për vitin e shkuar dhe një panoramë të objektivave për vitin ku sapo hymë ka theksuar se portofoli më i rëndësihëm për vitin që sapo lamë pas ka qenë ai ndërtimit të rrugëve në të gjithë vendin. Gjithashtu sipas kreut të transporteve vëmendje kanë pasur edhe ndërtimi i rreth 145 objekteve të Ujsjellës-Kanalizimeve dhe i 1138 banesave sociale.
Për 2012 Ministri përcaktoi si një ndër objektivat kryesor përfundimin e Tunelit të Krrabës. Gjithashtu Olldashi ka theksuar se do të investohet në rrugë, ujësjellësa, strehim dhe infrastrukturë.
“Nëse do të më duhej ta përmblidhja me një fjali do të thotë se objektivi më madhor do ishte dritë në tunelin e Krrabës. Shumë shpejt, më shpejt nga sa e mendoni ju do të shohim dritë në këtë tunel, dhe do ndërtohej e gjithë rruga Tiranë-Elbasan” tha Olldashi.
Në raportin vjetor ministri Olldashi përmendi edhe përmirësimin e infrastrukturës në aeroporte dhe në portet detare të vendit.