Berisha: Imunitetin nuk e dorëzoj pse thotë opozita
Kërkesa e opozitës ndaj kryeministri Berisha që ky i fundit të dorëzojë imunitetin e deputetit, për tu hetuar për tragjedinë e Gërdecit duket se ka rënë në vesh të shurdhër. Kryeministri Berisha ka deklaruar dje para mediave se nuk ka ndërmend ta pranojë këtë kërkesë të opozitës, pasi nuk është në kompetencën e saj një nismë e tillë. "Unë gjykoj që opozita është opozitë. Në një vend, imunitetin ka institucion tjetër që e kërkon, nëse opozita merr përsipër të bëjë të gjitha rolet e institucioneve, kjo është tjetër gjë", është shprehur Kryeministri, duke lënë të kuptohet se imunitetin duhet të kërkohet nga institucioni i akuzës. Më tej kreu i qeverisë ka theksuar se nëse Prokuroria e Përgjithshme do ti kërkojë imunitetin e deputetit atëherë, ai do ti përgjigjet kërkesës së saj "ne kemi një zotim si mazhorancë dhe e kemi faktuar këtë. Ne u përgjigjemi çdo kërkese të institucioneve të vendit, pasi ky është zotimi ynë". Me tej gjatë deklaratës së tij kryeministri i vendit i ka kujtuar opozitës se mund ta trajtojë tragjedinë e Gërdecit si politike dhe është normale që çdo opozitë ka të drejtë të mbajë qëndrimet e saj. Nuk mund të them tha kryeministri, që opozita është jashtë të drejtave të veta, opozita është në të drejtat e veta. Prej gati një javë kryefjala e opozitës është dorëheqja e kryeministrit Berisha dhe heqja e imunitetit të tij si deputet për ti dhënë mundësi organit të akuzës që të hetojë mbi fajtorët e tragjedisë së Gërdecit. Opozita ka këmbëngulur në qëndrimin e saj se fajtor për tragjedinë e Gërdecit është kryeministri Berisha dhe kabineti i tij qeverisës të cilët kanë lejuar ngritjen e kësaj fabrike të demontimit të municioneve në pikën me nevralgjike të vendit, pranë kryeqytetit, pranë autostradës Durrës-Tiranë, pranë aeroportit të vetëm të Shqipërisë edhe në mes të një zone e cila është mjaft e populluar. Debati për tragjedinë e Gërdecit tashmë është ulur këmbëkryq në parlament, prej disa seancash opozita dhe mazhorancës po debatojnë mjaft në kuvend për të nxjerrë publikisht fajtorët e tragjedisë. Ky debat pritet të rinisë sërish sot në seancën e radhës parlamentare, megjithë insistimin e mazhorancës për ta lënë mënjanë çështjen Gërdeci që të merret organi i prokurorisë me hetimin dhe më pas gjykata me dënimin e fajtorëve. Pretendim i cili nuk është mirë pritur nga opozita e cila tre ditë më parë manifestoi në mënyrë të heshtur në bulevardin qendror në kryeqytet. Mijëra qytetarë iu bashkëngjitën këtij marshimi të heshtur të cilët në shenje dhimbje ndezën qirinj para kryeministrisë dhe presidencës. Nuk pati thirrje, flamuj politik apo fjalime politike, por vetëm lot të cilat i kujtonin qeverisë që duhet të gjejë dhe ndëshkojë maksimalisht të gjithë fajtorët pavarësish se çfarë posti të lartë kanë ata.
SSSASS