E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita rikthen çështjen e "Gërdecit"

Opozita pritet të insistojë sërish tek gjetja e fajtorëve që shkaktuan tragjedinë e Gërdecit. Në seancën e sotme të Kuvendit deputetët e Partisë Socialiste do të vijojnë debatin për atë çka e cilësojnë korrupsion shtetëror. Burimet nga selia rozë sqarojnë se akuzat do të bazohen mbi të njëjtat argumente të seancës së shkuar. E reja ka të bëjë me materialet shtesë që kanë dalë në dritë përmes medias gjatë ditëve të fundit.

Insistimi

Arsenali luftarak i opozitës do të ketë si objektiv kryeministrin Sali Berisha dhe ministrin e dorëhequr Fatmir Mediu. Largimi nga posti i kryeministrit dhe heqja e imunitetit do të jenë kërkesat kryesore për kryeministrin Sali Berisha. Socialistët në këtë qëndrim do të jenë në të njëjtën linjë edhe me partitë e tjera të opozitës. Të majtët e cilësojnë kreun e qeverisë kryefajtor për tragjedinë. Sipas tyre, Berisha ndodhet në një përpjekje skandaloze për tu shfajësuar, me një gjuhë të denjë vetëm për një bos qarqesh ilegale, e jo për një kryeqeveritar të një vendi që pret ftesën për në NATO. Socialistët mendojnë se shefi i kabinetit qeverisës duhet të merret i pandehur i Prokurorisë së Republikës së Shqipërisë. Pakica parlamentare do të përqendrohet edhe në mbrojtjen e institucioneve të pavarura. Në këtë linjë do të denoncohet përpjekja e kryeministrit për të ndërhyrë në punën e Shërbimit Informativ Shtetëror. Kjo referuar deklaratave të fundit të Berishës se institucionet e sigurisë kanë nevojë për një reformim të thellë.

Uniteti

Ndonëse me probleme të trashëguara nga debati i para pak ditëve për reformën zgjedhore, të majtët duket se do të jenë unik në kërkesat e tyre përballë qeverisë. Si për të vërtetuar në këtë formë se tragjedia e Gërdecit u ka kujtuar pesë krerëve të së majtës se janë në të njëjtën llogore përballë qeverisë. Strategjia e tyre politike pritet të jetë në të njëjtën gjatësi vale duke mos pasur diferenca. E vetmja pikë që pritet të sqarohet është nëse do të insistojë apo jo kreu i Partisë Aleanca Demokratike në kërkesën për ngritje të një komisioni hetimor parlamentar. Në seancën e fundit Neritan Ceka deklaroi se kishte filluar të mblidhte firma për të konkretizuar një nismë të tillë. Veprim që siç duket ka hasur që në fillim me mungesën e mbështetjes prej drejtuesve të grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›