E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi: Transporti hekurudhor i rrezikshëm, do e japim me koncesion

Ardhja e investitorëve të huaj në Shqipëri, ka hapur dritën jeshile për përmirësimin e sistemit hekurudhor në Shqipëri. Dje në ditën e dytë të konferencës ndërkombëtare për investitorët e huaj në Shqipëri,(të ardhur nga 30 vende të botës), Qeveria shqiptare ka kërkuar prej tyre që të marrin me koncesion hekurudhën shqiptare. Ky sektor, i cili prej 20 vjetësh është krejtësisht i amortizuar dhe në pjesën më të madhe jashtë funksionit, pritet të jepet me koncesion, si e vetmja mundësi për ti shpëtuar falimentit. Vetë ministri i Transporteve Sokol Olldashi ka pranuar se ky sektor ka nevojë për investime urgjente. Më duhet të pranoj që gjendja e infrastrukturës hekurudhore nuk është aspak e mirë. Ne kemi një rrjet të vjetër, po hasim problematika të mëdha për sa i përket transportit të pasagjerëve. Për shkak të amortizimit dhe shpejtësisë mesatare, ne jemi të prirur dhe po përpiqemi të ngjallim interes në një dhënie me koncesion të sektorit hekurudhor, sigurisht duke mbajtur subvencionin për transportin e pasagjerëve, që është me humbje por duke pasur parasysh faktin, që transporti i mallrave në hekurudhë vazhdon të jetë fitimprurës, deklaroi ministri Olldashi. Ai i ftoi investitorët e huaj të bëhen pjesë e realizimit të projekteve në infrastrukturë. Ndërsa, nënkryetarja e bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku ka prezantuar para investitorëve lehtësitë që ofron kryeqyteti për sipërmarrjen e huaj. Prioriteti ynë kryesor është sigurisht, ofrimi i mundësive reale për investim. Për çdo biznes të ri, që punëson më shumë se 50 persona, ka përjashtim nga taksat lokale për 4 vite. Për çdo biznes të ri, i cili punon në fushën e infrastrukturës, punëson më shumë se 75 persona, ne ofrojmë përjashtimin e taksave lokale, ndërsa për taksën e infrastrukturës një ulje prej 30 deklaroi nënkryetarja e bashkisë së kryeqytetit, Jorida Tabaku. Për dy ditë me radhë në Tiranë u mbajt konferenca ekonomike e investitorëve të huaj, e organizuar nga Agjencia Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve të Huaja. Mbi 100 biznese nga vendet anëtare të bankës Islamike për Zhvillim morën pjesë në të dhe shumë prej tyre, të cilët shprehën interes për investime në sektorë të tillë si energjia, infrastruktura, turizmi apo sektori minerar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›