Takimi Merkel-Cameron per integrimin e Eurozones

Në takimin bilateral mes Angela Merkel dhe David Cameron në Berlin është diskutuar rëndësia që ka pakti fiskal por duke theksuar se nuk është i mjaftueshëm për zgjidhjen e krizës. Në konferencën për shtyp të dy liderët kanë dekalruar se pakti i bilancit mund të jetë një element i rëndësishëm por që nuk mjafton. Një afirmim i fuqizuar ky i Merkel e cila ka deklaruar se pakti mbetet një nga kushtet e nevojshme por jo të mjaftueshme për ta çuar Eurozonën jashtë krizës.
“Përsa i përket krizës aktuale është e rëndësishme të theksojmë se kemi krijuar instrumentat për mbështetjen e Eurozonës, se Gjermania është e gatshme të punojë me instrumentë të tillë të nevojshëm, se kjo është një shprehje e vullnetit tonë politik për ta mbajtur eurozonën në një situatë të qëndrueshme në mënyrë që zona euro të bëjë pjesën e vet për tu përfshirë në rritjen ekonomike globale”, vlerësoi ajo.
Mes elementëve që duhet të kompletojnë paktin fiskal sipas kryeministrit britanik është i rëndësishëm bashkimi bankar.
“E kuptoj përse vendet e Eurozonës dëshirojnë të vlerësojnë projektin për një bashkim bankar. Pavarësisht se Britania e Madhe nuk bën pjesë në hapësirën euro, është një nga anëtaret e Bashkimit europian që nuk dëshiron paktin fiskal për më shumë fuqi dhe kontroll të financave publike, është e interesuar gjithsesi për një fund të krizës së borxheve për t’u rikthyer në një rritje të shëndetshme në Europë”, u shpreh kryeministri britanik.
Cameron është shprehur optimist se vendet e monedhës euro do ta forcojnë integrimin e tyre në muajt e ardhshëm dhe pavarësisht se nuk jemi pjesë e eurozonës, ka thënë ai, jemi shumë të interesuar që të përballemi me këto tema në mënyrë që e ardhmja të funksionojë mirë.