Olldashi: Unazën e Madhe e duam ne
Unaza e Madhe e Tiranës është shndërruar në pengun e radhës në konfliktin politik mes kreut të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, dhe ministrit të Punëve Publike, Sokol Olldashi. Gjatë ditës së djeshme, të dy krerët e këtyre institucioneve i kanë drejtuar akuza njëri-tjetrit lidhur me projektin e ndërtimit të Unazës së Madhe, me vlerë rreth 1.2 miliardë lekë. Ministri Olldashi ka kërkuar nga Bashkia e Tiranës që t‘i dorëzojë projektin e Unazës së Madhe dhe më pas të jetë qeveria ajo që ta ndërtojë këtë objekt publik. Kjo me pretendimin se kostoja e shpronësimeve prej rreth 2 miliardë lekë është tepër e lartë për bashkinë, por edhe për kohëzgjatjen prej 3 vjetësh që është planifikuar ndërtimi i saj. Ministria e Transporteve pretendon se ka miratuar fondin dhe ka përgatitur listat e familjeve që do të përfitojnë nga procesi i shpronësimit. Ndërsa, Bashkia e Tiranës deklaron se procesi nuk është ende gati për shkak të vonesave të krijuara nga qeveria. "Prej shumë kohësh qeveria ka shprehur gatishmërinë e saj për të përballuar shpenzimet e shpronësimeve për Unazën e Tiranës, duke qenë se vlera e shpronësimeve është një vlerë e madhe që do të rëndonte buxhetin e bashkisë", tha ministri Olldashi, i cili shtoi se buxheti për këtë projekt është miratuar në qershor 2008. Ndërkohë, kryebashkiaku Rama, gjatë mbjelljes së 260 pemëve dekorative përgjatë rrugës "Ali Demi" u shpreh se, "ka filluar viti i fundit i stërmundimeve të keqqeverisjes dhe viti i parë kur një shpresë e re do të marrë rrugë". Nga ana e tij, ministri i Punëve Publike pranon se, nga momenti kur janë miratuar shpronësimet dhe është bërë shpallja publike e emrave të pronarëve që shpronësohen si rezultat i ndërtimit të Unazës procesi nga ana e MPPTT është i kryer dhe mbetet vetëm për kalimin nga ana e Vendimit të Këshillit të Ministrave për të bërë pagesën e këtyre pronarëve. Sipas tij, në buxhetin shtesë që ka pasur MPPTT-ja në mesin e vitit të kaluar, është krijuar fondi prej 2 miliardë lekësh për të qenë kryesisht të destinuara për shpronësimin e pronarëve që preken nga ndërtimi i Unazës së Tiranës vlera e të cilit shkon 1.2 miliardë lekë. "Bashkia e Tiranës ende sot e kësaj dite nuk ka të siguruara fondet për ndërtimin e unazës. Bashkia ka qenë në kontakte të vazhdueshme me BERZH për të marrë nga kjo bankë një kredi për ndërtimin e unazës për shkak të mungesës së aftësive paguese të bashkisë kjo kredi ende nuk është konkretizuar as sot e kësaj dite", sqaroi kreu i MPPTT-së. Ndërkohë që drejtuesit e bashkisë e kanë pasur gati përgjigjen për ministrin Olldashi që rimori fjalën një ditë pas Kryeministrit Berisha për Unazën e Madhe të Tiranës. "Është bërë gati projekti për këtë segment; kemi marrë miratimin paraprak të kredisë nga Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim; kemi marrë edhe miratimin e Këshillit Bashkiak dhe kemi qysh në prillin e shkuar, që presim qeverinë të bëjë detyrën e saj ligjore për garantimin e fondit të shpronësimeve", u shpreh nënkryetari i bashkisë, Eduard Shalsi. Nga ana tjetër i gjendur në projektin e mbjelljes së pemëve dekorative, kryebashkaiku Rama theksoi se, "Vetëm më pak se 6 muaj na ndajnë nga momenti i ndarjes me stërmundimet keqqeverisëse dhe sot ne e rihapim këtë sezon mbjelljesh së shpresës dhe njëkohësisht të dëshmive në të gjithë kryeqytetin të kësaj perspektive për Tiranën, që qëndron ndër të tjera dhe te përmasa e saj e gjelbër, duke vazhduar të këmbëngulim në domosdoshmërinë që nismës tonë t‘i bashkëngjiten sa më shumë sipërmarrës". Projekti i Unazës së madhe mund të përfundojë pas tre vjetësh, gjithnjë nëse puna nis këtë vit.