E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi i pergjigjet me fakte akuzave te Rames

Ka apo nuk ka një plan kombëtar të transportit? Ka apo nuk ka investime serioze në infrastrukturën rrugore? A i plotësojnë standardet e kërkuara nga BE?
Një ditë më parë kryesocialisti Rama akuzoi Olldashin për mungesën e Planit Kombëtar për investimet në rrugët e vendit.
Një ditë më pas ministri i transporteve Sokol Olldashi i përgjigjet me fakte liderit socialist.
Olldashi e akuzoi ish-mazhorancën socialiste se e kishte lënë vendin pa një plan transporti, ndërsa nënvizoi se Qeveria Berisha në 10 maj të vitit 2006, pra një vit pas ardhjes në pushtet, hartoi Planin Kombëtar të Transportit që analizon trafikun, kuadrin ligjor institucional, detajimet përkatëse dhe infrastrukturën rrugore, etj.
Ministri i Transportit publikoi për gazetarët statistikat e investimeve në rrugë që përgënjeshtrojnë deklaratat e Edi Ramës në tryezën e opozitës për infrastrukturën e mbajtur të mërkurën.
Ndërkohë sipas tij me Fondin Shqiptar të Zhvillimit janë investuar në total 26.7 miliardë lekë për rrugët.
Ministri i Transportit tha se përmes fondeve të lëvruara nga Qeveria përmes Ministrisë së Brendshme dhe Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve janë financuar “111 projekte në qarkun e Tiranës; 116 në Shkodër; 61 projekte në Lezhë; 142 projekte në Korçë; 68 projekte në Kukës; 73 projekte në Vlorë; 97 projekte në Gjirokastër; 94 projekte në Fier; 108 projekte në Elbasan; 64 projekte në Durrës; 84 në Dibër; 53 në Berat”, që sipas Olldashit përbëjnë në total 28 miliardë lekë investime.
Ministri Olldashi duke iu referuar statistikave të vërteta theksoi se “prej vitit 2005 e deri më tani qeveria shqiptare duke bashkuar të tre programet ka ndërtuar 9103 kilometra rrugë në territorin e Shqipërisë, të cilat sipas tij nuk mund të pjesëtohen nga Rama as me 10 e as me më shumë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›