E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi inauguron punimet e rrugës Lushnje-Hyzgjokaj

Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, z. Sokol Olldashi, së bashku me deputeten e Qarkut të Fierit, znj. Mesila Doda, përuruan fillimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugës që lidh qytetin e Lushnjes me qendrën e Komunës Hyzgjokaj.

Gjatë fjalës së tij ministri Olldashi u shpreh: “Jam shumë i kënaqur që brenda një kohe shumë të shkurtër nga fushata e fundit zgjedhore jemi në gjendje të përmbushim një premtim që iu bë banorëve të Komunës Hyzgjokaj për rikonstruksionin e rrugës që lidh qytetin e Lushnjës me qendrën e Komunës Hyzgjokaj”. Duke u ndalur ne parametrat e rrugës dhe rëndësinë që do të ketë ajo për zonën ministri Olldashi u shpreh se: “Sot inauguruam këtë segment që është 4 km i gjatë me një vlerë prej 60 milion lekësh të reja, me gjerësi rruge 5m, me pankina në të dyja anët në 0.75 m. Pra një standard rrugor shumë i mirë, më se i mjaftueshëm për trafikun e kësaj zone që është një nga zonat bujqësore të rëndësishme të pellgut të Lushnjës, veçanërisht për prodhimet e perimtarisë, prodhimin e serave. Besoj se me këtë rrugë i gjendemi pranë komunitetit të Hyzgjokajt, i japim një mundësi aksesi të shpejt në treg dhe plotësojmë një kërkesë të vazhdueshme të tyre për përmasimin e infrastrukturës”. Gjatë fjalës së saj, znj. Doda theksoi se investimet në infrastrukturë janë kryefjala e kësaj qeverisje, si dhe ato nuk mbeten premtime të thjeshta elektorale.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›