E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: ARMO, marrëveshje me kompanitë për shitjen e naftës D2



Nxjerra jashtë tregut të karburanteve të naftës D2 apo naftës dizel siç njihet ndryshe, është një detyrim i lënë nga BE-ja, që qeveria shqiptare duhej të plotësonte. Ndaj, duke nisur nga 1 janari 2009, në vendin tonë nuk importohet naftë e cilësisë D2. Por nafta e kësaj cilësie do të tregtohet vetëm nga e vetmja kompani shqiptare e naftës, ARMO. Kjo kompani brenda një viti do të bëjë investimet e duhura për të përpunuar naftën dhe të nxjerrë në treg nënprodukte të standardeve evropiane. Një masë e tillë është marrë nga qeveria me qëllim që të mos dëmtohen punonjësit e kësaj ndërmarrjeje. Por nga ana tjetër, qeveria ka marrë masa që mos të krijohet monopol në tregun e karburanteve, duke i lejuar ARMO-s të bëjë marrëveshje me kompani të tjera për të shitur naftën D2. Ka qenë ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës, Genc Ruli, i cili ka detajuar për gazetarët masat që ka marrë qeveria shqiptare në tregun e karburanteve. Ministri Ruli shpjegoi dje për gazetarët arsyet e vendimit që ka marrë qeveria për lejimin e tregtimit gjatë vitit 2009 të asaj që njihet si “nafta D2” e prodhuar në vend nga ARMO sh.a.: “Qëllimi i masave të ndërmarra nga qeveria në sektorin dhe tregun e hidrokarbureve gjatë viteve 2007–2008, ka qenë përafrimi i legjislacionit dhe kuadrit rregullator të përdorimit të hidrokarbureve në respekt të normave mjedisore të zbatuara nga vendet e BE-së dhe ato që janë në proces integrimi. Ato bazohen në legjislacionin tonë për mbrojtjen e mjedisit dhe ruajtjen e konkurrencës së lirë në tregun hidrokarbur, më konkretisht të gazoilit D2”, - ka thënë ministri Ruli duke sqaruar se nga 1 janari 2009 është ndaluar përdorimi për automjete dhe gjeneratorë, i naftës D2 në tregun shqiptar për shkak të përmbajtjes së lartë të squfurit (mbi 1500 mg/kg) me objektivin që më 1 janar 2012 në Shqipëri të mos përdoret gazoil me përmbajtje më shumë se 10mg/kg. Ky është një detyrim i MSA-së dhe i Traktatit të Komunitetit të Energjisë. “Por, përjashtimisht, për vitin 2009 lejohet të përdoret vetëm gazoili D2 që nxirret nga nafta e vendit dhe rafinohet në Shqipëri dhe kjo bëhet për arsye se nafta shqiptare me përmbajtje të lartë squfuri nuk ka treg jashtë vendit, ka teknologji përpunimi të dobët dhe rafinohet vetëm në Shqipëri. Ta bllokoje përdorimin e saj nga 1 janari, do të thotë të bllokoje të gjithë sektorin e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës, që sot punëson 6500 punëtorë”, - tha ministri Ruli. Por nga ana tjetër, ai ka siguruar se me investimet e duhura teknologjike (të pakryera deri më sot) dhe që janë parashikuar në kontratën e shitjes së ARMO-s, brenda një viti ajo mund të përpunohet për të nxjerrë nënprodukte brenda standardeve të pranueshme mjedisore. “Një vit, që është koha e lënë për të kryer këto investime, gjykoj që është një kohë e mjaftueshme, madje mendoj se do të realizohet edhe më parë”, - theksoi ministri Ruli. Ministri i ka sqaruar gjithashtu gazetarët edhe për ndikimin e masave të marra në tregun hidrokarbur në mbrojtje të mjedisit. Sipas tij, konsumi mesatar vjetor i produkteve të naftës është 420 mijë tonë në vit, 340 mijë tonë janë nga importi dhe vetëm 80 mijë tonë prodhohen në vend. Nga nafta e importuar, vetëm 120 mijë tonë kanë qenë naftë D1 dhe pjesa tjetër, naftë D2, me elementë ndotës. “Vendimi i qeverisë për të nxjerrë nga tregu naftën D2 (me përjashtim të asaj të rafinuar nga ARMO), sjell si rezultat që në vitin 2009 e zbresim përdorimin e naftës D2 në vetëm 80 mijë tonë, çka sjell një impakt të madh në mjedis”. Ministri Genc Ruli ka folur edhe për mbrojtjen e konsumatorëve në treg dhe eliminimin e monopoleve: “Është normale të krijohet shqetësimi që me një prodhues të vetëm potencialisht të mund të krijohet situatë monopol në treg, por me masat e marra nga qeveria dhe Autoriteti i Konkurrencës, do të shmangen këto pasoja. Projektligji që po përgatitet dhe do të miratohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave, parashikon se si ARMO, prodhuesi i vetëm i D2 në vitin 2009, do të kufizohet për të shmangur pozicionin dominues në treg. Pra, 80 mijë tonë naftë D2 të prodhuara nuk do të lejohet t’i shesë vetë, por detyrohet të bëjë marrëveshje kontraktuale me subjektet tregtare me shumicë. Çmimi i shumicës do të orientohet nga kostoja dhe niveli u çmimit të D2 në tregun rajonal”. Në çdo rast, sipas ministrit Ruli, sasia prej rreth 80 mijë tonësh D2 e ARMO-s përbën vetëm 19 për qind të gazoilit të konsumuar në vend në një vit. Gjithashtu, ndryshe nga një vit më parë, kur nafta e ARMO-s dhe nafta e importuar kishin akciza të ndryshme, vendimi për aplikimin e një akcize të njëjtë në tregun hidrokarbur, garanton barazi në treg.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›