E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontratat e mirëmbajtjes lidhen në mars

09/01/2009  Aparaturat e shtrenjta në QSUT

Nis puna për riparimin e aparaturës së koronografisë, e cila prej më shumë se një javë ishte e prishur, gjë që ka shkaktuar një fluks të pacientëve që kërkonin trajtim të specializuar në repartin e kardiologjisë. Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka pohuar se gjatë javës së ardhshme kjo aparaturë do të jetë sërish në punë për kryerjen e analizave përkatëse të pacientëve. Drejtoresha e QSUT-së ka pohuar se “menjëherë pas njoftimit të dhënë nga ekipi i mjekëve të pavijonit të kardiologjisë defekti në aparaturën e hemodinamikës është rregulluar dhe koronarografia do të kryhet normalisht javën e ardhshme në QSUT”. Ndërkohë ajo ka shpjeguar se për mirëmbajtjen e aparaturave gjatë muajit mars do të lidhen kontratat me firmat prodhuese. Këto të fundit do të marrin përsipër rregullimin dhe mirëmbajtjen e tyre për aq kohë sa e lejon kontrata. Janë rreth 50 aparatura të shtrenjta, të cilat shërbejnë për diagnostikimin e sëmundjeve të rënda në popullatë, por që në shumë raste paraqesin probleme për shkak të avarive që paraqesin. Megjithatë, në QSUT ka dhe aparatura që prej disa vjetësh janë të prishura, pa mundur as të rregullohen dhe as të zëvendësohen. Përkundrejt kësaj situate në buxhetin e QSUT-së për vitin 2009 është parashikuar shtimi i investimeve, gjë që do të ndihmojnë në zgjidhen e këtij ngërçi të trashëguar prej kohësh. Konkretisht në buxhetin e investimeve është parashikuar fondi prej 8 milionë eurosh për aparaturat e reja të spitalit të ri si dhe blerja e liptotripit (aparati i thyerjes së gurëve në veshka). Njëkohësisht janë parashikuar edhe 50 milionë lekë për aparatura të tjera të domosdoshme në përmirësimin e situatës shëndetësore në vend.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›