E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Qeveria të zgjidhë situatën monopol në tregun e hidrokarbureve

Kreu i Partisë Socialiste zhvilloi dje një takim me përfaqësuesit e Shoqatës së Hidrokarbureve, ku temë diskutimi ishte vendimi i qeverisë për të hequr nga tregu naftën D2. Pas takimit, Rama zhvilloi një konferencë për shtyp, duke shprehur shqetësimin rreth situatës së krijuar nga vendimi i qeverisë. "Pata një takim me përfaqësuesit e Shoqatës së Tregtarëve të Hidrokarbureve për një çështje, e cila është qartësisht një çështje themelore e garancisë së konkurrencës së lirë në këtë vend", tha kryesocialisti Rama, duke shtuar se, Autoriteti Kombëtar i Konkurrencës e ka trajtuar paraprakisht këtë çështje dhe ka arritur në konkluzionin se, "qeveria duhet të tërhiqet nga një vendim, i cili cenon konkurrencën dhe kërcënon shumë nga operatorët që janë në treg falë konkurrencës së garantuar prej shumë e shumë vitesh, edhe pse ky është një treg që ka nevojë për rregullime të ndjeshme".

Sipas Edi Ramës, Bashkimi Evropian, të cilit përfaqësuesit e qeverisë dhe vetë Kryeministri, i referohen lidhur me këtë çështje, sigurisht që ka ekzigjenca të forta, që kanë të bëjnë me ndotjen e mjedisit. Sigurisht, vijoi Rama, BE kërkon prej nesh angazhime konkrete për frenimin e kësaj ndotjeje dhe pa dyshim që mirëpret edhe masat në drejtim të njërit prej burimeve më të mëdha e më të rrezikshme të ndotjes, që është pikërisht burimi i lëndëve që djegin makinat në Shqipëri. Por, sipas tij, BE ka mbi të gjitha një standard të standardeve. Ky është që: S‘mund të ketë dy standarde. "Sot, ne jemi në kushtet kur qeveria po përdor dy standarde në çështjen në fjalë dhe interesat e prodhimit vendas, kur vjen fjala për naftën që është një pasuri shumë e çmuar kombëtare e çdo vendi, janë një koncept që duhet parë dhe duhet trajtuar me shumë kujdes. Sot të gjitha vendet kur flasin për interesa kombëtare flasin për rezervim dhe jo për shfrytëzim të burimeve të naftës", tha kreu i PS, pas takimit të zhvilluar me përfaqësuesit e Shoqatës së Hidrokarbureve. Në këtë pikë, Rama kërkoi nga qeveria që ta shohë çështjen me shumë qetësi, maturi, urtësi dhe transparencë, përpara se sa kjo të kthehet në një çështje eksplozive në mjedisin shqiptar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›