Edi Rama, me standarde të dyfishta me fetë
Kryetari i bashkisë anulon KRRT-në për Pashkët
E mblodhi kur ishte festa e bektashinjve
Edi Rama ka njoftuar anulimin e mbledhjes së Këshillit Rregullues të Tiranës, që pritej të zhvillohej sot. Arsyeja e anulimit ka qenë festa e Pashkëve Katolike, ditë që shënon dhe pushim për administratën shtetërore në përgjithësi. Por me këtë veprim, ai ka treguar dhe një herë se ka standarde të dyfishta në respektimin e feve. Pasi më 22 mars, ai nuk e pati për gjë ta mblidhte KRRT-në dhe të miratonte madje disa leje ndërtimi dhe pse atë ditë ishte festa e bektashinjve, një tjetër ditë pushimi për administratën shtetërore. Kryetari i bashkisë nuk ka kuptuar ende se festat kombëtare janë njësoj të gjitha dhe sidomos nga zyrtarët shtetërore nuk mund të pritet shfaqje preference të hapur, pasi Shqipëria është një shtet laik që i respekton të gjitha fetë dhe nxit bashkëjetesën mes tyre. Por mesa duket kreu i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht kryetar i bashkisë së kryeqytetit mendon se mund të punohet në festën kombëtare të Ashures dhe të bëhet pushim në festën kombëtare të Pashkëve.
Nuk është hera e parë që e shohim Edi Ramën në këtë rol dhe sjelljen e tij me dy standarde. Nuk dimë nëse ishte rastësi apo jo e njëjta situatë u krijua dhe me festën e Bajramit që vitin që shkoi ra në fillim të dhjetorit, ku kreun e PS-së nuk e pamë në urimin tradicional që krerët e shtetit dhe të politikës bëjnë në komunitetin mysliman, ndërkohë që nuk kishte pasur arsye të mungonte në festën e Krishtlindjeve. Sado të urojmë që të jetë vetëm një rastësi dhe të ketë ndodhur për shkak të ndonjë impenjimi tjetër, rasti me mbledhjen e KRRT-së lë shumë pikëpyetje në këtë aspekt. Për të mos përmendur faktin që kryebashkiaku po anashkalon në mënyrë të herëpashershme kërkesat dhe presionin e qeverisë për miratimin e planit rregullues të Tiranës. Megjithëse ndodhet në krye të kësaj bashkie në mandatin e tij të tretë ndërtimet vazhdojnë të bëhet pa një plan rregullues. Ndërkohë mbledhja e KRRT-së që parashikohej për sot ishte kritikuar nga ana e qeverisë dy ditë më parë, e cila i kërkonte Ramës që të mos vazhdonte me dhënien e lejeve të ndërtimit pa u miratuar plani. Në një deklaratë për mediat, drejtori i Drejtorisë së Politikave të Planifikimit Urban, Marin Biçoku, tha se “kemi kërkuar miratimin e planit e nuk do të pranojmë leje ndërtimi pa një plan rregullues të miratuar”. Ai tha më tej se donatorët kanë financuar planin, madje kanë pranuar shtyrjen e tij, por Rama po tejkalon çdo limit të mundshëm. “Qeveria dhe donatorët i kanë dhënë bashkisë 1.5 milion dollarë për hartimin e planit, dhe kanë pranuar 4 herë zgjatjen e afatit të përfundimit të kontratës me të vetmin qëllim, që Tirana të bëhet me plan. Ka katër muaj që plani është mbaruar dhe nuk paraqitet për miratim sipas ligjit”, - deklaroi Biçoku.