E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shehu: Kompensimi pas 3 muajsh

11/04/2009  Nëndrejtori i ALUIZNI-t bën të ditur afatet e shpërblimit për pronarët e ligjshëm

AKKP-ja do të japë paratë, pasi listat të miratohen në Këshillin e Ministrave

Tre muaj pasi qytetarët të jenë pajisur me lejen e legalizimit do të nisë kompensimi financiar për pronarët e ligjshëm. Bëhet fjalë për ato troje që janë të zëna nga ndërtime të paligjshme që kanë hyrë në procesin e legalizimit, pronarët e të cilave përfitojnë sipas ligjit nga kompensimi. Nëndrejtori i Agjencisë së Legalizimeve, Ferdinand Shehu, ka bërë të ditur në një prononcim se ligji e ka përcaktuar shumë qartë dhe saktë këtë procedurë. Gjithashtu, këto dy procese janë parashikuar të ecin paralelisht, çka do të thotë se menjëherë pas dorëzimit të lejes së legalizimit për qytetarët, ALUIZNI duhet të bëjë gati listat me emrat e përfituesve, të cilat duhet të marrin miratimin në qeveri. Më pas është Agjencia e Kthimit të Pronave që derdh kompensimin financiar në llogari të ish-pronarëve sipas një procedure që merr miratim në Këshillin e Ministrave.

Kompensimi

Numri 2 i Agjencisë së Legalizimeve, Ferdinand Shehu, ka deklaruar se po bëhen gati listat për kompensimin e atyre ish-pronarëve mbi trojet e të cilëve ka ndërtime pa leje. Sipas nenit 15, pika 1 janë zyrat rajonale të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave që kompensojnë subjektet brenda 3 muajve. “Bëhet balanca e këtyre dy strukturave marrja e të ardhurave nga qytetarët dhe pagimi i pronarëve të ligjshëm, është një procedurë e përcaktuar saktë”, - thotë Shehu. Për efekt të përllogaritjes së sipërfaqes së parcelës ndërtimore të zënë nga ndërtimi informal që kompensohet, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në qark e trajton atë si truall, në përputhje me metodikën për vlerësimin e pronës së paluajtshme, që kompensohet dhe asaj që do të shërbejë për kompensim, sipas ligjit nr. 9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar. Ndërkaq, këto objekte që marri lejet e legalizimit duhet të regjistrohen në hipotekë, proces që bëhet brenda dy javëve. “Ditën që ne japim lejen e legalizimit, 24 orë më pas çojmë dosjen në zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ka një praktikë tashmë dhe një administratë, e cila vepron për verifikimin e dokumentacionit tekniko-ligjor që është i domosdoshëm”, - tha Shehu. Deri më tani, sipas të dhënave të ALUIZNI-t, ka përfunduar azhornimi dhe përgatitja e dokumentacionit për marrjen e lejes së legalizimit për 170 mijë dosje.

Listat

Pas plotësimit të dokumentacionit, ALUIZNI miraton legalizimin e ndërtimit informal dhe lëshon lejen e legalizimit. Sipas nenit10 të ligjit, ALUIZNI i dërgon Këshillit të Ministrave për vendimmarrje materialin me të dhënat për çdo pronar të ligjshëm dhe për sipërfaqet takuese, jo më vonë se 30 ditë nga data e dërgimit të listës paraardhëse. Ky institucion ka nisur të dërgojë këto lista për miratim që prej datës 1 gusht të vitit të kaluar. Sipas ligjit, nga të ardhurat që do të mblidhen prej procesit të legalizimit 80 për qind do të shkojnë për të kompensuar ish-pronarët, pronat e të cilave janë zënë nga banorët që kanë ndërtuar në këto troje. Ndërsa 20 për qind e të ardhurave të mbledhura do të shkojnë për të financuar planet rregulluese të këtyre zonave.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›