Olldashi padit Sapartak Poçin për kontratën me Gjeneral Elektrik
Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, ka ngritur kallëzim penal ndaj paraardhësit të tij ish-ministrit të Transporteve Spartak Poçi në Prokurorinë e Tiranës. Përmes një padie që ka shkuar për dijeni edhe të Prokurores së Përgjithshme Ina Rama, Olldashi fajëson
ish-ministrin Poçi si përgjegjës direkt për dënimin e Shqipërisë nga Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit, në lidhje me çështjen e trenit elektrik. Olldashi ka mbështetur padinë e tij në argumentin se ish-ministri ka firmosur kontratën me Gjeneral Elektrik pa e kaluar atë në parlament, çka përbën jo vetëm shkelje të procedurës por solli edhe ndëshkimin për Shqipërinë. Sipas ministrit aktual të Transporteve, ish-ministri Poçi, në datën 3 dhjetor 2003, ka kërkuar zyrtarisht zbatimin e menjëhershëm të një pjesë të kontratës për trenin, në kundërshtim me ligjin dhe pa marrë ratifikimin në kuvend të marrëveshjes së huasë. Kjo sipas Olldashit ka shërbyer si prova kryesore në favor të kompanisë amerikane 'General Electrics', e cila ka fituar përfundimisht gjyqin ndaj qeverisë shqiptare për prishjen e njëanshme të kontratës së trenit. Gjykata e Arbitrazhit në Romë ka vendosur në favor të kompanisë amerikane, duke e dënuar Shqipërinë sipas Ministrisë së Punëve Publike me 12 milionë euro gjobë, shumë që rritet çdo ditë edhe për shkak të interesave. Olldashi i kërkon publikisht Prokurorisë që të hetojë këtë krim, i cili sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Punëve Publike, penalizon pa të drejtë buxhetin e shqiptarëve.
Kontrata
Ministria e Transporteve ka prishur në mënyrë të njëanshme kontratën për ndërtimin e të ashtuquajtur treni elektrik, një projekt i firmosur nga qeveria "Nano" në vitin 2003. Beteja ligjore mes qeverisë dhe General Electrik ka nisur që nga viti 2005, kur qeveria demokratike e sapoardhur në pushtet anuloi në mënyrë të njëanshme projektin me vlerë 74 milionë euro për ndërtimin e një linje hekurudhore që do lidhte Tiranën me Kavajën. Fillimisht Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit i dha të drejtë kompanisë amerikane, duke fajësuar qeverinë shqiptare për prishje të njëanshme të kontratës. Për rrjedhojë gjykata dënoi qeverinë me një gjobë prej 20 milionë dollarësh si pagesë që duhet të bënte për kompensimin e dëmit që i është shkaktuar kompanisë amerikane. Por qeveria nuk është pajtuar me vendimin dhe e ka çuar çështjen në apel.
Gjyqi
Në mes të marsit General Elektric fiton gjyqin, gjobë Shqipërisë 20 mln euro. Kompania amerikane General Elektric, fitoi përsëri betejën ligjore në arbitrazh kundër Shqipërisë duke arritur të marrë një dëmshpërblim prej 20 milionë euro, e cila është vendosur në formë gjobe si ndëshkim ndaj Shqipërisë, për prishjen e njëanshme të kontratës nga Ministria e Transporteve në Tiranë. Fatura e kripur financiare do të duhet të paguhet nga shteti shqiptar në zbatim të vendimit të gjykatave ndërkombëtare, të cilat dënuan Shqipërinë për kontratën e prishur me General Electric e cila ishte miratuar nga qeveria e drejtuar nga Fatos Nano, në vitin 2003. Një gjykatë amerikane konfirmoi dënimin e dhënë më parë nga Gjykata ndërkombëtare e arbitrazhit me qendër në Paris. Kontrata me General Electric u prish në vitin 2005, pasi qeveria shqiptare i dha rrugë një projekti për një tjetër linjë hekurudhore mes Tiranës dhe Kavajës. Pas dënimit me 20 milionë euro gjobë në Gjykatën e Arbitrazhit në Paris, qeveria shqiptare e apeloi vendimin ku sërish dënimi është lënë në fuqi ndërkohë që procedura gjyqësore ndërkombëtare po vazhdon.
Shtohet fatura për Genaral Elektrik, edhe 50 milion lekë për avokatët
Qeveria e Shqipërisë vendosi ti kalojë Ministrisë së Transporteve një shtesë fondi prej mëse 50 milionë lekë të vjetra për të paguar një studio ligjore italiane e cila do të mbrojë palën shqiptare në gjyqin e Apelit në Romë me kompanisë General Electrics. Sipas vendimit me titull për një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2010 miratuar për Ministrinë e Punëve Publike dhe transporteve. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë, dhe të nenit 13, të ligjit nr. 10190, datë 26.11.2009, Për buxhetin e vitit 2010, me propozimin e ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Këshilli i Ministrave vendosi dje që Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, në buxhetin e miratuar për vitin 2010, zëri Shpenzime operative, ti shtohet fondi prej 5 083 755 (pesë milionë e tetëdhjetë e tre mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e pesë) lekësh, për detyrimin ndaj studios ligjore Grimaldi & Associatti, për përfaqësimin e mbrojtjen në Gjykatën e Apelit, Romë, në çështjen gjyqësore ndërmjet General Electrics, Athena S.P.A, vs, kundër Republikës së Shqipërisë. Në pikën e dytë të vendimit, thuhet se fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Qeveria ngarkon Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit e Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi i cili hyn në fuqi menjëherë.
Poçi: Pasi të njihem me padinë e Olldashit, do jap sqarime
Historia disa vjeçare e kontratës së kompanisë amerikane General Electrics, e cila do të realizonte modernizimin e hekurudhës, Tiranë-Durrës nuk ka mbaruar. Qeveria shqiptare pasi e humbi gjyqin në Arbitrazhin Ndërkombëtar duke u gjobitur me 12 milion euro, tashmë fajëson ish ministrin e Punëve Publike dhe Transportit, Spartak Poçi për procedura të gabuara, duke kërkuar ndjekje penale për të. Nëpërmjet një njoftimi, Ministria e Punëve Publike bën të ditur se zoti Poçi ka lejuar zbatimin pjesor të kontratës pa u miratuar më parë në parlament dhe ky fakt ka shërbyer si një provë e pakundërshtueshme që qeveria shqiptare të humbasë gjyqin. Ndaj sipas ministrisë pagesa e shumës preh 12 milion euro është një kosto shtesë për buxhetin, ndërkohë që përgjegjësia është individuale e zotit Poçi. Ky i fundit i kontaktuar për këtë njoftim të ministrisë u shpreh se pasi të informohet plotësisht për këtë reagim do të japë sqarimet e nevojshme. Pak muaj para zgjedhjeve të 2005 qeveria Nano miratoi projektin për modernizimin e hekurudhës Tiranë- Durrës duke përdorur trena të shpejtësisë së lartë. Qeveria do të detyrohej që për herë të parë të përdorte kredi tregtare për realizimin e këtij projekti. Por pas ardhjes në pushtet të qeverisë Berisha, kjo kontratë u anulua me argumentin se kostot e tij ishin shumë të lartë dhe se nuk ishte një prioritet qeverisë. Pas këtij veprimi nisi kalvari i gjatë i ankimimeve në gjykatën ndërkombëtare.
Ornela Manjani