Dita kundër homofobisë, krerët e OJQ apel me frymë antishqiptare
Në ditën ndërkombëtare kundër homofobisë, edhe organizmat shqiptare u bashkohen të gjitha vendeve që luftojnë në mbrojtje të dinjitetit njerëzor, pavarësisht orientimit seksual apo identitetit të tyre gjinor nën moton Thyej murin e heshtjes, thuaji Jo homofobisë.
Por edhe pse tashmë kjo kategori sociale ka përfituar të drejta ligjore ndoshta më shumë se në shumë shtete të tjera të botës, krerët e shoqatave të ndryshme shqiptare, më shumë se sensibilizim në përkrahjen e personave me prirje seksuale brenda të njëjtës gjini, kanë përcjellë dje nëpërmjet mediave një frymë të ashpër antishqiptare. Kreu i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve Altin Hazizaj dhe kryetarja e shoqatës së Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut Elsa Ballauri janë shprehur dje se në Shqipëri se megjithë arritjet, Shqipërisë i duhet ende të punojë në të gjitha nivelet për të arritur barazinë dhe respektimin e dinjitetit për të gjithë shtetasit e saj. Gjuha e urrejtjes, fyerjes dhe kërcënimeve ndaj homoseksualeve, lesbikeve, biseksualëve dhe transeksualëve vazhdon të përbëjë shqetësim për jetën dhe të drejtat e tyre, kanë theksuar Hazizaj dhe Ballauri, ndërkohë që vetëm pak muaj më parë, shteti shqiptar ndërmori një ndër iniciativat më të diskutueshme në të gjithë botën, miratoi ligjin në mbrojtje komunitetit të homove dhe lesbikeve. Më 4 shkurt 2010, kuvendi miratoi Ligjin e ri Kundër Diskriminimit, i cili ndalon diskriminimin në baza të ndryshme, duke përfshirë orientimin seksual dhe identitetin gjinor. Me këtë hap, Shqipëria renditet në listën e shumë pak vendeve në Evropë të cilat në mënyrë eksplicite ndalojnë diskriminimin mbi baza të identitetit gjinor. Aktivistët për mbrojtjen e të drejtave të homoseksualëve në Shqipëri e përshëndetën madje deri në ekzaltim këtë ligj, i cili për aktivistë të tjerë të shoqërisë civile, në disa pika të këtij ligji arrihej deri në diskriminim ndaj qytetarëve të thjeshtë. Por pavarësisht këtyre hapeve të cilët duhen konsideruar si të mëdhenj jo vetëm për shoqërinë dhe shtetin shqiptar por edhe për ato pak shtete që kanë pasur guximin ti ndërmarrin, krerët e OJF-ve në Shqipëri duket se më shumë se qajnë hallin e homove dhe lesbikeve, ankohen ende para mediave, që zëri i tyre të dëgjohet tek ndërkombëtarët me qëllim që këta të fundit të mund të nisin më shumë fonde drejt Shqipëris, pikërisht pranë organizmave që ata drejtojnë. Si Hazizajn ashtu dhe Ballaurin i kemi parë shpesh ti mbrojnë me zjarr të drejtat e homove dhe lesbikeve në Shqipëri. Madje kemi dëgjuar prej tyre edhe përbuzjet e shumta që ky komunitet has në shoqëri, si përshembull largimet nga puna, dhunën psikologjike apo fizike etj. Por, Ballauri ose Hazizaj, do të bënin mirë të përmendnin qoftë një emër konkret se cili qenka ai homoseksual apo ajo lesbike që qenka keqtrajtuar fizikisht, emocionalisht apo që është pushuar nga puna vetëm pse ka prirje seksuale brenda gjinisë. Edhe pse ata kanë dalë me dhjetarë herë para kamerave, në emisione të ndryshme, deklarata të herëpashershme, nuk mbahet mend të kenë përmendur qoftë edhe një herë një emër të vetëm të një personi të tillë, të keqtrajtuar për shkak të prirjeve seksuale.
Fenomeni Klodi, reklamë
U përdor apo e përdorën, Klodi, i vetëdeklaruai i parë zyrtar shqiptar si homoseksual, arriti ti bënte një reklamë disaditore televizionit ku ai u pranua të bëhej pjesë e një programi televiziv. Fenomeni Klodi, në pamje të parë u duk se ngjalli polemika të shumta mes përkrahësve të komunitetit të homove e lesbikeve si dhe kundërshtarëve të tyre të flaktë, të cilët janë për një shoqëri tradicionale. Edhe dje në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë u përmend se deklarimi publik i homoseksualitetit të Klodit shkaktoi protesta në një qytet të Shqipërisë dhe se kjo tregon më së miri realitetin me të cilin përballen qytetarët ë këtij vendi. Por në të vërtetë, fenomeni Klodi nuk ishte asgjë më shumë se sa një reklamë që vetë një televizion arriti ti bënte vetes, sepse nëse shqiptarët vërtetë do të kishin atë kulturë sjelljeje ndaj një homoje, Klodi nuk do të ishte i sigurt as në shtëpinë e tij, jo më në shoqëri e jetë të përditshme tashmë që prej disa ditësh ai ka dalë nga emisioni televiziv. Por kumti i krerëve të OJF-ve në Shqipëri, sigurisht që thellësisht nuk ka të bëjë me frikën dhe dhunën që u kanoset komunitetit të homove apo lesbikeve, kumti i këtyre krerëve që kanë mbijetuar prej kaq e kaq vitesh, ishte për ndërkombëtarët, që të kthenin sytë me fonde për ta, me pretekstin se po punojnë në mbrojtje të viktimave të shoqërisë, e cila për hir të së vërtetës duhet thënë se është një ndër shoqëritë e pakta që nuk u ngrit në protesta masive ashtu siç mund të ndodhë në të gjithë botën, pas miratimit të ligjit që favorizon komunitetin gei dhe lesbike deri në diskriminim të qytetarëve të thjeshtë por me prirje normale seksuale.
Ligji atidiskriminim
Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi, në Nenin 1 të tij, garanton mbrojtjen e të gjithë qytetarëve pavarësisht gjinisë, racës, ngjyrës, etnisë, gjuhës, identitetit gjinor, orientimit seksual, bindjeve politike, fetare, ose filozofike, statusit ekonomik, arsimor ose shoqëror, shtatzanisë, përkatësisë prindërore, përgjegjësisë prindërore, moshës, gjendjes familjare ose martesore, gjendjes civile, vendbanimit, statusit shëndetësor, predispozicioneve gjenetike, aftësisë së kufizuar, përkatësisë në një grup të veçantë.