Topi në Itali me 40 biznesmenë shqiptarë
Presidenti Bamir Topi në vizitën e tij në Itali është shoqëruar edhe nga një grup prej 40 biznesmenësh. Dhoma e Tregtisë e Tiranës që ishte edhe organizatorja dhe financuesja e kësaj vizite, kishte përgatitur një plan të zgjeruar takimesh në Romë, Torino dhe Kalabri. Takimet kryesisht kanë përkuar me axhendën e Presidentit Topi, ndërkohë që për biznesmenët ishin planifikuar edhe një sërë aktivitetesh shtesë. Vizita e Torinos ka kulmuar me hapjen e zyrës së përfaqësisë së Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës në Torino. “Hapja e kësaj zyre të biznesit shqiptar në Torino shënon një moment shumë të rëndësishëm të bashkëpunimit midis dy vendeve tona”, - ka theksuar në ceremoni Presidenti Bamir Topi i cili ka përgëzuar organizatorët për këtë ndërmarrje të rëndësishme. “Ne synojmë që kjo zyrë të jetë një pikë e rëndësishme e kontakteve dhe e shkëmbimit të informacionit mes bizneseve të të dy vendeve. Ajo ka ardhur si një zhvillim i natyrshëm i marrëdhënieve të biznesit, investimeve dhe shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Italisë e cila renditet e para në këtë drejtim”, tha kryetari i Dhomës se Tiranës, Gjokë Uldedaj, në ceremoninë e hapjes së përfaqësisë së DHTI-së Torino. Në ditën e fundit të vizitës, delegacioni ka zhvilluar takime të rëndësishme me biznesmenë të Kozencës si edhe një vizitë në fshatin arbëresh Çivita. Në Kozencë nën kujdesin e Dhomës së Tregtisë së këtij qyteti dhe shoqatës Italbania është mbajtur një takim i zgjeruar biznesi ku kanë folur veç organizatorëve, edhe përfaqësues të biznesit nga të dy palët. Xhuzepe Galjoti, presidenti i Dhomës së Tregtisë së Kozencës, ka ftuar në fjalën e tij në këtë takim që Dhoma e Tiranës e njëlloj si ajo edhe dhoma të tjera të vendit tonë, të krijojnë përfaqësitë e tyre në këtë qytet.