E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi përuron hapjen e rrugës Novoselë-Vlorë

Një segment prej 16 kilometra i rrugës Levan-Vlorë është hapur për mjetet. Është segmenti Novoselë-Vlorë që, sipas ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi, është hapur përkohësisht, me qëllim për mirëfunksionimin e trafikut për sezonin turistik. Ky segment nuk ka përfunduar ende, për shkak se mungon sinjalistika, megjithatë hapja është bërë për të lehtësuar trafikun në sezonin e turizmit. Ky segment nga Novosela deri në Pusë Mezin do të mundësojë çlirimin e qarkullimit në këtë aks rrugor e sidomos në pjesët më të vështira, si kthesat e Bestrovës. Ministri Olldashi ka siguruar se me çeljen e sezonit turistik do të bëhet i mundur qarkullimi i mjeteve në një krah të rrugës në te gjithë gjatësinë Levan-Vlorë, ndërkohë që përfundimi i punimeve dhe hapja e kësaj rruge do të ndodhë në muajin shtator të këtij viti.“Është një hapje e përkohshme, jo e plotë e aksit, por është mjaft lehtësues për trafikun që vjen nga të gjitha zonat e Shqipërisë drejt qytetit të Vlorës. Kjo hapje e bën më të lehtë aksin Novoselë-Vlorë dhe transportimin e njerëzve dhe mallrave gjatë sezonit të pikut turistik”, tha Olldashi. Gjatë sezonit turistik fluksi i makinave shtohet në akset që të çojnë drejt Vlorës, në një kohë që aksi Fier-Vlorë është në një gjendje të rënduar. Përfundimi i këtij aksi rrugor është projektuar për të qenë 9 km më i shkurtër se segmenti aktual i rrugës së vjetër. Ndërkohe, pritet që shumë shpejt qeveria të fillojë zbatimin e pjesës së mbetur të autostradës që lidh by-pas Fier-Levan, duke përfunduar kështu segmentin jugor të autostradës së Shqipërisë në zonën bregdetare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›