Zgjedhjet, ja si po ndikojnë në buxhet
Vitet elektorale e afektojnë negativisht arkën e shtetit. Këtë e thonë ekspertët, por edhe realiteti i zhvillimeve buxhetore, sa herë janë zhvilluar zgjedhjet, të paktën në dekadën e fundit. Eksperienca tregon se, në vitet kur ka zgjedhje, ritmet e të ardhurave bien, shpenzimet rriten dhe për rrjedhojë rritet edhe deficiti buxhetor. Por nga ana tjetër këto zhvillime kanë edhe anën tjetër pozitive, për shkak se rrisin konsumin dhe investimet në ekonomi. Dekani i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, Omer Stringa, tha dje për mediat se vitet elektorale janë më të vështirat përsa i përket buxhetit të shtetit. Stringa thotë se sa më i pakonsoliduar të jetë shteti, aq më të mëdha janë efektet negative elektorale. Dekani Stringa shtoi se ndryshimet që do të pasojnë këtë vit buxhetor vijnë për shkak të ndërhyrjes së politikës në ekonomi. Sipas dekanit, për të përballuar më mirë problemet e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik, nevojitet që të stimulohen më shumë eksportet, në mënyrë që vendi të ulë varësinë ndaj importeve. Ky korelacion ndërmjet zgjedhjeve dhe buxhetit ka afektuar edhe buxhetin e këtij viti. Të dhënat zyrtare në lidhje me të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit tregojnë se shpenzimet buxhetore kanë njohur një rritje vjetore prej 16.8% gjatë tremujorit të parë të vitit 2011. Ndërsa të ardhurat në tremujorin e parë të vitit kanë njohur një rritje modeste prej 0.5% në terma vjetorë. Ndërsa deficiti buxhetor për të njëjtën periudhë të vitit 2011 shënoi një vlerë prej 11.8 miliardë lekësh, kundrejt suficitit prej 0.7 miliardë lekësh të regjistruar në fundin e të njëjtit tremujor një vit më parë. Madje, sipas një analize të Bankës së Shqipërisë, të ardhurat në raport me PBB këtë vit kanë pësuar rënie në krahasim me vitin 2010. Të shprehura në raport ndaj PBB-së, të ardhurat buxhetore në tremujorin e parë të 2011-s vlerësohen në rreth 26.5%, kundrejt 28.9% të vlerësuara në të njëjtin tremujor një vit më parë. Kështu ka ndodhur që nga 2001, 2005, 2007 dhe 2009-a, vite në të cilët janë zhvilluar zgjedhje. Në vitin 2009, kur u zhvilluan zgjedhjet e përgjithshme, mosrealizimi i të ardhurave buxhetore shënoi një hendek me 6.9 miliardë lekë, deficiti buxhetor u afrua në 7 për qind, duke shënuar nivelin më të lartë të dekadës. Mirëpo, përpos zhvillimeve që sollën zgjedhjet, ekonomia e vendit po vuante gjatë këtij viti edhe pasojat e krizës ekonomike globale. Por shpenzimet buxhetore gjatë vitit në fjalë u ndien nën presion edhe nga ndërtimi i veprës më të madhe të infrastrukturës në vend, rrugës Durrës-Kukës. Gjatë viteve elektorale, buxheti ndikohet nga faktorë direkt dhe të tërthortë. Në sektorin e të ardhurave administrata fiskale nuk është shumë aktive, ndërsa sigurisht që në sektorin e shpenzimeve qeveria është e prirur për t’i rritur ato, sidomos në rroga dhe pensione dhe investime të karakterit infrastrukturor. Mirëpo kjo tendencë e përshtatjes së buxhetit me interesa zgjedhore ka marrë kritikën e institucioneve financiare ndërkombëtare, FMN, i cili e ka këshilluar qeverinë që të aplikojë planet afatmesme dhe të ruajë parametrat e buxhetit, sidomos me kufirin e borxhit. Gjatë këtyre viteve, gjithashtu FMN është shprehur kundër rritjes së rrogave dhe pensioneve. Por nga ana tjetër, burimet në Ministrinë e Financave pohojnë se vendi po kalon një situatë të mirë buxhetore dhe se do të ruhen tërësisht parametrat që kanë lidhje me deficitin buxhetor, ashtu siç janë parashikuar edhe në buxhetin e vitit 2011. Kështu, në muajt në vazhdim qeverisë i lejohet të thellojë borxhin edhe me 34 miliardë lekë, ndërkohë që janë konsumuar rreth 12 miliardë lekë. Banka e Shqipërisë vlerësoi nga ana tjetër se projeksionet për të ardhmen mbështesin ruajtjen e ecurisë pozitive të ekonomisë shqiptare edhe në vazhdim të vitit 2011. Konsumi dhe investimet private pritet të rriten më tej, ndërkohë që pas ngadalësimit në vitin 2010, edhe sektori fiskal pritet të japë një kontribut pozitiv në rritjen ekonomike.