E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi, takim me fermerët në Fier

Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, zhvilloi dje një takim me fermerët e Qarkut të Fierit. Duke u ndalur në një bilanc të asaj që mazhoranca e djathtë ka bërë në këto katër vite, Olldashi tha se "katër vjet më parë premtuam që do ta ndryshonim situatën në pellgjet bujqësore të Shqipërisë dhe këtë e kemi bërë. Jo vetëm me subvencionet, por me skemën, gjetjen e mënyrës dhe të politikës së duhur për të stimuluar produktin bujqësor". Olldashi theksoi se në vitin 2007 ishin akorduar për zbatimin e skemës së subvencionit për Qarkun e Fierit 46 milionë lekë dhe kanë përfituar 180 fermerë. "Në 2008 u zbatuan tetë skema subvencioni dhe përfituan 450 fermerë nga fondi prej 87 milionë lekësh. Për 2009 kemi 16 skema subvencioni dhe një fond prej 100 milionë lekë", tha ai. Duke iu referuar modelit ekonomik të Partisë Socialiste, Olldashi tha: "Si mundet bujqit, fermerët, banorët e Myzeqesë apo Mallakastrës t‘i besojnë Kryetarit të Partisë Socialiste, kur 2 muaj më parë kërkoi të vendoste taksë për të gjithë ata që donin të hynin në Tiranë".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›