PDK: Qeveria, shkarkime masive në administratë
Pas PBDNJ-së janë demokristianët që denoncojnë sulmet politike që qeveria dhe konkretisht PD-ja ka ndërmarrë ndaj njerëzve të PDK-së, duke i pushuar nga puna. Deputeti Jak Ndokaj, gjatë një konference për shtyp deklaroi dje se PD-ja po bën një fushatë politike regresive, të bazuar në largime nga puna me votime politike dhe presione të ndryshme ndaj aktivistëve e figurave elektorale të PDK-së. Sipas Jak Ndokaj, shkarkimet po bëhen për shkak se tashmë njerëzit e kësaj force politike kanë nisur angazhimin e tyre në shtabet elektorale. Drejtuesit e lartë të PD-së dhe të qeverisë, nënvizoi Ndokaj, i kanë bërë shkarkimet në nivel qendror dhe lokal, pas kërcënimeve që ata kanë bërë për anëtarët e PDK-së, nëse ata duan të zgjedhin punën në shtet apo angazhimin e tyre në fushatën elektorale të PDK-së. "Në disa rrethe, si në Dibër apo Tiranë, fushata represive ndaj PDK-së po drejtohet nga titullarë të lartë të PD-së, ministra të rëndësishëm të kabinetit qeveritar, të cilët do të duhej të ishin zyrtarët më model në respektimin e ligjit për një fushatë elektorale të lirë, demokratike e të ndershme", u shpreh Ndokaj. Gjithashtu, funksionari i PDK-së denoncoi një numër të madh presionesh politike të ndërmarra nga administrata tatimore e doganore kundër njerëzve të biznesit dhe individëve të angazhuar përmes financimit apo kontributit vullnetar pranë PD-së. Sipas tij, akte të tilla janë të dënueshme nga ligji, dhe përbëjnë një kërcënim për barazinë dhe klimën zgjedhore. Ne emër të PDK, Jak Ndokaj, i bëj thirrje mazhorancës aktuale të ndalojë fushatën represive ndaj aktivistëve të kësaj force politike. "U kujtojmë ish-aleatëve tanë, se duhet përfundimisht të ndërgjegjësohen se asnjë masë hakmarrëse kundër të djathtës së vërtetë, nuk do të mund të ndikojë në shndërrimin e PDK dhe Polit të Lirisë në forcën kryesore politike që do të përcaktojë mandatin për qeverisjen e katër viteve të ardhshme", theksoi Ndokaj gjatë konferencës për shtyp. Gjithashtu, PDK-ja ka shprehur protestën e saj ndaj politikës së derës së mbyllur të ndjekur nga media publike dhe institucionet shtetërore e publike të informacionit, ndaj PDK dhe "Polit të Lirisë". Censura e urdhëruar për të mos lejuar që qytetarët të informohen në mënyrë të paanshme për aktivitetin dhe programin tonë elektoral, përbën shkelje flagrante të ligjit dhe standardeve të zgjedhjeve demokratike. Të njëjtat shqetësime ka shprehur pak ditë më parë edhe një tjetër ish-aleate e PD-së, PBDNj-ja, e cila ka deklaruar se në mënyrë hakmarrëse mazhoranca në pushtet po largon nga puna të gjithë njerëzit e saj, pavarësish se ata janë punonjës me statusin civil.