E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi, sot mblidhet në seancë jashtë radhe për "Ramën" dhe Gumin

Zhvillimet më të fundit politike, të cilat duket se nuk kanë qenë në favor të mazhorancës, e kanë detyruar Kryetaren e Kuvendit të njoftojë mbledhjen urgjente dhe jashtë radhe të seancës parlamentare. Kjo, megjithëse Kuvendi i kishte mbyllur punimet e tij në seancën e datës 11 maj. Shkak për këtë seancë është bërë vendimi i marrë nga PBDNJ-ja, e cila ka braktisur koalicionin e djathtë për t‘iu bashkuar në zgjedhjet e 28 qershorit koalicionit të majtë, të drejtuar nga PS-ja. Ministri i PBDNJ-së, Anastas Duro, vetëm disa orë më pas ka depozituar në Kryeministri dorëheqjen e tij, e cila është pranuar nga kreu i ekzekutivit, duke e zëvendësuar ministrin e PBDNJ-së me Viktor Gumin, që deri dje ka mbajtur postin e zëvendësministrit të Drejtësisë. Për të zyrtarizuar Viktor Gumin si ministër të ri të Punës pas dekretimit të Presidentit, duhet edhe "bekimi" i Kuvendit, ndaj sot, në orën 18:00, deputetët do të mblidhen për të votuar dekretin e shkarkimit të ministrit Duro dhe të emërimit të ministrit Gumi. Burime pranë Kuvendit bëjnë të ditur se kjo seancë do të shfrytëzohet edhe për miratimin e disa nismave të tjera të mbetura pezull. Pas njoftimit të marrë që sot do të ketë seancë parlamentare dhe kjo pritet të jetë e fundit, Komisioni Hetimor për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, duhet të paraqesë në mënyrë urgjente raportin për ta votuar në seancë. Anëtarët e këtij komisioni thanë për gazetën "Shqip" se po punojnë në mënyrë intensive për hartimin dhe përfundimin e këtij raporti, që në seancën e sotme të jetë gati dhe të miratohet nga deputetët e mazhorancës. Opozita pritet të mos jetë pjesë e kësaj seance parlamentare. Ky bojkot i opozitës do të zvarrisë deri në Kuvendin e ri disa projektligje të rëndësishme, të cilat mazhoranca nuk mund t‘i miratojë e vetme, sepse për kalimin e tyre duhen 84 vota dhe Partia Demokratike, së bashku me aleatet e saj, ka vetëm 74 deputetë. Një nga këta projektligje, i cili ka mbetur pezull, është "Gjykata Administrative", për miratimin e të cilit ka reaguar Presidenti i Republikës, por edhe faktori ndërkombëtar, duke e vlerësuar si të rëndësishëm. Gjithashtu, 84 vota duan edhe projektligjet për ndryshimet në Kodin ajror, Kodin detar, Kodin hekurudhor, Kodin doganor dhe ndryshimi i emrit të fshatit Qendër në Pogradec. Në seancën e shkuar, mazhoranca arriti të miratojë brenda dy orësh 18 projektligje të rëndësishme, ndërsa mbetën pa u miratuar 9 të tjera, sepse për miratimin e tyre duhet edhe vota e opozitës. Kjo e fundit u largua nga salla në shenjë bojkoti, sepse Kryetarja e Kuvendit kishte hequr nga rendi i ditës pikën e parë, diskutimin e lirë. Megjithëse kryetarja e grupit të PS-së, Valentina Leskaj, propozoi që t‘u jepej fjala deputetëve, ky propozim nuk u pranua nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila e nisi seancën me miratimin e projektligjeve. Refuzimi nuk u pranua nga opozita, e cila iku nga salla duke theksuar se Topalli përdor dy standarde në drejtimin e Kuvendit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›